13.8 C
Prizren
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Kriminologjia dhe letërsia ruse e Fjodor Dostojevskit

Romani “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve” zuri vend të veçantë, jo vetëm në letërsinë ruse por edhe në kriminologji

Realizim fantastik i Fjodor Dostojevskit

Ç’gjë mund të jetë për mua më fantastike se realiteti?

Dostojevski

Romani “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve”, kjo dëshmi e Dostojevskit mbi Katorgan* (paraqitur në vetën e parë dhe në këndvështrimin e një të burgosuri jo politik dhe që i përket shtresës së inteligjencës) është një dokument i pashoq, jo vetëm për arsye të mosrezervimit të tij, por edhe për dritën që u hodhi shpirtrave e karaktereve të kriminelëve. Duhet të kishin kaluar gjashtë vjet qysh kur Dostojevski kishte shpëtuar nga Katorga. Kjo periudhë kohe mjaftoi që gjërat më kryesore t’i nxirrte në një dritë më të zbuluar, kështu që për ndjenjën e urrejtjes dhe mëshirën vetjake mbeti pak vend. Riprodhimi i atmosferës së përgjithshme të kolonisë ndëshkimore që jep Dostojevski, ashtu dhe ai i portreteve të banorëve të saj, janë aq të efektshme sa ç’është pa pasion dhe i qetë tregimtari. Megjithëse ai pati pak kontakt me këta keqbërës, vazhdimisht i vrojtonte dhe i analizonte.

Se çfarë tablosh depërtuese jep ai me shfaqjet e ndryshme të jetës Katorga, mjafton vetëm skena e banjës ku ishin rrasur kriminelët!

Pa veni para jush një dhomë, dymbëdhjetë këmbë të gjatë dhe po aq të gjerë, ku janë ngjeshur njëqind burra, ose të paktën tetëdhjetë – të gjithë ne ishim dyqind – të ndarë në dy grupe. Avulli vërshonte. Djersa, ndyrësia, ngushtësia, ishin të tilla sa ne nuk dinim ta vinim asnjërën këmbë në tokë. Me mundim arritëm sa për t’u ngjitur nëpër banka duke kaluar sipër kokave të të tjerëve që ishin ulur në dysheme, të cilët i lusnim që t’i ulnin kokat për të kaluar ne; por të gjitha bankat ishin të zëna. Në dysheme nuk kish më asnjë pëllëmbë vend që të mos ishte mbushur me të burgosur. Ata rrinin në këmbë, me kova ndër duar, duke hedhur me hope ujin e ndyrë që rridhte nga trupat e tyre mbi kokat e qethura të atyre që rrinin në dysheme… A

vulli në çdo minutë bëhej gjithnjë si ai ziftit. Ulërima dhe bërtima e të burgosurve shoqërohej nga muzika e rrapëllimës së qindra zinxhirëve që zvarriteshin në dysheme. Aty dëgjohej një rrëke të sharash në se ndonjëri plekste zinxhirët me tjetrin e, duke rënë përdhe gërricej me kokat e qethura dhe trupat e kuq të cilëve avulli u kish dhënë ngjyrën e gjakut; në këtë rast sidomos aq keq sa s’ka më.

Në trupat e skuqur si gaforret, avulli nxirrte në pah gjurmët e nxira të kamxhikut dhe purtekave, të shkaktuara shumë kohë para se të vinin poshtë; e kjo me aq forcë, sa dukej sikur kish ndodhur në ato çaste. Nxirje të çuditshme. Përsëri filloi avulli e tani, dhoma e banjës u mbush me një re të dendur përvëluese si dhe me një lëvizje të rrëmbyeshme sendesh e britmash.

Krejt tjetër ishte përshkrimi i Dostojevskit për shfaqjet teatrale që të burgosurit (me zinxhirë ndër këmbë) zhvillonin me rastin e Krishtlindjeve. Është një dëshmi e mrekullueshme fakti që edhe tipat më të poshtër e më të degjeneruar moralisht, -të paktën herë pas here – shndërroheshin në njerëz të mirë nën efektin e artit, shtytja e të cilit krijonte një lirim shpirtëror dhe në këtë mënyrë ata e shijonin atë si njerëzit e lirë. Ato më të mira që fshiheshin tek ata, shpërthenin spontanisht në këto orë në të cilat ata duhet të harronin që ishin përzënë nga shoqëria njerëzore. Edhe sasia e talenteve të natyrshëm dhe e entuziazmit që Dostojevski zbuloi te këngëtarët apo interpretuesit e këtyre shfaqjeve, e prekën atë thellë. Në mënyrë paradoksale, Dostojevski, ky bir qyteti, erdhi në Katorga në kontakt të drejtëpërdrejtë me popullin rus. Si skeptik që ish ndaj karakterit njerëzor, ai ngutej me dëshirën për të besuar mënyrën “ruse” pasi, duke gjetur të dhëna në tiparet e kriminelëve, ai ndjeu atë. E në të vërtetë, ashtu siç shihet, besimi i Dostojevskit në popullin rus lindi pikërisht në këtë vend, edhe pse kjo ish një koloni ndëshkimore. Pa hiqja njëherë atij populli shallin e ashpër – në qoftë se nuk ke ndonjë paragjykim – menjëherë do të shohësh së afërmi vlera që ti nuk mund t’i marrësh me mend. Filozofët tanë e njohin pak popullin tonë. Madje do t’u thoshja vetëm kaq: “shkollën mund ta bëni te ai”.

Të këtij mendimi kanë qenë një numër i madh individësh të shquar me veti të mira natyrore, të cilat duke dashur si gjithmonë të shohin në të kaluarën e tyre, janë zbuluar nën këta njerëz të liq. Përfundimi i tyre ish që, çdo krimineli, qoftë më i talentuari apo me karakterin më të fortë, që forcën e tij nuk e ushtroi kurrë me drejtësi, i është dashur të bjerë në rrugë të gabuar. Sepse fuqia e madhe, së cilës i mungon masa e veprimit, është gjithnjë në rrezik të kthehet kundër vetvetes dhe merr një drejtim negativ dhe shkatërrues.

Sa rini e trishtuar, sa forca të pashfrytëzuara u mbyllën dhe humbën brenda atyre mureve! Rini dhe forca, që mund të ishin aq të dobishme për botën. Unë mund ta shpreh kështu mendimin tim: Djelmoshat e pafat këtu, ndoshta qenë më të fuqishmit dhe, nga një pikëpamje apo një tjetër, më të talentuarit e popullit tonë. Këtu shkoi kot gjithë fuqia e trupit dhe e shpirtit. Gabimi i kujt qe ky?

Niçe (i cili pat thënë që Dostojevski ishte rasti më fatlum në jetën e tij nga i cili mësoi diçka në psikologji), një vit më vonë, në “Perëndim i idhujve”, thoshte: “Tipi i kriminelit që është tipi më i fortë nën kushte të papërshtatshme, një njeri i bërë i fortë nga sëmundja… Për këtë çështje është e rëndësishme dëshmia e Dostojevskit, ky njeri i thellë që jetoi gjatë në karrierën e punës së detyruar e nuk gjente atë që priste tek të burgosurit e galerisë, të cilët nuk kishin më kthim në jetën e lirë shoqërore, ishin si drunjtë e fortë e të vlefshëm, të gdhendur, të rritur në tokën ruse.”

Shkurt kjo vepër zuri vend të veçantë, jo vetëm në letërsinë ruse por edhe në kriminologji. Nuk ishte i rastit fakti që Dostojevski tregoi interesim të veçantë për krimin në më të shumtit e romaneve që vazhduan, dhe këtë e shprehu në mënyrë të përsëritur.

Më Shumë

Moti sot: Diell dhe vranësira, temperaturat deri në 9 gradë Celsius

Sot në Kosovë do të mbizotërojë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1...

Latifi takon të rinjtë e Rahovecit, diskuton për të ardhmën e tyre

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar për zhvillimin e një takimi të rëndësishëm dhe të hapur me të rinjtë e komunës,...

Jam po aty

Lajmet e Fundit