16.7 C
Prizren
E premte, 9 Maj, 2025

Kondomët, myslimani, unë dhe Trump

Po befasohesha me atë që po shihja para një hangari avionesh, në Wilmington të Ohios. Pakkush hynte brenda pa blerë ndonjë fanellë, kapelë ose dicka tjetër që lidhej me emrin, figurën a slloganin “Make America Great Again”, të Donald Trump. Ky, pas pak, pritej të vinte në këtë qytezë të vogël, për një tubim fushate, të fundit në shtetin e Ohios. Zgjedhjet për president të Amerikës, në të cilat ai garon, si republikan, karshi demokrates Hillary Clinton, mbahen 4 ditë më pas.

Për shkak të atmosferës, kisha harruar që unë, disi pa dashje, isha ndër të rrallët, në mos i vetmi, që po bartja diçka kundër tij. Dhe ata, ishin hiq më pak se kondomë. E mira ishte se ata nuk i shfaqja publikisht.

Për sherr, i kisha marrë ata më herët gjatë ditës, gjatë një vizite që si gazetar ia bëra një OJQ-je në qytetin Columbus. Këtu të gjithë ishin kundër kandidatit republikan për president. Madje, kishin nisur një anti-fushatë ndaj tij, me moton “Mbroje veten nga Trump”. E si mjet mbrojtjeje, ishin kondomët. Gjithfarë ngjyrash e me disa porosi në secilin veç e veç.

“Nëse bëhet siç thotë Trump, atëherë meksikano-amerikanët dhe amerikanët-myslimanë nuk do të mund të bëhen gjykatës federalë”, shkruante në njërën seri të tyre.

“Nëse bëhet siç thotë Trump atëherë aborti nuk do të jetë i sigurt, e as legal, në Amerikë”, në tjetrin.

Kondomët m’u kujtuan kur me ta në çantën e krahut, mësyva hyrjen e hangarit. Më kapi droja.

“Cka nëse dikush i sheh”, thashë me vete. “Do ta pësoj keq. Do më marrin si provokator”.

Para dyerve të hangarit kishte kontroll të rreptë të sigurisë. E pashë që nuk kam “shpëtim”. Ajo që prisja, ndodhi. Njëri nga dy policët që më kontrolluan, ma ktheu përmbys cantën. Në tavolinën pranë tij ra gjithcka ishte brenda. Edhe kondomët. Zotëri polici i kapi tri kutitë dhe e veneroi mirë se çfarë shkruante në to.

E pashë që i shkoi buza në gaz, pak. Më shikoi në sy, për të më parë më mirë se kush jam unë që guxoj të sjell aso gjërash në këtë ngjarje.

Instiktivisht më shkoi dora të ID-ja që e mbaja ngjitur në qafë, në të cilën shkruante “Press”. Demek, ia bëra me dije që jam gazetar dhe nuk kam gjë me Trumpin unë, i kam marr diku.

Ai qeshi pak më shumë. Nuk më tha gjë për këtë, por më la të kuptojë se një gjë të tillë mund ta bëjnë anëtarët e stafit të Trump, që rrinin pak më larg, në rast të një “double check”. Pastaj i mori kondomët dhe i ktheu në çantë, duke i futur disi si më thellë brenda saj. Mbase me idenë për t’i fshehur, në rast të një kontrolli tjetër nga “trumpistët”.

“Në rregull je, mund të hysh”, tha polici me zë të lartë, për të dëgjuar “sigurimsat” tjerë.

Unë, me rrahje të shtuara të zemrës, u nisa drejt tyre. Po tutesha.

“Do më bëjnë përshesh”, mendova me vete. “Do të mendojnë se kam ardhur këtu të bëjë fushatë anti-Trump me kondomë, dhe vaj halli për mua mandej”.

Një person që kishte ngritur një parullë kundër republikanit, në njërën nga ngjarjet e tij, e kishte pësuar keq. Atij i ishin hedhur përmbi shumë veta.

Por, “trumpistat” nuk më ndalën fare dhe unë hyra në hangar. Sigurisht ishin ndikuar nga fjalët e policit kur tha se jam në rregull.

Ahhh, çfarë çlirimi!

Pasi asgjë nuk më ndodhi, nisa, i qetësuar, ta bëj punën time. Përshkova gjithë hangarin, për të parë nga afër kush janë ata që e mbështesin një kandidat të pikëpyetshëm si Donald Trump, që ishte deklaruar kundër meksikanëve dhe imigrantëve tjerë “latinos”. E po ashtu edhe kundër ardhjes së refugjatëve myslimanë në Amerikë.

Dhe në këtë pikë, më ndodhi edhe një befasi.

Kur Donald e tha atë për çfarë kishte ardhur dhe iku, unë fillova të intervistoj disa të pranishëm. Doja të dija si e përjetuan ata takimin me kandidatin për president, që pos veprave dhe fjalëve, ka edhe flokë e frizurë të vecantë. Dhe nëse ai, me ato që ua tha, e shpagoi ardhjen e njerëzve këtu.

Në mesin e atyre që i pyeta, ishte një i ri, afër të njëzetave, që ishte i shoqëruar me disa shokë.

“U ndjeva i prekur. Ai tha ato që doja t’i dëgjoja”, m’u përgjigj ai në njërën nga pyetjet e mia.

Kur e përfundova intervistën, i kërkova të ma shkruajë saktë emrin e tij në fletorën e shënimeve.

Djaloshi e bëri këtë. Për t’u siguruar çfarë ka shkruar, e pashë emrin e tij. Ishte Saed.

Unë u habita. Edhe u ktheva kah i riu.

“Ti, mysliman je?”, nuk u durova pa e pyetur.

“Po”, më tha, duke më treguar se prindërit e tij janë nga Afrika Veriore diku.

“Po pse ti këtu?”, e pyeta unë prapë.

Ai më shikoi si me habi.

“Pse jo?! Trump më pëlqen, ai do të jetë president i ri, prandaj erdha ta takoj këtu”, më tha.

Unë nuk u mjaftova nga kjo përgjigje.

“Po ai sikur nuk po flet mirë për myslimanët”, i thashë.

“Nuk e ka me besimtarët e vërtetë myslimanë. E ka me ISIS dhe është OK krejt ajo që flet se si të mposhtet ISIS”, ma ktheu djaloshi.

Unë po e sillja kokën. Isha i befasuar me një mysliman në tubim të Trump. Nuk prisja. Mendoja se isha i vetmi që i takoja këtij besimi që po merrte pjesë në një “rally” të tij.

Dhë pikërish në këtë rast, ndodhi ajo që nuk e prisja.

“Po ti, çka je?”, më pyeti njëri nga shokët e Saed.

U stepa. Ta them të vërtetën apo jo? Çfarë nëse ky po më provokon? A më ndodh diçka, nëse ia thëm se përkatësia ime fetare është tjetër nga ajo e tij”.

“A guxoj të tregoj këtu?”, thashe si me gjysmë zëri dhe duke provuar ta nxjerr një të qeshur të lehtë, kinse për ta shndërruar në hajgare krejt këtë muhabet.

“Po, po, si jo”, më tha ai.

“Mysliman jam edhe unë”, thashë.

“Oh, niceeee”, tha ai.

Nuk ndodhi asgjë e keqe. Askush nuk më ofendoi e as më qëlloi. Dhe nisa të çlirohem.

Por, përsëri u zura ngusht kur, Saed, mbase, deshi të më bëjë të ndihem rehat.

“Selam ajelkum brother”, më tha ai, duke ma zgjatur dorën.

Ueeee! Dreq, kjo ishte krejt e tepërt dhe e panevojshme në një tubim të Trump.

“S’e mos e ka me sherr ky”, thash me vete.

Dora e Saed mbeti e hapur. U ndjeva keq po të mos ia rrokja me timen.

Ashtu edhe bëra.

“Alejkum selam”, i thashë, ama me krejt pak zë.

Isha në siklet.

Saed dhe shokët e tij qeshën. Njëri nga ta ma rrahu krahun, miqësisht. Sikur ma tha të mos kem frikë se nuk më ndodh gjë.

Unë u ndava nga ta, shpejt e më shpejt.

Rrugës për në dalje të hangarit, e pyeta edhe një grua si iu duk Trump.

“E pëlqeva shuëm dashurinë e tij të madhe për Amerikën”, më tha Vonda Davis. “Me gjithë qenien time besoj se ai do të jetë president”.

Kështu edhe ndodhi, pesë ditë më vonë. Trump fitoi dhe u bë president, duke lënë gabim gjithë ata që kishin besuar se Shtëpinë e Bardhë do ta trashëgojë Hillary Clinton. Biznesmenit i mbetet që në radhë të parë të kujdeset për interesat e votuesve të tij, si puna e atyre që ishin në tubimin e Wilmington, e të cilët besonin se ishin lënë mënjanë.

“Unë jam e krishterë dhe dikush duhet të bëjë dicka edhe për mua”, më tha Natalie Childress, një studente 19 vjeçare, që e kisha intervistuar pak më herët. “Ai është Trump”.

Më Shumë

Ish-operatori sjell rrëfime nga prapaskenat e Kino Lumbardhit në Prizren

Programi i klubit të filmit Kinemaja e Zgjeruar në Kino Lumbardh në Prizren vijon këtë javë me bisedë dhe shfaqje të filmit, duke shpalosur...

Krimi familjar, mjeku i Emergjencës në Prizren jep detaje për rastin (VIDEO)

Mjeku i Emergjencës në Prizren, Afrim Jahaj, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurave të krimit familjar sot në këtë qytet. Ai tha...

Lajmet e Fundit