7.4 C
Prizren
E diel, 2 Shkurt, 2025

Lajmi i fundit: Qeveria shpall masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji për 60 ditë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.

E ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ky Komitet në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, duke përfshirë: vendosjen e kufizimeve mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë; vendosjen e kushteve të veçanta komerciale; kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosjen e kushteve të veçanta për tregtimin e energjisë; te detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit; dhe të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar.

Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas tyre kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.

Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Më tutje në vendim thuhet se Qeveria mund të fillojë së zbatuari masat menjëherë që në datën e aprovimit, por se i njëjti vendimit duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi sipas vendimit ka të drejtën e refuzimit, me ç’rast Qeveria i ndërpret masat e aprovuara dhe nuk vazhdon me gjendjen e emergjencës.

Vendimi ka dalë nga mbledhja e 51-të e Qeverisë Kurti, e mbajtur sot

Më Shumë

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vjedhjen e arit në vlerë afër 200 mijë euro në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Sh.H., nën...

Ndahet nga jeta mjeku i QKMF-së në Prizren, Bajram Kryeziu

Mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, Bajram Kryeziu, është ndarë nga jeta. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga...

Lajmet e Fundit