19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Ku shkojnë avionët e drogës?

Mentor_NazarkoMentor Nazarko

Historia e të ashtuquajturve avionë të vegjël të drogës vazhdon të zërë hapësira të jetës sonë publike dhe institucionale, që mëtojnë të rriten nëpërmjet komisioneve hetimore parlamentare dhe hetimeve prokuroriale. Deklarimi i kreut të SHISH madje u duk sikur i dha më shumë besueshmëri thashethemnajës që zuri fill nga një denoncim i ish-ministrit të Mbrojtjes Imami dhe një pyetje si e pafajshme e ish-ministrit të Brendshëm Noka në një komision të Parlamentit.Në gjithë këtë thashethemnajë që po merr dhe karakteristika filmash të llojit të vet – GoodFather; thotë Berisha, dhe Eskobar ; thotë një media që tallet me të, ka disa elemente që meritojnë vëmendje. Gjetja e këtyre elementeve nga autori është bërë pa rënë në grackën e gurëve që mund të ndiqen nga 100 të mençur, dhe kur hidhen nga të mençur. Në identifikimin e këtyre elementeve nuk të nevojitet kurrfarë përgatitjeje profesionale, as që lidhet me radarët e Shqipërisë që s’kapin dot avionët që fluturojnë nën lartësitë 3000 metra, dhe as përkatësi politike. Ky shkrim niset madje nga premisa që njerëzit e qeverisë, nëse do kishin mundësi, do donin të bënin para me çdo mjet, me tendera, me skafe, pra dhe me avionë të vegjël droge. Megjithatë, këto elementet e vogla e bëjnë tragjikomike gjithë këtë drejtim ajror që ka marrë lufta jonë politike. Ata nisen nga pikëpamja themeltare që ky trafik ka domosdoshmërisht një përmasë ndërkombëtare, pavarësisht referencave kombëtare me të cilën pasurohen akuzat në publik të politikanëve tanë të opozitës. Dhe nëse ka përmasë ndërkombëtare, ku është jehona ndërkombëtare?

Kështu të bie në sy mungesa e ndonjë itinerari të supozuar të avionëve që i shohin të fluturojnë vetëm pak njerëz. Ku shkojnë këta avionë? Logjikisht do duhet të kenë ngarkesë drogash të shtrenjta, dhe jo hashashin e Lazaratit apo të ndonjë zone tjetër made in Albania. Transporti ajror do e rriste tmerrësisht koston e hashashit tonë në tregjet europiane. E shoh pak të vështirë ndërkohë që këta avionë të vegjël të furnizojnë tregjet lokale të përdoruesve shqiptarë, që gjithashtu do duhej të përballonin çmimet e larta për shkak të transportit ajror.

A mund ta imagjinojnë dhe njerëzit e opozitës një avion të vogël që merr hashash në Lazarat sipas telenovelës së një gazetari hero, dhe furnizon tregun shkodran të drogës? Ky është një skenar i pamundur. Përveç kësaj, skenari i furnizimit të tregut vendor me avion është qesharak pse ai duhet të pranojë që kontrolli policor i mjeteve tokësore është aq i fortë sa avioni ngjan më i sigurt. Por dhe kjo hipotezë mban ujë për shkak se duhet supozuar me logjikë të thjeshtë se numri i përdoruesve në qytetet tona nuk e justifikon përdorimin e fluturakëve. Pra i bie që avioni të destinohet për tregun perëndimor dhe për shkak se avionët e vegjël s’mund të bëjnë rrugë të gjata, atëherë vendet më të mundshme janë Greqia dhe Italia. Mirë ne s’kemi radarë që t’i zbulojmë këta avionët që fluturojnë nën 3000 metra, po Greqia dhe Italia s’kanë radarë që të zbulojnë avionë të tillë?

Nuk qenkan alarmuar ata nga shkrimet e guximshme të gazetës së opozitës shqiptare dhe duke i identifikuar ose i rrëzojnë në ajër, ose i kapin në aeroportet e tyre private? Pse nuk reagojnë ata publikisht apo në takime me politikanët tanë? Pse vallë nuk mjaftojnë skafet pas heqjes së moratoriumit, që pranohet gjerësisht se e ka stimuluar transportin detar të drogës duke e shndërruar detin në autostradë droge, por qenkan të domosdoshëm dhe avionët, sado që të vegjël?

Në këtë linjë arsyetimi, ajo që të bie në sy si tregues i mungesës së seriozitetit të kësaj akuze është dhe moskonsiderimi i saj jo vetëm prej autoriteteve politike, por dhe prej mediave. Nuk gjen asnjë artikull në ndonjë media të huaj, madje as ballkanike, përveç ndonjë portali në anglisht ku kanë shkruar gazetarë shqiptarë. Kush e di si funksionojnë mediat, do habitet se si ky lajm që ka zënë kaq shumë vend në mediat tona është injoruar për t’u publikuar as dhe në rubrikën e kurioziteteve të tipit kolumbian në mediat e vendeve fqinje dhe atyre perëndimore. Bëni një kërkim në Google dhe s’gjendet asnjë lajm në një gjuhë të huaj. Si shpjegohet që ky lajm që do trondiste Europën nuk ka zënë asnjë hapësirë, madje as si lajm komik?Atëherë pse e bën opozita këtë fushatë që vetëm do bënte të qeshnin publikun europian? Këtu zbritëm në tokën e akuzave që sipas një teknologjie të vjetër të atij që e drejton opozitën, sajohen në mëngjes në zyra politike; u jepen gazetarëve pasdite me telefon ose ndryshe; në mëngjes publikohen në gazeta; gazetat citohen prej të njëjtave zyra dhe pastaj lajmet mëtohen të shndërrohen në beteja politike serioze, tanimë dhe me Facebook.

Pse teknologjia e vjetër po prodhon lajme kaq fantastike? Për t’iu përgjigjur apo mbajtur në presion veprimin e institucioneve të qeverisë që mund të penalizojnë korrupsionin apo keqbërjet e 8 vjetëve qeverisje të opozitës së sotme? Për të damkosur ndërkombëtarisht këtë qeverisje, diçka që mund të krijonte probleme me marrjen e statusit të kandidatit në BE? Apo për çfarë?Këtu hyjmë në “procedimin e qëllimeve” apo në supozimin e qëllimeve që shtyjnë njerëzit e opozitës, diçka që është e vështirë me mendimin konvencional.

Është terren i vështirë për t’u hulumtuar nga mendimi i zakonshëm. Ky mendim ama, ndërsa fluturoi në ajër, na zbuloi se këtyre akuzave i mungon ai element që do të ishte më fajësuesi: përmasa ndërkombëtare. Kjo mungesë i bën ato vërtet qesharake. Ne e dimë se ata që i sajojnë qeshin në darkë kur shohin lajmet, por në botë askush s’po qesh me kësi akuzash.

Më Shumë

Deponohen dy mijë euro të falsifikuara në Prizren

Në Prizren janë deponuar dy mijë euro të falsifikuara. Policia njofton përmes raportit 24 orësh se rasti është duke u hetuar. “Është raportuar se nga klient...

Mot sot me diell dhe pjesërisht vranët

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të ketë mot me diell dhe pjesërisht vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Lajmet e Fundit