14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin për arsim më të mirë

Buja-LinditaNikollaMinistri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takim ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Ministri Buja shprehu kënaqësinë për takimin e parë me homologen e tij nga Shqipëria, e cila sapo ka marrë detyrën. “Gjithçka që biseduam me ministren, ishte në vazhdën e asaj që ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin tonë. Ju e dini që kemi bërë hapa në bashkëpunim me Shqipërinë dhe me Ministrinë e Arsimit në veçanti. Kemi bërë Abetaren e përbashkët, por kemi punuar edhe në aspekte të tjera. Ne u dakorduam që të ecim seriozisht në ata binarë që kemi vendosur”, theksoi ministri Buja, ndërsa shprehu besimin e tij se do të intensifikohet puna në unifikimin e kurrikulave të përbashkëta.

“Kjo do të na shpjerë drejt rezultateve të përbashkëta duke mos pasur nevojë që të kemi libra të ndryshëm andej e këndej, por ta realizojmë atë që është më e mira”, tha ai.

Gjithsesi, theksoi ministri Buja, ne kemi punë dhe u dakorduam të ecim më tutje me bashkëpunime edhe në nivelet tjera universitare, shkencore dhe hulumtuese dhe kjo do të na favorizojë të dy palët, sepse kështu rezultatet do të jenë më të mira.

“Besoj që për të gjitha që u dakorduam, do të bëjmë materializimin e tyre, sepse siç u tha edhe në konferencën e përbashkët të dy kryeministrave, ne do të kemi mbledhje të përbashkëta qeveritare çdo 6 muaj dhe do të marrim detyrat, e do të raportojmë për detyrat që i kemi kryer”, tha ministri Buja.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se ka pasur kënaqësinë që të njihet me të gjitha projektet që janë menaxhuar nga MAShT, duke arritur një standard të ri të arsimit dhe menaxhimit të arsimit në Kosovë.

“U ndjeva shumë mirë në takimin me ministrin Buja, me të cilin vendosëm piketat e gjithë bashkëpunimit të ditëve të ardhshme. Realisht mendoj se kemi arritur një hap të ri duke vendosur që të ndërtojmë bashkërisht dhe të ecim bashkërisht në ndërtimin dhe sendërtimin e procesve të qëndrueshme që lidhen me edukimin e të ardhmes së fëmijëve tanë, në ndërtimin e procesve që kanë të bëjnë me unifikimin e standardeve të arrritjes, me unifikimin e teksteve, unifikimin e cikleve të shkollimit në arsimin e detyruar dhe në arsimin e mesëm”, theksoi ajo.

Ministrja Nikolla theksoi se gjatë takimit me ministrin Buja janë diskutuar edhe ide që do të institucionalizohen në ditët në vijim, falë bashkëpunimit dhe dëshirës maksimale të dy ministrive, “në mënyrë që ne të hedhim një hap të ri edhe në fushën e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë dhe realisht ato të kthehen në pararoja dhe shtysa të rëndësishme të zhvillimeve të rajoneve tona, njëherësh edhe në sfidën e madhe – atë të integrimit evropian”.

Ministrja Nikolla po qëndron në në vendin tonë në kuadër të vizitës që po i bën Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anëtarët e kabinetit të tij./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që...

Bashkimi i shkon Trepçës, dy rivalët e vjetër pritet të sjellin basketboll cilësor

Sot zhvillohen dy përballje interesante në Superligën e Basketbollit kosovar. Ndeshjet janë të vlefshme për javën e 27-të të PrinceCaffe Superligës. Dita nis me derbin mes...

Lajmet e Fundit