Derisa Kuvendi i Kosovës po përgatitet për nxjerrjen në votim të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përkundër rrezikut real të dështimit të sigurimit të votave të mjaftueshme, analistët politikë theksojnë se me mosvotimin eventual të Demarkacionit vendi mund të shkojë shpejt në zgjedhje të reja, madje jo më larg se në vjeshtën e këtij viti. Këtë mundësi e ka bërë të qartë hapur edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, derisa analistët konsiderojnë se tani edhe vetë partitë politike, pozita dhe opozita, janë mobilizuar që më së largu deri në shtator të këtij viti të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këtë opsion e bën akoma më real edhe vetë hendeku i krijuar që po thellohet ndërmjet partnerëve të koalicionit LDK-PDK.
Prof. Muhamet Kelmendi është shumë i bindur që pikërisht kjo qeveri ia ka bërë gropën vetvetes me marrëveshjen për Demarkacion dhe asaj për Asociacion, prandaj tani është shumë e pritshme që me dështimin e sigurimit të votave për Demarkacionin të prishet Qeveria dhe të dështojë edhe Asociacioni, e që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme së bashku me zgjedhjet lokale.
“Po theksoj se koalicioni PDK-LDK është koalicioni më i panatyrshëm deri më tani në historinë e re të Kosovës, sepse janë bashkuar dy subjekte diametralisht të kundërta. Tani kemi me dhjetëra e dhjetëra fakte që flasin se për pasojë të këtyre dështimeve duhet domosdo të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, theksoi ai. Mt: Koalicioni dështoi Sipas Kelmendit, koalicioni qeveritar ka dështuar në shumë fusha, për të mos thënë një dështim total.
“Demarkacioni dhe Asociacioni janë vetëm dy çështjet më domethënëse në kuadër të shumë çështjeve tjera, të cilat e sfidojnë dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë e këtij koalicioni. Por, natyrisht se për ta prishur atë në një fushë të caktuar si të veçantë merret shkaku dhe bie Qeveria. Këtë e kanë zgjedhur dy partitë në pushtet, e ky pikërisht duket se është Demarkacioni, si bazë të presionit që po e ushtrojnë mbi deputetët për ta votuar një marrëveshje totalisht antishtetërore, vetëm e vetëm për t’i ruajtur disa interesa tipike individuale të karakterit karrierist dhe të pasurisë që e kanë fituar joligjërisht”, potencoi më tej prof. Kelmendi. Sipas tij, deputetët janë të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën është populli. “Ata nuk do të votojnë për Demarkacionin, sepse deputetët nuk mund dhe nuk duhet të shkojnë nga ajo rrugë, që për interesa të të ardhurave materiale për disa muaj më shumë ta dëmtojnë interesin nacional, duke e dëmtuar për 82 km katrorë territorin e shtetit të Kosovës”, tha Muhamet Kelmendi. Ai ka pohuar se Qeveria po bën presion aq të madh për Demarkacion, saqë ata kanë shkuar deri atje që asnjë punë konkrete nuk po e bëjnë edhe në lirimin e Ramush Haradinajt mu për faktin se Demarkacioni është çështje e lidhur ngushtë me këtë personalitet të shquar të Kosovës.
Veseli po nxit krizë Analisti politik Florim Zeqa konsideron se me apo pa vota të mjaftueshme për Demarkacionin zgjedhjet do të ndodhin së shpejti, pasi që vetë atmosfera e mosbesimit dhe e krizës brenda koalicionit po i imponon ato.”Pavarësisht votimit apo dështimit të Demarkacionit, vendi është duke shkuar pashmangshëm drejt zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Demarkacioni apo “Zajednica” mund të përdoren vetëm si alibi për përshpejtimin e zgjedhjeve. Në anën tjetër hendeku mes partnerëve të koalicionit të panatyrshëm (PDKLDK) është duke u thelluar nga dita në ditë”, u shpreh ai.
“Kryeparlamentari Veseli, njëherësh lider i PDK-së, javën që lamë pas e paralajmëroi në forumet partiake kandidaturën e tij për kryeministër të ardhshëm të vendit, duke e kritikuar qeverisjen aktuale të vendit, apo thënë ndryshe e paralajmëroi ‘Zanzibarin 2’ për LDK-në”, u shpreh analisti Florim Zeqa. “Kadri Veseli, që njërën këmbë e mban në pushtet dhe tjetrën në opozitë, siç duket i ka motivuar partitë opozitare për mobilizim dhe përgatitje serioze për zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të ndodhin shumë shpejt apo së largu në shtatorin e këtij viti”, vijoi më tutje ai. Sipas Zeqës shkuarja e vendit në zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe pa një alternativë të re politike nuk pritet të prodhojë gjë tjetër pozitive për qytetarët, përveç ndërrimit të partnerëve të koalicionit qeverisës, vazhdimit të “status-quos” së korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.