29.8 C
Prizren
E premte, 16 Korrik, 2021

Kontributi i Atë Shtjefën Gjeçovit për ndriçimin e vrasjes së Atë Luigj Palajt

Msc. Enver Sulaj

“Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!” Ky është titulli i dorëshkrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, për sivëllain françeskan- Atë Luigj Palajn, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ka 82 faqe.

Trembëdhjetë vjet pas martirizimit të Atë Luigj Palajt, në vitin 1926 Atë Shtjefën Gjeçovi ishte nisur drejt Kosovës, për të hulumtuar rastin tragjik të 13 vjetëve më parë, kur ky atdhetar i devotshëm qe bërë barriera e parë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve të rajonit të Dukagjinit, që dokumentohet përmes dëshmive të shumta. Atëbotë, qarqet politike e pushtuese malazeze nuk po kursenin askënd, as shqiptarët katolikë, e as ata myslimanë, bile as prijësit fetarë, siç ishte Atë Palaj, i cili, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga bashkëkombësit e tij për rrezikun që i kanosej nga forcat malazeze, ishte shprehur i vendosur në qëndrimin e tij. Me shumë kujdes dhe si një kronist i vërtetë, Atë Shtjefën Gjeçovi gjatë qëndrimit në Gllogjan, Pejë, Gjakovë e Zym, interviston persona të ndryshm, të cilët në një formë apo në një tjetër kishin njohuri mbi vrasjen e Atë Luigj Palajt. Në një dëshmi, shkruar nga vetë Gjeçovi, lexojmë: “Sot, me 4 të Vjeshtëdytit 1926, Mëhill Marku i shpis së Kocit në Gllogjan më diftoj se nja dhetë ditë perpara se mbyten Atë Luzin, kishte shkue te shpia e Uk Gjonit dhe e kishte këshillue qi mos të shkote nder Shkje, se ata janë ba si qej te terbue, e mnojshin me i ba ndonji sherr. M’at rasë qe se çë kuvend kishte ba Atë Luzi me Mëhillin, sikurse më diftoj vetë Mëhilli n’orën 8 perpara mjesditet mbas Meshet, e tuj pi kafe në pjekëtore të çelës së Gllogjanit. Ky Mëhilli njeri i fjeshtë, njeri i pershpirtshem, e jeta e ti jetë baritore.

Mëhilli: Zotni, mos shko me u pa nder ata Shkje e mos të bajën ndonji dredhi e me të damtue!

Atë Luzi: Mëhill, a je bari gjajet ti?
Mëhilli: Po, Zotni!
Atë Luzi: Po me ba me pa ti se uku po i turret tufës s’ate, shka ban ti?
Mëhilli: Rroki pushken edhe i vëhem në shpinë ukut, per me e turitë a me e vra qi mos të m’a damtoje tufen!
Atë Luzi: Mirë fole, Mëhill, ti i del zot tufës s’ate me pushkë, e une do t’i dal zot tufës s’eme qi janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshille! Uku ka hi veç mbrenda vathit t’em, e ka fillue me m’a damtue tufen. Mue më duhet, pra, me i ra mrapa tufës s’eme e me i turitë ujqt me kercnime të rrebëta me anë të Zotit. -Une nuk ja kam kujdesin këti mishit t’em, i cilli, a sod, a nesër do të bahet gjell krymbash.-“ Por, malzezët po e ndiqnin këmba-këmbës Atë Luigjin. Pasi i kishin rënë në gjurmë, e kishin burgosur për ta dërguar më pas në burgun e Gjakovës. Këtu po fillonte rruga e Kalvarit për të, por edhe e bashkatdhetarëve të tij, të cilët vuajtën bashkë me të deri në frymën e fundit. Në një dëshmi tjetër, jepen të dhëna interesante lidhur me torturat që i ishin bërë dhe dashurinë ndërvëllazërore e ndërfetare të shqiptarëve, të cilët po vuanin bashkë, sepse edhe fronti i rezistencës ishte i përbashkët. “Prej goje të Rexhep Sylës, musliman prej Maznikut (në nahijet të Pejës)…, sikur i kishte pasë rrëfye Hasan Kocit vetë, përmbas mundimit t’Atë Luzit. Ky Rexhepi ka kenë lidhë krah për krah me Atë Luzin prej Gjakovet deri në Janosh. Rrethi i të lidhunve ka kenë 60 vetësh. Si mbërrine në Janosh, Atë Luzin e liruen prej krahit të Rexhepit tuj ja lidhë duert permbrapa, e Rexhepin e quen nder rreshta të pare, e atë e lidhen vetë të tretin. Permbas mundimesh e grushtimesh me druna pushkësh, ku edhe tuj e therë lehtas me bajoneta, Atë Luzin e shmangne prej udhet edhe e vranë aty. Kur ishin tuj e therë e permbasi krisën pushkë, kishte pas britë tri herë rresht: ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” Këto fjalë i kishte pas përsërit shpesh herë edhe per të gjatë t’udhës. Ashtu më diftoi Hasan Koci e Rexhepi këtij.“ Ditët e fundit të jetës së Atë Palajt, ashtu siç dalin nga ky dorëshkrim i Gjeçovit, por edhe dëshmive që ofron revista famëmadhe Hylli i Dritës, janë vuajtje si të Jezu Krishtit, me mundime çnjerëzore, drejtuar mbi korpin e tij, i cili kishte qëndruar edhe në dhê i paprishur për nëntë javë, siç e pohojnë dëshmitë.

“Prej gojet të Zenun Sokolit prej Gllogjanit, musliman me fis i Berishas. Me 25-IX-1926 nji mbramje kah ora 7, ishe ndejë n’atë në qelë te Gllogjanit, kur u beh me kalue do kohë me mue Zenun Sokoli, e nder tjera kuvende qi bamë, m’u dha edhe e pveta mos kishte me më diftue gja mbi mundime e dekë t’Atë Luzit? Ky më përgjegji: “Zotni, une jam musliman, por po të kallxoj me të drejtë të shpirtit, se Atë Luzin e kan pasë mbytë shkjet per Fe e vetem pse s’dasht me i ra mbohë Besimit Katolik e me u ba Shkja. Edhe po të tham, Zotni se nji gojet e zanit Katolikë e muslimanë ka njimi herë në ditë ja urojnë shpirtin Atë Luzit tuj thanë: -Dritë i baftë shpirti ati Frati, se deka e ti e gjaku i ti e ka pshtue robnin e Metohis e të Kosovës mbarë! Mos të ishte ai, na kurrnji i gjallë së patëm për të mbetë, e aj qi donte të jikte gjallë, do të mbaronte me u ba Shkja! Deka e Atë Luzit kje pështimi i Katolikve e i muslimajve të këtynve krahinave.” Dëshmitarët që flasin para Atë Gjeçovit betohen para dëshmisë së tyre, ndërkaq metoda e hulumtimit dhe përshkrimi i kufomës së Atë Luigjit, është gati si e një patologu profesionist, deri aty sa përshkruhen imtësisht edhe plagët dhe shenjat e dhunës mbi trupin e tij.

“Gjakovë, në Kapele të Shna Ndout. Sot me dy të Vjeshtëtretit 1926 n’oren 11 ¾ para mjesditet, erdh te une Smail (Mark) Sadrija i Janoshit, me fis prej Merturit të Gurit, i cilli kje grishë prej mejet, per me e pëvetë sa punë mbi mundime e dekë të t’Atë Luz Paliqit. Pa fillue të flasë goja e këtij plakut 70 e ma vjeç, sytë e tij folen tuj ju mbushë me lot sa ja permenda emnin e Atë Luzit, e qi pa ngjat ju perfulluene lot neper mollëza te perhupuna prej pleqniet, e tuj ju dridhë mjekrra e buzët prej vajit, më tha: “Zotni, na urojëm qi Krishti, per të cillin s’ju dhimbt jeta Atë Luzit, e ka marrë shpirtin e tij në Lumëni të vet! Zotëni, sikurse aj qindroi ngulët në Fe të lume, ashtu e ka pasë trimnue popullin, jo veç në burg të Gjakovës, sikurse e kanë dishmue katolikët e muslimajt qi paten kenë me të në burg, por edhe per të gjatë udhës, deri qi e grine shkjet u ka pas thanë: ”Vëllazen, hiqni keq, por mos ndërroni Fe!”- Kur i nepshin mund të burg të Gjakovës, edhe i thojshin shkjet qi të bahet shkja, Atë Luzi u pergjegjte: ”Une kam Zotin t’em Krishtin, e xëvësin e tij në tokë, qi sundon Kishen katolike. Une si Meshtar katolik, urdhnit të tij i rri mbëkambë e vetem atij i ndigjoj. Jam Meshtar i Krishtit e së kanë nevojë të thirrem Pop!”
Më tej, Gjeçovi, në dëshminë e tij shkruan:“Ky… plak i ndershëm, i cili i kishte pas mbëledhë trutë e Atë Luzit me gjymsen e epër të rrashtes të shkapaderdh prej armës gjaksore të Malazesëve, m’a vërtetoi me besë e fe se: Trupi i Atë Luzit i shtimun në gropë shi afer ku e paten vra shkjet, pa farë mbëlojet e shtrojet pertokë e thotë sypri e përfundmi, mbas tri javësh, (I kje qil vorri prej një komisionit ushtarak të Malit të Zi e prap shti në atë gropë e mbas 9 javësh kjen nxjerrë e que në Zymp e shti në dhe në Bëtyq-Zymp).ashtu veq në këmishë tlinta e pantoll me kollqikë në kambë, kur e xueren per me e que në Gjakovë e mandej në Zymb, as ishte ken prishë e as marrë far ere e marrë një hije aq të bardhë, qi kundruall trupit të tij të bekuem ky muer… më duket i zi!” Këto fjalë, pra, m’i dishmoi goja e lotët e Smail (Mark) Sadrisë, i cilli e krei kallzimin me këto fjalë: “Deka e Atë Luzit e suell pështimin e këtij popullit. Gjaku i Atë Luzit na peshtoi prej rrenimit të plotë!”

Gjeçovi kishte qëndruar në Zym, më 16-XI-1926, ku kishte urdhëruar që të hapej varri dhe ta shikonte edhe një herë trupin e Atë Luzit. “Mbrenda vorrit hini Atë Leka e z. Noz Seba. E permbasi u thaçë (une ishe në buz të vorrit tuj shikjue) qi të shikjojshin a e kishte kryqin n’parzem e nuk ja gjeten, u thaçë qi të m’a xjerrin kocin ma të hollin të dorës së djathët (at koc qi asht ndermjet të brrylit e të dorës, e nji nye gishtit të dorës së djathët. Mbasi e largue me llomin e mishit, i xueren këta kocij qi ju lypa.-
Oroe: Kocin e dorës une e mora me vedi, e të gishtit, e ndali Atë Leka.”
Përveç dëshmive të shumta, të mbledhura me shumë kujdes në vendbanime të ndryshme, në këtë dorëshkrim gjenden edhe një këngë për Atë Luigj Palajn dhe një krijim poetik, tingëllimë, e shkruar nga famullitari i atëhershëm i Becit, dom Gjon Bisaku, i cili ia shton përshkrimit të kryqit me kërkesë të Atë Shtjefën Gjeçovit. Më lejoni ta përmbyll këtë kumtesë të shkurtër, me disa vlerësime. Këtë dorëshkrim të Atë Gjeçovit e shquan:
-Përkushtimi: ai ka ecur në këmbë në relacionin Gjakovë- Zym, ashtu si edhe nga Peja në drejtim të Gllogjanit, por edhe në vendbanime tjera;
-Dashuria për atdheun, fenë e kombin e tij, pa e dalluar për kah religjioni, sepse, ashtu si qenë bashkë në ato ditë vuajtjeje e mundimesh në udhën e kryqit, të cilën e bënë bashkë, sepse s’kishin rrugë tjetër;

-Stili i të shkruarit: i kujdesshëm, konciz, i saktë, me trajta sintaksore e leksikore, model edhe për shkruesit e sotëm;
-Metodologjia e mbledhjes së dëshmive dhe autenticiteti i tyre: ofrohen emra, mbiemra, fise, profesione, vendbanime;
-Dija e thellë shkencore, ndonjëherë edhe e juristit, etnologut, folkoristit, patologut etj.;
-Kur bën përshkrime të imëta, del zjarrmia dhe emocioni i shkruesit, që shihet në kaligrafinë e tij, që e transmeton gjendjen emocionale e tensionin shpirtëror.
Dëshimtë e Gjeçovit janë të një rëndësie të shumëfishtë: historike, para së gjithash, por edhe të një intelektuali me përgatitje të lartë e me vetëdije kombëtare, që po bënte të pamundurën, në luftë me harresën, ashtu siç kishte bërë më vonë Atë Zef Pllumi, duke i dhënë vetes misionin për të jetuar e për të dëshmuar.

Duket të jetë ky një betim i brendshëm i meshtarëve shqiptarë, të cilët të udhëhequr nga parime të larta hyjnore e kombëtare, i kishin vënë vetes për detyrë të hidhnin në letër dëshimitë tragjike, për t’ia mbyllur gojën harresës, për të shënuar vuajtjet e grigjës së tyre, por edhe të vdekjes së njëpasnjëshme.

Këto përpjekje, sot dalin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse mësimi i historisë duhet të jetë leksioni më i mirë i dijes dhe përgatitjes njerëzore. Por, ne si komb, duket se kemi problem me harresën, ashtu siç kemi probleme edhe me rrugën e drejtë, e cila na mjegullohet nga lakmia e ëndja e ligë, që dëmton palcën tonë kombëtare e qenien e shqiptarit të përvujtur, i cili, siç e dëshmon vuajtja e Patër Luigjit, nuk bën kompromis me atdheun. Ndoshta për koincidencë, ndoshta edhe të lidhura fuqimisht me njëra- tjetrën, por duket se edhe vetë vrasja e Gjeçovit është në linjën e vdekjeve tragjike të meshtarëve shqiptarë, të cilët nuk pranuan të gjunjëzoheshin kurrë, ndonëse fati i tyre mbetet i mbështjellë me vellon e mistereve të pasqaruara sa duhet.

Ashtu siç kishin në jetë ideale të përbashkëta, Atë Shtjefën Gjeçovi e Atë Luigj Palaj prehen bashkë në tokën e bekuar të Zymit , në muranën e rindërtuar së fundmi, për të shprehur adhurimin e përjetshëm të shqiptarëve, që përulen e luten, që shpirti i tyre të jetë dritë shprese e shpëtimi, për ne e brezat që do të vijnë.

(Kumtesë e mbajtur më 30 nëntor 2019, në Zym të Hasit, në sesionin shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit, organizuar nga Shoqata „Trojet e Arbrit“)

 

Më Shumë

Qindra biznese sytë nga Parku i Inovacionit në Prizren

Mbi 500 biznese kanë shprehur interesim fillestar për të investuar në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer...

Zyrtare: Barça largon edhe një tjetër futbollist për të siguruar fonde për kontratën e Messit

Barcelona ka larguar edhe një tjetër futbollist në përpjekje për të siguruar fondet e nevojshme për nënshkrimin me Lionel Messin, transmeton Insporti. Klubi Blaugrana ka...

Në momente intime me Georgina Rodriguez, Ronaldo nuk i kursen pozat nga jahti luksoz

Pas përfundimit të aventurës së Portugalisë në Euro 2020, Cristiano Ronaldo ka zbuluar përmes postimeve në rrjetet sociale se ka nisur pushimet me familjen...

Shokon legjenda e Argjentinës: Edhe po të fitoj Messi katër kupa të Botës, nuk do të jetë asnjëher më i mirë se Maradona

Pritja e gjatë e Lionel Messit për një trofe të rëndësishëm, më në fund u shndërrua në realitet fundjavën e kaluar. Maestro i vogël argjentinas...

Messi humbet 100.000 euro në ditë, kjo është arsyeja

Pas që nuk ka kontratë prej javës së kaluar, Lionel Messi shpreson që të arrijë një kontratë të re me Barcelonën derisa ditët e...

Dragash:E bën të fejuarën për spital, për shkaqe xhelozie

Gjatë ditës së djeshme një grua nga Dragashi ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i fejuari i saj. I...

Patricio zyrtarizohet te Roma

Rui Patricio është zyrtarisht lojtar i Romës. Portugezi mbërriti në kryeqytetin e Italisë dhe ka nënshkruar pasi ka kaluar vizitat mjekësore. Portieri 33-vjeçar ka firmosur...

Sot, dita më e nxehtë e javës

Mot i nxehtë dhe me vapë do të vazhdojë të mbajë edhe gjatë së mërkurës e së enjtes.   Sot pritet të jetë maksimumi i temperaturave...

Murati: Brenda muajit ngritet aktakuza për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur për vjedhjen e 2.1 milion eurove nga Thesari i Shtetit, duke shtuar se beson...

Pandemia solli humbje të mëdha për sektorin e turizmit në Kosovë

Pandemia e Covid-19 është përcjellë me shumë problem ekonomike në gjithë botën përfshirë edhe Kosovën. Ndër fushat më të prekura është edhe turizmi. Ekspertët parashohin...

Angelina Jolie kapet mat me këngëtarin e famshëm

Angelina Jolie dhe The Weeknd janë kapur sërish mat në një koncert privat në Los Angeles gjatë fundjavës. Aktorja dhe këngëtari kanadez po përfliten...

Zyrtare: Dasmat deri në 01:00, me deri në 300 veta

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot masat e reja kundër COVID-19. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë e cila po  udhëhiqet nga...

Gazetarja e njohur infektohet me COVID-19 edhe pas vaksinimit

Catt Sadler aktualisht po lufton me koronavirusin. Ish gazetarja e E! News, hyri në Instagram për të zbuluar se ajo është infektuar me COVID-19, pavarësisht...

Lumir Abdixhiku ia konfirmon kandidaturën Anton Qunit për kryetar të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar kandidaturën e deputetit të këtij subjekti politik, Anton Qunit, për kryetar të Komunës...

Diploma false për të siguruar viza pune, arrestohet qytetari nga Malisheva

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar në Malishevë i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti kishte siguruar diploma...

Djelal Ferati ka përfunduar në prangat e Policisë së Shqipërisë në Morinë

Djelal Ferati, 38-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka përfunduar në prangat e Policisë së Shqipërisë dhe së shpejti pritet të ekstradohet...

Lajmet e Fundit