23.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

LDK, sot vendosë nëse do ta mbështesë Osmanin për presidente

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot pritet të takohet për diskutuar dhe më pas për të marrë një vendim nëse grupi parlamentar i saj do ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente ose jo.

Një vendim të tillë, LDK do ta marrë pas disa takimeve që ka pasur kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, me Vjosa Osmanin edhe kokë më kohë, por edhe në takimin e përbashkët me Kurtin.

Një takim mes Abdixhikut dhe Osmanit është zhvilluar edhe të shtunën, ku sipas burimeve të Gazetës Insajderi, takimi është zhvilluar në frymë pozitive.

Po sipas këtyre burimeve, ekziston një frymë brenda LDK-së që Osmanit t’i krijohet kuorumi dhe të zgjidhet presidente e vendit.

Nënkryetari i LDK-së Anton Quni ka folur rreth takimit të kryesisë dhe mundësisë që ta përkrahin Osmanin.

“Është realizu një takim, LDK e ka përfaqësu kryetari dhe nënkryetari sipas njoftimeve do të ketë edhe një takim të radhës, sot e kemi një mbledhje të kryesisë, është temë që është ka debatohet brenda strukturës, qëllimi jonë është që cilido vendim që do e dimë do ta ruajmë unitetin e LDK-së të grupit parlamentar, sepse kemi pasur përvoja që kemi pas ndryshe. Nuk kemi ende një përgjigje definitive ende po e debatojmë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe qëndrimin e tij rreth përkrahjes ose jo të Osmanit për presidente.

“Unë kam miqësi me zonjën Osmani i njoh të gjitha vlerat e saj edhe jam mëse i bindur se vendimi i LDK-së do të jetë në favor të qytetarëve dhe në favor të shtetit”, theksoi Quni

Megjithatë, ka edhe përplasje të brendshme që tashmë kanë dalë hapur. Agim Veliu së fundi është përplasur ashpër me nënkryetarin e LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

Po ashtu edhe një deputet tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, është përplasur me drejtuesit e partisë, Lumir Abdixhikun e Anton Qunin.

Në bazë të këtyre përplasjeve, këta dy deputetë mund të jenë kundër zgjidhjes së Osmanit presidente, konkretisht që LDK t’ia bëjë kuorumin. /Insajderi.org

Më Shumë

Lajmet e Fundit