30 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Krahu i luftës drejt Qeverisë, nën presionin e Speciales

Heqja e të gjitha pengesave të deritanishme, që kishte fillimi i veprimit të punës së Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës, që u vonua për më shumë se dy vjet, dhe nisja e punës së saj tani, krahas procesit të ndërtimit të institucioneve të reja, sipas analistëve politikë, mund të jetë një patate e nxehtë që do të djegë edhe Qeverinë e re të Kosovës, nga kushdo që formohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Kjo për faktin se arrestimet e figurave me ndikim në politikë mund të jenë një tërmet që edhe mund ta shembë shumë shpejt ekzekutivin e ri, eventualisht të dominuar nga krahu i luftës.

Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se do të jetë një situatë pak a shumë kritike dhe me shumë probleme për rendin dhe ligjin kur dihet se këta njerëz, që mund të përndiqen dhe të merren nga kjo gjykatë, kanë fuqi edhe politike edhe ekonomike në Kosovë, prandaj është e vështirë dhe mund të ketë një rezistencë në variante të tjera, jo të drejtpërdrejta me këtë gjykatë.

“Kjo tashmë po dihet dhe kjo është ideja që me ngërçe politike e institucionale të blihet kohë, duke sjellë jo siguri dhe jo stabilitet. Pra, me vonimin e bërjes së institucioneve ose me ngërç dhe provokim eventual të zgjedhjeve të reja në fund, mund të blihet shumë kohë, sepse kështu problemi mbetet i atillë, se nuk e di se kush do të merret krejt nga kjo gjykatë. Pra, këtu është problemi”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Fuqinë e këtij institucioni të drejtësisë ndërkombëtare ai e sheh të madhe, pasi që do të përfshijë kompetenca veprimi për periudhën e kohës së paraluftës dhe pasluftës. “Kjo situatë ka frikësuar në masë të madhe liderët e luftës”, theksoi ai.

Stabiliteti dhe imazhi në rrezik

Politologu Gurakuq Kuqi vlerëson se krijimi i Gjykatës Speciale fillimisht është një gabim i madh dhe tani mund t’i sjellë Kosovës dëme të konsiderueshme sa i përket imazhit të Kosovës. Mirëpo, ai thotë se tani dëmi akoma më i madh do të jetë edhe në zhvillimet e brendshme. Ai shpë- timin nga tronditja e qeverisë e sheh vetëm në zgjedhjen e Haradinajt në pozitën e kryeministrit, pasi që ai është gjykuar dhe shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare dy herë radhazi dhe tani nga spektri i figurave të luftës nuk pritet të jetë objekt i Gjykatës Speciale. Mirëpo, Qeveria do rrezikohet nëse pas dy vjetësh ndërron mandat kjo Gjykatë Speciale, duke zgjeruar kompetencat e veprimit.

“Kur flasim për ndikimin e brendshëm, përderisa nuk kemi emra se kush janë të akuzuarit, gjithçka tjetër mund të jetë spekulative. Por, duke pasur parasysh qëllimin e krijimit të kësaj gjykate dhe ato qëllime duke i krahasuar se kë mund të prekë potencialisht, mund të nxjerrim një konkluzion që do ta dridh skenën politike në vend. Më së shumti njerëz mund të jenë të atakuar nga radhët e PDK-së, por jo edhe ata të cilët tashmë janë gjykuar nga Gjykata për Krime Lufte në ishJugosllavi, të paktën kështu është marrëveshja”, u shpreh ai.

“Qeveria e re, me kryeministër potencialisht Ramush Haradinajn, nuk e prek këtë të fundit, por njerëzit nga radhët e PDK-së, qofshin ata në qeveri apo Kuvend. Ka mundësi që të marrë edhe ata të cilët janë duke u gjykuar apo janë gjykuar në Kosovë. Kjo gjykatë më shumë mund të gjejë veten nëse do të merrej me rastet pas përfundimit të luftës së fundit dhe potencialisht nëse edhe qëllimi i saj ndryshon pas një apo dy viteve ku do të gjykojë edhe krimet ekonomike. E nëse ndodh kjo, atëherë mund të kemi një dridhje të vërtetë të skenës politike pasi dy pikat e përmendura potencialisht i prekin të gjitha partitë politike. E kështu do ta fundoste edhe qeverinë e re dhe klasën politike”, tha politologu Gurakuqi për “Kosova Sot”.

E vërteta e gjykimeve

Analisti Jeton Kelmendi, duke ndërlidhur formimin e Qeverisë së re të vendit dhe paraprakisht fillimin e veprimit të Gjykatës Speciale, thotë se është fakt që tani Gjykata Speciale është duke ua futur frikën në palcë disa figurave politike kosovare, të cilët po presin arrestimet e tyre, edhe pse ai nuk pret ndonjë zhvillim të madh veç një teatri tronditës të përkohshëm të skenës politike. “Në fakt nuk pres shumë nga kjo gjykatë dhe nuk besoj se do të ketë dënime të figurave të larta, por e gjithë kjo më tepër është një mënyrë e largimit nga politika të disa politikanëve që tash e dy dekada po e keqpërdorin fuqinë e tyre dhe po keqpërdorin pushtetin. Prandaj, edhe u bënë bashkë të gjithë ata që kanë keqpërdorur dhe kanë abuzuar me paranë publike dhe kjo vetëm për ta mbajtur pushtetin edhe ndonjë ditë më tej. Me humbjen e pushtetit do të humbin edhe të mirat që ia kanë marrë këtij vendi, prandaj, edhe pse ishte shumë e dhimbshme pozita e kryeministrit Kadri Veseli, ai ia “dhuroi” Ramush Haradinajt këtë gjë kaq të mirë”, tha Kelmendi për ‘Kosova Sot’.

Sipas tij, nëse kjo gjykatë do të merret fillimisht me disa figura jo të rëndë- sishme, gjasat që Qeveria të mbijetojë në mandat të plotë janë reale.”Realisht nuk pres asgjë nga kjo temë: Qeveria do të përballojë këtë tërmet politik pa asnjë problem, pra cilado qeveri që do të bëhet, sepse ky është obligim ndërkombëtar i pranuar nga vetë ata që mund të gjykohen, pra që nga më i madhi deri te më i vogli”, theksoi ai. Kelmendi konsideron se ka qenë edhe mesazhi i Xhejms Rubin-it se komandantët e kishin tepruar me politikë që nuk ishte lexuar nga këta politikanë, prandaj tani e kemi Gjykatën Speciale, e cila është fshesë dhe do t’i nxjerrë jashtë politikës figurat e inkriminuara në korrupsion dhe krim, “por jo se kanë bërë krime ndaj serbëve, por ndaj ekonomisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës”.

Ditë të vështira për qeverinë e re

Analisti politik, Arsim Haziri, thotë se është fare pak e imagjinueshme që vendi të mos tronditet dhe qeveria të mbijetojë nga një tërmet i madh pas fillimit të arrestimeve nga Specialja. Ai konsideron se ndërrimi i Qeverisë duhet të jetë i atillë saqë të jetë gati edhe për menaxhim të situatës deri në pastrimin gjeneral të skenës politike dhe institucionet nga të gjithë të dyshuarit dhe inkriminuarit.”Nëse eventualisht Gjykata Speciale fillon aktivitetin e saj, siç edhe po flitet, sigurisht se për skenën politike në Kosovë do të jetë një tronditje e madhe, sidomos për ata çka ka bazë faktike për të ngritur aktakuza për krime, e keqpërdorime. Përshpejtimi i veprimtarisë së Gjykatës Speciale, konsideroj se do kishte edhe efekte, mbase do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në evitimin e thellimit të ndonjë krize institucionale, rrjedhimisht duke parandaluar ndonjë skenar siç ishte ai i vitit 2014″, ka potencuar ai.

“Fuqizimi i veprimtarisë së kësaj gjykatë mbart në vete edhe efekte çliruese, që krijon hapësirë të mjaftueshme për konstituimin e organeve shtetërore prej atyre çka përmbajnë histori të pastër politike, si dhe nivel të lartë të integritetit moral e profesional. Kosova realisht është nën zaptimin e posteve kyçe, poste të cilat shihet në domosdoshmëri për t’u udhëhequr prej garniturës së deritanishme udhëheqëse. Mbi këto premisa vendi nuk mund të përcillet e shoqërohet me avancim të përgjithshëm shoqëror”, u shpreh Haziri për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Samir Hoxha: Pasioni i të rinjve për trashëgiminë kulturore është frymëzues

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka vizituar  punëtoritë që po zhvillohen në Muzeun Arkeologjik dhe Muzeun e Lidhjes...

Sulmuesi Vigan Badalli rinovon me Prizrenin

FC Prizreni ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me sulmuesin prizrenas Vigan Badalli, i cili do të jetë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e...

Lajmet e Fundit