11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kryeparlamentari mund të shkojë në Kushtetuese

KuvendiKosoves5-27Regjistrimi i Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili pritet të fillojë sot dhe të përfundojë të premten, nuk ka qenë ndonjëherë temë në skenën politike të vendit.
Është kryer si procedurë e thjeshtë teknike dhe opinioni nuk ka dëgjuar për ekzistimin e formularëve që ata duhet t’i plotësojnë.

Madje, ata nuk janë për publikun, sepse përmbajnë të dhëna personale të deputetëve.
Por, zhvillimet pas zgjedhjeve të 8 qershorit, me Marrëveshjen e Koalicionit Opozitar, sipas së cilës LDK-AAK-Nisma synojnë qeverisjen e vendit, duke e lënë në opozitë partinë fituese, PDK’në, pritet ta sjellin një situatë të re – kur Kuvendi do të mund ta shohë veten të bllokuar qysh në seancën konstituive, më 17 korrik.

Posti i Kryeparlamentarit nuk do të jetë çështje e lehtë për t’u zgjidhur.

Me PDK’në të bindur se ky post i takon asaj, si parti që ka shumicën parlamentare, në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe me Koalicionin Opozitar, këmbëngulës se ka të drejtë ta formojë grupin e përbashkët parlamentar, e rrjedhimisht edhe ta zgjedhë Isa Mustafën Kryeparlamentar, seanca konstituive do të jetë një show i vërtetë.

Nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndonjë zhvillim tjetër politik, ose nuk do të ketë ndonjë kompromis, atëherë Enver Hasani do të ketë sërish punë.

Në rast të bllokimit të Kuvendit, kur asnjëra palë s’do të arrijë të votojë fare për Kryeparlamentarin, si çelës i zgjidhjes së ngërçit mund të vijë sërish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Nëse vendi hyn në krizë institucionale, ajo mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me atë se kujt i takon e drejta për ta propozuar Kryeparlamentarin.
Për ta ndërmarrë këtë hap, Jahjaga mund të mbështetet, përveç në faktin se është përgjegjësi e saj thirrja e mbledhjes konstituive të Kuvendit, edhe në Nenin 84 të Kushtetutës së Kosovës, Pikën 2, ku ndodhet fjalia e famshme: Presidenti i Republikës së Kosovës garanton funksionimin kushtetues të institucioneve.

Tashmë është krijuar edhe precedenti kur në Gjykatën Kushtetuese dërgohen pyetje për sqarim edhe në mungesë të veprimit/vendimit të ndodhur. Një herë ka ndodhur me Qeverinë e Kosovës, kur ka kërkuar interpretim për imunitetin e deputetëve, ndërsa së fundi edhe me Presidenten lidhur me Mandatarin për formimin e Qeverisë.

Në rastin tjetër, kur qoftë PDK, qoftë Koalicioni Opozitar, arrin ta votojë dhe zgjedhë Kryeparlamentarin, sërish çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, me nënshkrimet e 10 ose më shumë deputetëve, për ta interpretuar ligjshmërinë e vendimit./politiko.net/

Më Shumë

Lajmet e Fundit