9.5 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Korishasit nuk e harrojnë natën e tmerrit kur u vranë 77 më të dashurit e tyre

Edhe pse po bëhen 18 vjet kur ndodhi kjo tragjedi, ende familjarët e kanë të freskët humbjen e 77 më të dashurve të tyre, kur ata u dogjën për së gjalli. Zejnije Ahmetaj tregon se çdo natë e sheh flakën e zjarrit mbi trupat e bijave të saj, tani të vrara, Arbërores dhe Sarandës. I harrojë plagët e mia që i kam në trup, zjarri i fëmijës e djeg gurin e lëre më zemrën e nënës” tregon ajo,transmeton gazeta Kosova Sot.

Korishën tani e plot 18 vjet radhazi në çdo 13 maj e mbulon pikëllimi i madh. Kjo datë në fshatin Korishë nxjerr në pah dhembjen, por edhe përkujton burrërinë e kësaj treve nëpër dekada e shekuj. Kjo trevë ka pasur burra që për çështjen e atdheut kanë dhënë shumë e jo pak syresh janë flijuar. Po këtë ditë bashkërisht me të rënët e fundit të 13 majit të vitit 1999 përkujtohen edhe burrat e Kabashit e Korishës. Në këtë datë përkujtimore përkujtohen burrat, si Sali Kabashi e të tjerë. Mirëpo, kulmi i dhembjes së muajit maj vazhdon të mbetet pikërisht 13 maji i vitit ’99, i rënies së 77 martirëve, derisa forcat militare dhe paramilitare serbe ishin vendosur me arsenal të madh armatimi në një cep të magjistrales në afërsi të fshatit Korishë, ato forca ishin fokusuar nga NATO-ja, mirëpo dredhia serbe ishte aq e egër dhe barbare dhe këto forca i largoi, kurse në vend të tyre vendosi trupat e pafajshme të civilëve, nga 2 e deri në 70 vjeç, që t’i përdorë si trupa të gjallë për bombardimet e pritura. Atë natë të dhembshme mbi ato trupa fëmijësh, dhe pleqsh bien bombat,ku gjetën vdekjen 77 martirë të pafajshëm. Për këtë flet edhe Rexhe Ukaj, duke potencuar se “Serbia këtu përdori trëndafila të paçelur mirë, i shfrytëzoi si mburojë trupore. Mirëpo, gjaku i këtyre ishte edhe thirrje për paqe. Kjo tokë duhet të mbajë mend se këtu u flijuan 77 margaritarë të lirisë”, tha Ukaj për “Kosova Sot”. Sanije Rexhepi, duke rrëfyer dhembjen e madhe, tha se këtu ka të rënë vajzën Hysnijen bashkë me dy fëmijë.

Dyshohet se mjekët serbë i vrisnin të plagosurit në spitale

Kjo dhembje e madhe padyshim se është gjithnjë, por në këtë datë ajo edhe shtohet. Kështu Zejnije Ahmetaj rrëfen se çdo natë e sheh flakën e zjarrit mbi trupat e bijave të saj tani të vrara, Arbërores dhe Sarandës, në momentin kur binin bombat dhe evokon secilën natë njësoj atë dhembje. “ I harroj plagët e mia, që i kam në trup, sepse zjarri i fëmijës e djeg gurin e lëre më zemrën e nënës”, tregon ajo. Ahmetaj pastaj shpjegon se ajo në këtë rast ka humbur edhe bashkëshortin Hamdiun. Mirëpo, ajo pohon se tani pas 18 vjetësh dhe pasi ka parë disa sekuenca filmike të televizioneve të huaja po e sheh se Hamdiun, burrin e saj, e kanë vrarë mjekët serbë, ngase ai ka folur haptas për shokët e tij luftëtarë të UÇK- së, duke mos u frikësuar fare nga fakti se ishte në spital. Mirëpo, pos plagëve të trupit, ajo mendon se dhembja e shpirtit është e përhershme. Fahrije Halimi, bijë nga familja Ahmetaj, rrëfehet se në këtë tragjedi ka humbur jo më pak se 41 anëtarë, kurse ajo nga familja e ngushtë ka humbur tetë anëtarë. “Dhembja është si një sëmundje e rëndë jo që shënohet, por ajo vjen dhe bëhet gjithnjë e më rëndë”, thotë Fahrija. Kurse Osman Ahmetaj rikujton rastin e 13 majit të vitit 1999:”Në këtë cep rruge, para se të na ndalonin neve, këtu ishin strehuar shumë tanke serbe. Mirëpo, siç duket, serbët këtë gjë e kishin mësuar gjatë ditës. Posa në buzëmbrëmje kemi kaluar aty, ata i kanë hequr tanket e tyre dhe aty na kanë vendosur neve me traktorë, ashtu siç ishim përgatitur që ne të shkonim drejt Shqipërisë. Në orët e vona të natës, së pari është hapur një dritë e fuqishme, pas kësaj një aeroplan ka filluar të gjuajë, duke menduar se aty janë tanket serbe. Ka pasur lemeri të madhe, zëra njerëzish, Aty ka qene vetë xhehenemi”, tregon ai dhe nuk mundet më shumë të vazhdojë rrëfimin.

Kemi qepur edhe me gjilpërë dore mbi 100 të plagosur

Kurse, mjeku i asaj kohe, që ishte në afërsi, dr. Haxhi Avdyli, mjek i UÇK-së, rrëfen ngjarjen e tmerrshme. “Kemi arritur që t’i ndihmojmë afërsisht nga 100 të lënduar, por lëndimet ishin shumë të rënda, andaj edhe ishin rreth 100 të tjerë që patën marrë rrugën për në spitalin e Prizrenit. Pastaj patëm informacione se atje nuk janë trajtuar ashtu siç duhet, por ne nuk e dimë atë. Kurse ne si UÇK jemi munduar shumë për të dhënë ndihmën me ato pak mjet që kishin. Ende i kam të freskëta ato dhembje deri në kupë qielli, siç thuhet”, tregon dr. Avdyli. Me këtë rast ai bën publik edhe një pjesë të Ditarit të tij të luftës.”Pas rreth 6 javësh sulmesh të vazhdueshme, vija frontit në Buzhalë, Krushicë, Budakovë filloi të binte. Më 8 maj 1999, në mesnatë u mblodhëm në një kodër në lagjen e Hoxhëve në Budakovë. Armatimi për rezistencë të mëtutjeshme i ushtarëve mbaroi. Grupi ynë ishim diku 200 ushtarë e civilë dhe vendosëm që të tërhiqemi në Bjeshkën e Kabashit. Të tjerë morën kahe të tjera. Vendosëm që rrugëtimin ta bëjmë mbi majat e bjeshkëve mbi Vraniq, Maqitevë, Delloc, të dilnim në malet mbi Grejkovc. Marshimi vazhdonte natën, ditën pushonim nën lisa, në shi. Pas 3 ditësh marshim arritëm për herë të flinim në shtëpinë e Kicajve në Grejkovc. Serbët ishin të vendosur në shtëpitë nën xhami , kurse ne shtëpitë mbi xhami rrëzë malit. Aeroplanët e NATO-së fluturonin mbi ne dhe bombardonin gjithandej caqet serbe. Serbët po ashtu gjuanin me arsenalin e saj mbi civilë, ku mundnin dhe ku dinin që të na shkaktonin dëm. Pas natës se parë te Kicajt u nisëm për Kabash me dr. Sinan Sopën, stomatolog nga Suhareka, të shoqëruar me disa ushtarë, për të parë gjendjen shëndetësore të dhjetëra ushtarëve të plagosur dhe mijëra civilë të sëmurë. Në lagjen e Sahit Ukajve na mirëpriti Komandant Drini dhe komandant Luli ( Lulzim Kabashi). Aty u bashkuam me dr. Jemin Zeqirin e Mushtishtit e infermiere vendor. Bashkë filluam të trajtojmë ushtarët e plagosur, por edhe qindra civilë të sëmurë me ato pak barna që kishim, të cilat i kishin siguruar banorët e Korishës, e Skorobishtit dhe ushtria. Ushtarët trima të plagosur, si Gani Muqaj, qëndronin stoikisht. Komandant Drini e Luli gjithandej ngrisnin moralin e ushtarëve e civilëve se liria po vjen. Por, mijëra civil në Kabash e Muzhlak tashmë të sfilitur në tenda llastiku po shteronin ushqimet. Edhe pse me një bukë e kishin dhjetëra civilë sapo shkonim ekipi i mjekëve, shpirti bujar i tyre s’na lëshonim pa na dhënë një kafshatë apo një gotë qumësht edhe ne 3 mjekëve. Por, ende s’e dinim se kataklizmi i madh po vinte. Askush s’e dinte se kasaphania e madhe e popullatës civile të Korishës po përgatitej nga soldateska serbe. E kjo ishte 13 maji. Kurse pas kësaj ne si mjekë patën mundësi të qepim edhe me gjilpër të dore të plagosurit, ku i trajtuan 100 pacientë “, shkruan në Ditarin e tij dr. Avdyli.

Varrimi nën frikën e vdekjes

Derisa Asllan Asllani, veprimtar i çështjes atdhetare, tregon rastin kur të vrarët u lejuan të varrosen. “Ishin më shumë se 88 të vrarë, sepse numri prej 77 ishte bërë 88, kufoma, me këtë rast, në vendin e quajtur “Boka”, kur nuk arritën t’i varrosim secilin një nga një, edhe për shkak të rrezikut mbi kokë. Kemi filluar të përdorim ekskavatorin dhe me rrezik me jetë që t’i varrosin të gjithë”, tregon ai. Kurse Xhemajl Ahemtaj tregon se ai natën e 13 majit ishte në Lubjanë, dhe po atë natë nuk ka mundur assesi të bëjë gjumë. “Kam parë ëndrra, e kam parë djalin e vëllait tërë natën në ëndërr. E shihja nënën time. Dhe, në mëngjes u tregova familjarëve, por derisa fillova të tregoja, bota kishte kuptuar se në Korishë ishin vrarë 41 anëtarë të familjes sonë. Këtu më pushuan tanimë ëndërrimet që i kisha ende të freskëta dhe besoni e dija saktë se ata ishin vrarë” rrëfen Xhemajl Ahmetaj tmerrin e natës së 15 majit, të cilit pos lotëve pothuajse nuk i kishte mbetur asgjë .

(Kosova Sot)

Më Shumë

Mjeku lejoi një gjinekologe private të kryejë një lindje në Spitalin e Prizrenit, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tij dhe gjinekologes

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.S., dhe T.D., për shkak të dyshimit të bazuar...

Modernizohet shërbimi higjienik për personelin shëndetësor në Prizren

Në Prizren është inauguruar sot renovimi i shërbimit higjienik për punëtorët e shërbimit primar shëndetësor. Ky projekt përfshin instalimin e pajisjeve moderne, përfshirë larëse...

Lajmet e Fundit