3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Kosova po e siguron bukën

BlerandStavileci-mbpzhrKomuna e Graçanicës, Gjilanit, Kllokotit dhe Vitisë sivjet njihen si rekordmene sa i përket prodhimit të grurit. Me këtë kulturë bujqësore, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci thotë se Kosova nga viti në vit po i mbulon gjithnjë e më shumë nevojat konsumuese. Sivjet, sipas tij Kosova me grurë mbulon 80 për qind të konsumit të përgjithshëm në vend. Stavileci tregon se bujqësia zë vend meritor në priorioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe me përkrahjen që i është dhënë këtij sektori edhe qytetarët po e shohin bujqësinë me potencial të madh zhvillimor. Përveç përkrahjes direkte financiare, edhe krijimi i fondit garantues bashkë me USAID-in dhe programi 10 vjeçar për lehtësimin e qasjes në kredi bujqësore, sipas tij ka ndikuar krijimin e kushteve më të mira për t’u marrë me agrobiznes.

Tribuna: A ka përfunduar ende fushata e korrje-shirjeve?
Stavileci: Po, fushata e korrje-shirjeve tashmë ka përfunduar në tërë komunat, pos Dragashit dhe Shtërpcës që kanë qenë duke i korrur edhe arat e fundit, por edhe në këto komuna tash dihen sipërfaqet dhe rendimenti mesatar dhe së shpejti komisioni qendror për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve do ta përpilojë dhe publikojë edhe raportin përfundimtar për fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve të drithërave të bardha.

Tribuna: Sa është rendimenti mesatar i grurit?
Stavileci: Rendimenti mesatar i arritur është pak më i lartë se vitin e kaluar dhe sipas të dhënave të 34 komisioneve komunale për monitorim, ai sivjet sillet në rreth 4.3 ton për hektarë. Vitin e kaluar ka qenë në rreth 4.1 ton për hektarë.

Tribuna: Në cilat rajone rendimenti ka qenë më i lartë dhe në cilat më i ulët?
Stavileci: Rajoni i Anamoravës sivjet ka pasur rendimente më të mira, konkretisht komuna e Graçanicës, Gjilanit, Kllokotit dhe Vitisë. Ndërsa, rendimenti më i ulët ka qenë në komunën e Malishevës, Dragashit dhe Drenasit.
Tribuna: Sa është totali i grurit që do të korret në arat e Kosovës dhe sa ka qenë kjo vitin e kaluar?

Stavileci: Sipërfaqe të tërësishme të grurit që kanë arritur të korren, sipas komisioneve dhe të dhënave të kombajnerëve, në vitin 2013 janë 83450 hektarë me grurë dhe nëse këtë e shumëzojmë me rendimentin mesatar, që sipas raporteve të 34 komunave del të jetë 4362 kilogramë, atëherë në këtë vit kemi grumbulluar rreth 364 mijë ton grurë. Ndërsa, në vitin e kaluar, po ashtu sipas raporteve të 34 komunave, kanë arritur të korren 81151 hektarë me grurë dhe shumëzuar me rendimentin mesatar të vitit të kaluar, pra me 4055 kilogram sa ishte, kemi grumbulluar rreth 329 mijë ton. U lëshuam në matematikë pak, por konsideroj se ishte e nevojshme, meqë për grurin flitet me matematikë dhe jo me retorikë politike.

Tribuna: Sa për qind të bukës Kosova do të mund ta mbulojë me grurin vendës?
Stavileci: Tash përsëri më duhet të flas me matematikë, sepse kështu mund ta ketë më të qartë edhe opinioni dhe të mos bie pre e gjuhës politike dhe kontestimeve kuturimthi. Nevojat konsumuese për kokë banori në vit, sipas FAO-s, janë 205 kilogram grurë dhe nëse këtë e shumëzojmë me 2 milionë banorë, sepse për shkak që regjistrimi i popullsisë nuk është bërë ende në pjesën veriore të Mitrovicës ne vazhdojmë ta kalkulojmë në këtë mënyrë, del se nevojat e përgjithshme konsumuese sillen në rreth 410 mijë ton. Me këtë sasi të grurit të grumbulluar dhe mbi këtë standard, duke marrë për bazë edhe marzhën e gabimit për shkak se dihet problemi ynë i përgjithshëm me statistikat dhe me sistemin e grumbullimit të këtyre të dhënave, atëherë vlerësojmë se me prodhimtarinë e brendshme mund t’i mbulojmë rreth 80 për qind të nevojave të përgjithshme konsumuese.

Tribuna: Ku i bazoni të dhënat e mbulueshmërisë së tregut nga gruri vendor?
Stavileci: Përpos burimeve që ju referova deri më tash, pra standardit mbi nevojat konsumuese për kokë banori të FAO-s, të dhënave që na vijnë nga komisionet komunale për monitorim të fushatës së korrje-shirjeve, të cilat hartohen bashkërisht me autokombajnerët lidhur me sasinë e sipërfaqeve të grurit që korrin dhe rendimentit që arrihet, të cilat janë të nevojshme për kalkulimin e mbulueshmërisë, bazohemi edhe në të dhënat e doganave dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për bilancin e furnizimit, në këtë rast për import-eksportin e grurit dhe miellit. Nëse reflektojmë mbi këto të dhëna, ne shohim se kemi rreth 12 milionë euro ulje të importit të grurit në vitin e kaluar. Ndërkaq, nëse e shikojmë gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ne kemi një trend të uljes së importit shumë të madh, sepse deri më 1 korrik janë importuar vetëm 13 mijë ton grurë, në vlerë prej rreth 3 milionë euro. Pra, nëse bëjmë një lidhje logjike tash, derisa nevojat konsumuese për grurë sillen në rreth 410 mijë ton dhe importi i grurit në vitin e kaluar ka qenë rreth 100 mijë ton, atëherë logjikisht kuptohet që rreth 300 mijë ton i plotësojmë prej prodhimtarisë se brendshme, sepse importi mesatar i miellit sillet në rreth 38 mijë, ndërsa eksporti në rreth 27 mijë ton. Pra, duhet të kemi një qasje analitike për ta kuptuar dhe jo qasje politike, sepse e thash edhe më herët, me matematikë duhet të flitet për grurin, jo me retorikë politike.

Tribuna: Sa janë duke u ndihmuar fermerët për rritjen e prodhimit vendor, kur dihet se Kosova masën më të madhe të produkteve bazike e importon?
Stavileci: Prodhimtaria bujqësore është sezonale dhe vlerësohet se në pikun sezonal, kur edhe kërkesa për produkte bujqësore është shumë e madhe, me shumicën e prodhimtarisë primare bujqësore përmbushim në masë të madhe nevojat e brendshme konsumuese. Por, ndryshe qëndron gjendja në industrinë përpunuese dhe shumica e produkteve të importuara janë kryesisht produkte të përpunuara me origjinë bujqësore. Gjithashtu, në shkallë prej mbi 30 për qind të vlerës së importit për sa i përket kategorisë së produkteve që klasifikohen si bujqësore merr pjesë edhe duhani, kafja dhe alkooli, si produkte me origjinë bujqësore, të cilat në masë të madhe thellojnë diferencën e bilancit tregtar. Por, natyrisht që Kosova ka udhëhequr edhe me politika shumë liberale të tregtisë dhe prodhuesit tanë, në fazën kur ka munguar përkrahja e drejtpërdrejtë për sektorin, janë ballafaquar me një konkurrencë shumë të ashpër, duke qenë në pozitë të pabarabartë me produktet e importuara, që kanë qenë shumëfish të subvencionuara. Kjo natyrisht që ende reflektohet në bilancin tregtar në të cilin ju aludoni. Pra, kjo është origjina e problemit, i cili po na përcjellë ende, por që shifrat kanë filluar të ndryshojnë gradualisht në favor të prodhimit vendorë, sepse tash edhe prodhuesi ynë gëzon përkrahje institucionale. Ne prej vitit në vit kemi rritur, madje edhe dyfishuar përkrahjen e drejtpërdrejtë financiare për fermerët. Por, për dallim nga shumë vende të BE-së, që tashmë kanë përfunduar fazën e investimeve dhe farmingu i tyre përkrahet vetëm nga fondet e BE-së, ne tash kemi filluar fazën e investimeve dhe për shkak të procesit të integrimeve, ende nuk kemi mundur të përfitojmë përkrahje financiare nga fondet strukturore të BE-së, por prej 2014 do të përfitojmë edhe ne dhe në masë më të madhe do të rritet edhe përkrahja financiare për fermerët tanë.
Tribuna: A është funksionalizuar garancioni kreditor, përmes së cilit fermerët do të kenë mundësi të marrin kredi me kushte më të volitshme?
Stavileci: Po, fondi garantues që kemi krijuar bashkë me USAID-in dhe programi 10 vjeçar për lehtësimin e qasjes në kredi bujqësore është funksionalizuar. Ky është viti i parë i implementimit të këtij programi, i cili po monitorohet nga USAID-i dhe deri më tani ne kemi vetëm një raport preliminar për këtë vit, sepse raportin e parë nga ekspertët amerikan që e kanë negociuar me bankat këtë fond garantues, do ta kemi në muajin tetor. Si institucion kemi kontribuar me 2.5 milionë euro në krijimin e këtij fondi garantues, ndërsa totali i kredive të reja që garantohen në shkallë prej 50 % është 20.1 milionë euro, derisa shuma minimale e kredive të synuara është 5 mijë, kurse maksimalja 250 mije euro, sepse këto konsiderohen si kategori të kredive që më së shumti kanë për destinim investimet në prodhim. Bankat tash kanë filluar të ndryshojnë qasjen gjatë këtij viti dhe disa prej tyre kanë plasuar produkte të reja më të favorshme për fermerët dhe kanë krijuar kushte më të mira për kreditimin nga 5,000-250,000 euro të fermerëve. Mirëpo pritshmëritë tona janë shumë më të mëdha dhe presim që në periudhën e ardhshme të krijojnë edhe lehtësira shtesë. Gjithsesi, ne pasi ta kemi raportin e ekspertëve dhe raportin e BQK-së për vitin 2013, do ta shqyrtojmë gjendjen e re të krijuar me të gjitha palët e përfshira dhe do të mundohemi që t’i përshpejtojmë proceset që fermerët të kenë mundësi të përfitojnë kredi edhe më të favorshme.

Ky raport preliminar ka qenë vetëm për tremujorin e parë të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe janë disbursuar rreth 4 milionë dollarë kredi bujqësore nga ky program dhe në përjashtim të njërës prej bankave, tek pesë bankat e tjera, klientët që kanë kërkuar kredi prej 5,000-250,000 euro për investime në prodhimtarinë bujqësore, janë trajtuar si klientë të veçantë. Normat e interesit, sipas të dhënave preliminare që ka sjellë USAID-i, kanë filluar të ulen mesatarisht për 3% nga ato standarde. Por, kemi përmirësime edhe sa i përket kolateralit, sepse siç dihet, sipas procedurave të bankës, peng për kredi kërkohet vetëm për kreditë në mbi 25,000 euro, ndërsa për kategorinë e klientëve që janë pjesë e programit garantues, shumica e bankave kanë mundësuar që të kërkohet peng në kredi bujqësore në mbi 50,000 euro. Ne sapo ta kemi raportin zyrtar, do ta krahasojmë atë me raportin vjetor të BQK-së dhe do ta trajtojmë përsëri këtë çështje me të gjitha palët e interesit.

Tribuna: Me sa banka keni marrëveshje për këtë fond?
Stavileci: Marrëveshja është nënshkruar me gjashtë banka, sepse nuk i përmenda më herët, konkretisht me Procredit Bank, Raiffeisen Bank, TEB, NLB Prishtina, Bankën Ekonomike të Kosovës dhe Bankën Kombëtare Tregtare për implementimin e këtij programi në periudhë 10 vjeçare.

Tribuna: Sa do të bie norma e interesit për kreditë bujqësore me funksionalizimin fondit garantues?
Stavileci: Dihet që bankat funksionojnë me kapital privat dhe ne nuk mund të kemi ndikim të drejtpërdrejtë në përcaktimin e normave, por sektori do të trajtohet njëjtë sikurse sektorët e tjerë dhe me vet faktin që programi është 10 vjeçar, kuptohet që do të ketë ndryshime nga viti në vit.

Më Shumë

Lajmet e Fundit