15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Kultura e dialogut

fahri musliuuShkruan: Fahri Musliu

Dialogu është gjeometria e të folurit, shpirti dhe nxitësi i mendimit.

“Kush nuk është i aftë të bisedojë ai nuk është i aftë për zhvillim: të heqësh dorë nga bisedimi me tjetrin, domethënë të heqësh dorë nga vetvetja. Sepse kur e njihni mirë ndonjë tjetër, vetveten e keni begatuar edhe për një jetë.. Cilido qoftë ai tjetri, ai është tjetri i vetes time: kundërthënia ime dhe plotësia ime. Njeriu takohet me njeriun tjetër që në te dhe në vetvete të zgjojë forcat të cilat para këtij takimi nuk kanë qenë të qasshme dhe të njohura. Një njeri, nëse vërtetë vepron në njeriun tjetër bëhet pjesë e fatit të tij. Pa tjetrin nuk mund ta kuptojmë vetveten”. Me vetëkënaqësinë dhe mizantropinë nuk mund të kuptohet asgjë e arsyeshme. Aty nuk ekziston as presupozimi për zhvillimin e debatit”.
……….
Dialogu jo vetëm në shoqërinë kosovare por edhe në të gjitha shoqëritë botërore është ndoshta fjala më e (keq) përdorur dhe atë bile edhe vend e pa vend. Mirëpo në shoqërinë Kosovare dialogu ka përdorim edhe më të madh dhe është i pranishëm kudo: familje, shoqërori, kafehane, shkolla e fakultete, në media, ndeje të ndryshme, rrugë…Por edhe si i tillë thuaja se fare nuk respektohet, sepse kush me kë nuk zhvillon dialog dhe nuk i respekton argumentet e bashkëbiseduesit, por zhvillon monolog, që flet se nuk dihet as domethënia e dialogut as rëndësia e tij për një shoqëri që pretendon të jetë moderne dhe anëtare e shoqërive me civilizim e kulturë të gjatë. Thjesht tek ne, në të gjitha bisedat, kemi kakofoninë e fjalëve e jo dialogun e mirëfilltë për sqarimin e ndonjë problemi apo arritjen e ndonjë zgjidhje, e kjo flet se na mungon kultura e dialogut, e cila fatkeqësisht më e shprehur është tek gjeneratat e reja që dëshmon edhe për mungesën e edukimit të tyre që nga familja, shkolla, shoqëria…

Ndonëse shoqërinë tonë e ka vërshuar fjala dialog e madje po përdoret edhe vend e pa vend, mund të konstatohet se ai, në rrethanat aktuale në vendin tonë, paraqitet si dialog që ë shpeshtën manifestohet në formën e gjyqeve të parevokueshme dhe kategorike. Dhe për shkak se jemi mësuar që dialogun ta konsiderojmë luftë në arenë nga e cila dikush duhet të dal i humbur, vetëdija jonë mbi dialogun vuan nga bindjet paraprake të cilat na shtyjnë të besojmë se si ekzistojnë kriteret “objektiv” për vlerësimin e realitetit, dhe mundësia racionale për gjykimin mbi të vërtetën dhe të pavërtetën.

Problemi fare nuk qëndron vetëm në faktin që aksiologjia (teoria mbi vlerat) nuk ofron kute të sigurta për vlerësimin e vlerave, por edhe në lajthitjen se dialogu mund të jetë “deri në fund” objektiv, përfundimtar dhe i “pagabueshëm”. Mentaliteti i ekskluzivitetit dhe dogmatizmi i papërballueshëm, e kanë pamundësuar që dialogu të kuptohet si kusht i garës së lirë në mendime. Së këndejmi, nëse dialogu zhvillohet jashtë argumentimit ekzistues, nuk ka gjasë për sukses dhe nuk ka arsye që të zhvillohet. Dialogu gurëzohet në ekzistencën jo të lirë.

Kultura e dialogut nuk kërkon vetëm kulturën e bashkëbiseduesit por e presupozon edhe vetëdijen demokratike, mjedisin e edukuar, të zhvilluar emancipuar dhe, përfundimisht, shprehinë që të verifikohet çdo gjë relevante dhe që parandihet.

I realizuar me mjete të ndryshme, dialogu në shoqërinë kosovare (dhe atë shqiptare në përgjithësi) të shpeshtën ka mbetur i pafuqishëm sepse, në realitet, edhe nuk ka pas ambicie tjera pos të jetë monolog paralel, të bëjë monolog. Në dialog krahas pasionit të pareshtur të kërkimit e të “pyeturit”, ka qenë i domosdoshëm elasticiteti kreativ, shtytja imagjinare dhe aftësia e njohjes së esencës. Kur me dialog dëshirohet të kundërshtohet mentaliteti i vjetruar, realiteti konservativ dhe inercioni normativ, atëherë të gjithë që marrin pjesë në dialog edhe duhet t’i heqin “këmishët e veta prej gjarpri”, sepse me to vështirë mund t’i braktisin krenaritë e tepruara dhe mendjemadhësitë e veta. Pa autokritikë, pa anim nga e vërteta, pa tolerancë ndaj mendimit ndryshe – është i pamundshëm “udhëtimi” teri tek tjetri dhe i ndryshmi. Këtu dialogu është i pamundshëm.

Mungesa e dialogut në mënyrë më drastike manifestohet në krizat ekstreme shoqërore siç është situata me shoqërinë kosovare ku nuk sundon anarkia, dhuna dhe kaosi, por një sistem i pa definuar politik e shoqëror dhe ku sistemin e përbejnë partitë në pushtet, grupet mafioze të lidhura me pushtetin, strukturat e mbetura të shërbimeve të inteligjencës siç është SHIK- u apo ndonjë shërbim tjetër. Në shoqërinë e tillë publikisht flasin vetëm ata për të cilët paraprakisht dihet se çfarë kanë me thënë. “Të zhvillosh dialog” me përparësinë e pozicionit monopolist, domethënë të vësh shenjen institucionale mbrojtëse të grupit cilit i takosh. Prandaj, ka më shumë logjik “të zhvillosh dialog” kur bashkëbiseduesi është i bindur në arsyeshmërinë e shprehjes dhe të idesë së “papranueshme” e të “çmendur”, se sa kur përfaqësohet ideja në të cilën nuk beson.

Dialogun nuk mund ta zhvillojë me sukses ai i cili konceptet e veta i konsideron të vetmet valide dhe të pagabueshme. E për të “pagabueshmit më afër flet ky aforizëm: “Me atë nuk është e mundur asnjë marrëveshje, sepse ai as që po përpiqet të mendoj si unë”. Dialogun autentik mund ta zhvillojë vetëm personaliteti autentik, njeriu i lirë. Prandaj, në dialog duhet të takohen dy subjekte, dy njerëz të lirë. Horhe Luis Borhes shkruan: “Dy njerëz të cilët mund të bisedojnë, mund të begatohet dhe zhvillohen pafund. Ajo që del nga unë nuk më befason aq shumë, sa ajo që e marrë nga tjetri”. Dialogu më tepër bën kur ekziston forma e demaskimit të paragjykimeve personale e të huaja, kur i zhbënë fascinimet ideologjike, kur e zbërthen dhe transformon verbësinë e dogmatizmit…

Kur bashkëbiseduesi dëshiron të shndërrohet në objekt “armiqësor” – dialogu është i anuluar. Ku nuk realizohet zhvillimi i ideve dhe konfrontimi i tyre veç konflikti i jo-bashkëmendimtarëve, dialogu zakonisht shndërrohet në ekskluzivitet polemik. “Me ngushtimin e hapësirës për dialog krijohet ringu”, thonë një aforizëm. Dialogu nuk shkon me rrena, mizori dhe përgojim. Përgojuesi është i robëruar me pasionin zhvleftësues prej demoni. Dialogu nuk shkon as me lajkatim, sepse ai është “filozofi” e adaptimit të inferiorëve. Fransoa La Roshfuko shkruan: “Egoizmi është përgojuesi më i madh”. Ekstremet e vajtimit (qyqarllëkut), përkujdesit dhe të taktizimit nuk i shoqëron as mençuria as kreativiteti. Kënaqësia pamasë dhe mizantropia e pengojnë dialogun. “Vetëkënaqësia gjithmonë shoqërohet me budallallëk”, ka shkruar Andre Zhid. Është vështirë të përcaktohet nëse dialogun më shumë e pamundëson apatia, vullneti i keq dhe frika nga gabimi, apo paaftësia e ndryshimeve dhe dogmatizmi. Mjafton prezenca vetëm e njërës nga këto veti pasive të njeriut që dialogu të shuhet.
Të folurit politik – pengesë e dialogut tek ne

Për dialogun – nëse ajo ndodh – është ngarkesë e madhe paaftësia që bashkëbiseduesi të dëgjohet, mosgatishmëria që të dëgjohet “deri në fund”. Qysh moti është vërejtur se më keq dëgjojnë ata që nuk duan të dëgjojnë. Dialogun e çrregullon kokëfortësia e paragjykimeve dhe familjarizimi i monologut. Kurse monologu është represion në raport me mendimin, reduktim i haresë së mendimit. Në te paraprakisht përcaktohet epilogu i bisedës, sepse e ka të huaj reciprocitetin e kërkimit dhe të pasigurisë së fundit. Monologisti e “bind” dhe bllokon mundësinë e epilogëve të papritura në njohuri. Ai në realitet nuk donë të pajtohet me reciprocitetin e takimit. Prandaj është i humbur për lojën kreative dhe për shtytje shpirtërore.

I prirë për anulimin e diferencave, më të afërta i ka zënkat dhe grindjet. Ai donë të tregojë supermaci të rezonimit individual – ku objekti i mendimit interiorizohet (mekanizëm për përvetësimin e përvojave kulturo- historike të individit me të cilat shpjegohet lindja e funksioneve tona mentale) – në raport me mënyrën e relacionit të njohjes. Monologu është në diversion jo-kritikë njëkuptimor dhe njëkahesh. Që është më e keqja, ai çon drejtë monolitetit në mendime dhe në mohimin e mendimit tjetër. Esencialisht, në shoqëritë totalitare, themelohet synimi drejtë njëzëshmërisë absolute dhe monopolit mbi të vërtetën. Ai i cili e përcakton se çka mund të thuhet dhe çka është “delikti” i pafalshëm – ka monopol! Mirëpo, ai nuk e ka vetveten për dialog…

Pengesa e dialogut tek ne, gjithsesi është edhe të folurit politik i cili vazhdimisht është diskriminues. Duke ekzistuar jashtë mekanizmave demokratike të transparencës, i shtyrë nga pragma politike, të folurit e politikanëve e ka marrë nën kontrollin e vet, dhe shpesh e ka instrumentalizuar. propaganda. Afërsia e dukshme dhe e padukshme me diktatin e interesit të maskuar, krijon një gjuhë sterile, të imponuar dhe të deformuar dhe kjo është gjuhë e cila nuk ka shpirt. Dogmatizmi dhe pragmatizmi hyjnë në bashkëpjesëmarrje dhe në rrethin e dhunës. Për shkak të nevojës për “siguri”, pragmatizmi e ka shkretuar parimin e pyetshmërisë, kurse aktivitetin politik e ka shndërruar në eliminimin e dallimit individual. Në ndarjet dualiste (manikeje) në bashkëmendimtar dhe jo-bashkëmendimtar, bashkëbiseduesit në dialog përjetohen si armiq. Monoliteti në mendime dhe synimi drejtë njëzëshmërisë direkte sjellin mohimin dogmat të mendimit tjetër faresh. Aty nuk ka vend për çfarëdo dialogu. Prandaj edhe është e kuptueshme që ata të cilët hyjnë në dialog duhet të jenë të barabartë dhe atë jo vetëm derisa zgjat dialogu, veçse derisa zgjasin edhe pasojat e dialogut.

Është absurde të besohet se dialogu mund të krijojë vetëm pasoja “negative” apo vetëm “pozitive” ose, megjithatë, koherencën e plotë. Problematikë është ai dialog i cili donë ta anashkalojë rrugën deri tek e vërteta. “Të gjitha të vërtetat që heshtën bëhen helmuese”, shkruan Niçe. Dialogu i sigurt dhe bindës mbështetet në dijeni dhe hulumtimet shkencore. Fatkeqësisht tek ne, një dialog i tillë nuk ekziston.
Me dialog arrijmë tek vetvetja dhe tek tjetri!

Shkathtësinë e bisedës mendore e realizojnë vetëm ata që dinë të pyesin dhe që dinë të përgjigjen. Andaj është e kuptueshme që në veprën “Unë e ti”, Martin Buber, shkruan: “Shpirti nuk është në Unë, veç midis Unë dhe ti. Ajo nuk është sikurse gjaku që qarkullon në ty, por sikur ajri që e frymon”. Me dialog arrijmë edhe tek vetvetja nëse ia kemi dalë të arrijmë tek tjetri. Është relevante edhe bindja se është e pamundshme të arrihet tek tjetri nëse paraprakisht nuk kemi arritur tek vetvetja. Në qoftë se distanca deri tek tjetri nuk zvogëlohet – dialogu as që ka pas kuptim të zhvillohej. Do si do, nuk është krejt njëjtë nëse dialogu vjen si pasojë e hulumtimit kritik apo si spekulim imagjinar, por më e rëndësishme është që ai të ndikojë në formimin dhe zhvillimin e atyre ideve të cilat ndihmojnë në zbulimin e çelësave të ri të botës dhe vlerave të reja.
Robërimi në urrejtje ndaj jomendimtarëve të njëjtë dhe indiferenca ndaj mrekullive të botës, shpijnë në asgjësimin e frymës kritike të dialogut.

Në librin filozofik “Dialogu dhe toleranca” Gjuro Shushnjiq shkruan mbi perspektivat ontologjike të diskursit të dialogut: “Biseda lind nga ndonjë mungesë në njeriun: për ta eliminuar, nevojitet njeriu tjetër i cili dallon prej tij. Nëse Unë dhe Ti në gjithçka jemi të njëjtë, neve nuk na ndodh asgjë. Prandaj krejt çka nuk jam Unë, për mua ka domethënie të veçantë, sepse nga unë dallon. Krejt çfarë bëjmë në jetë, në realitet janë përpjekje që vetveten ta plotësojmë dhe përmbushim, që të bëhemi personalitete të tërësishme. Biseda me tjetrin këtu nuk është në shërbim të ndonjë objektivi të jashtëm, veç në rolin e zhvillimit të personalitetit…Kush nuk është i aftë të bisedojë ai nuk është i aftë për zhvillim: të heqësh dorë nga bisedimi me tjetrin, domethënë të heqësh dorë nga vetvetja. Sepse kur e njihni mirë ndonjë tjetër, vetveten e keni begatuar edhe për një jetë.. Cilido qoftë ai tjetri, ai është tjetri i vetes time: kundërthënia ime dhe plotësia ime. Njeriu takohet me njeriun tjetër që në te dhe në vetvete të zgjojë forcat të cilat para këtij takimi nuk kanë qenë të qasshme dhe të njohura. Një njeri, nëse vërtetë vepron në njeriun tjetër bëhet pjesë e fatit të tij. Pa tjetrin nuk mund ta kuptojmë vetveten”. Me vetëkënaqësinë dhe mizantropinë (urrejtjen ndaj tjetrit) nuk mund të kuptohet asgjë e arsyeshme. Aty nuk ekziston as presupozimi për zhvillimin e debatit.
Përse ka nevojë të flitet mbi dialogun?

Dogmatiku nuk është i gatshëm që imazhin e vetë të krijuar paraprakisht mbi botën, ta rishikojë hollësisht dhe ta vë në pikëpyetje; nuk është i gatshëm të përballet me dyshimin. Për këtë shkak dogmatistin duhet njohur si binjak sijami, të karakterit dhe të strukturës së tij mentale rigide. Për atë parimi dogmatik bëhet ligji më i lartë, objektiviteti i vetëm, kuti i të gjitha gjërave, kuptimi i ekzistencës. Ai në sytë e vet është tepër i besueshëm, i pagabueshëm dhe i pastër, kurse gjithë të tjerët që nuk janë si ai, meritojnë përbuzje dhe urrejtje. Para se të ishte i gatshëm ta dëgjoj tjetrin, ai ka qenë i gatshëm të mos e përfillë me këtë ai edhe është i humbur për dialog.

Përse ka nevojë të flitet mbi dialogun? Arsye ka aq shumë sa që është vështirë edhe të paralajmërohen e lëre më të numërohen. Në librin “Rebelimi i elitës dhe tradhtia e demokracisë”, Kristofer Llash pohon se perspektiva e demokracisë është e zymtë dhe pa gjasë. Në grumbullin e argumenteve që e konfirmon prognozën e tij pesimiste, vend të veçantë zë pikëpamja se është shpenzuar substanca e demokracisë, që veçmas është e dukshme në mungesën e debatit publik i cili do të mund të ndikonte në epilogët racionale të politikës.

Llash flet mbi artin e humbur të zhvillimit të debatit. Edhe kur ekzistojnë debatet lindin hallet, sepse nocionet, idetë dhe mendimet e komplikuara është vështirë t’ia afrosh qytetarit mesatar, edhe më vështirë t’i bindësh të nxjerrin opinione kritike. Edhe krahas mundësive të jashtëzakonshme të teknologjisë informatike, debati i gjallë publik, kusht i demokracisë – ka munguar. Ka arsye të dëshmohet se është i pavlerë dialogu në mungesë të provave dhe se debati të cilin e karakterizojnë “argumentet” verbale, është i domosdoshëm për ta zëvendësuar bisedën e tolerueshme dhe të menduar mirë.

Duket se vetëdija mbi dialogun është premisë e vendosjes së komunikimit si kategori bazike e kulturës, ku kristalizohet qëndrimi mbi bashkësinë, por edhe mbi botën e vlerave. Është evidente se tek ne kanë ndodhur ndërprerje të komunikimit që dëshmojnë edhe shumë raste konkrete madje edhe të kohëve të fundit. Nëse kësaj ia shtojmë faktin paradoksal se i ashtuquajturi revolucion informativ nuk e ka ngritur “shkallën e inteligjencës së opinionit”, atëherë situata e bashkësisë tonë politike që është gjetur në binarin dytësor të historisë moderne, duket edhe më e errët dhe e pashpresë. Kurse rruga deri tek shoqëria civilizuese e demokratike është e pa imagjinuar pa debatin publik. Dhe pa dialog./Koha Ditore/

Më Shumë

Nait Hasanit nuk i lejohet t’i vizitojë ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, kishte bërë kërkesë për t’i vizituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup...

Pamje nga aksidenti në Suharekë, dy personat e ndjerë shihen të mbuluar në rrugë (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë që u regjistrua pasditen e kësaj të diele (sot), në Shirokë të Suharekës, ku humbën jetën 2...

Lajmet e Fundit