Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për shkelje ligji lidhur me vënien e gurit themeltar për ndërtimin e godinës së re të Shkollës së Muzikës në këtë qytet.
Shefja e kabinetit, Krenare Koçi ka vlerësuar se akuzat e këshilltarit të AAK-së, Ilir Baldedaj, lidhur me këtë çështje janë të paqëndrueshme, pasi sipas saj, Ekzekutivi lokal ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke u konsultuar edhe me ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
“Çështja e parë që është ngritur nga këshilltari Baldedaj ka të bëjë me vendimin e KK-së për Planin e hollësishëm Rregullativ. Pavarësisht Planit të hollësishëm Rregullativ, për çdo ndërtim të mundshëm që bëhet në hapësirën që tashmë është Shkolla e Muzikës duhet vendimi i Kuvendit të Komunës. Do të thotë KK-ja në atë kohë kishte vendosur që pavarësisht Planit të hollësishëm Rregullativ, se është në interes të Komunës që aty të bëhej Shkolla e Muzikës, sepse është pronë e Komunës. Jemi konsultuar edhe me Zyrën ligjore të MAPL-së, që ka thënë se nuk ka asgjë në kundërshtim me ligjin dhe se gjithçka është në rregull nëse KK-ja konsideron se prona komunale duhet të shfrytëzohet për ndërtimin e Shkollës së Muzikës, pavarësisht se PHRR-ja parasheh ndërtim të lartë. Pra, nuk ka kurrfarë shkeljesh ligjore, sepse konsultimet janë bërë që nga shkurti i këtij viti me disa ministri”, ka thënë Koçi.
Ajo ka theksuar se edhe pretendimi që leja është lëshuar për ndërtim në më shumë se një parcelë nuk është i qëndrueshëm. “Godina shkollore ka për t’u vendosur në njërën parcelë dhe në atë parcelë që është dhënë prej KK-së. Pra, as kjo kritikë nuk qëndron”, ka deklaruar shefja e kabinetit të kryetarit Mytaher Haskuka.