13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Letërsia e sotme shqipe: Kaotike, e izoluar dhe në tranzicion

Autorët e botuar nga UET-Press, Ben Blushi, Blendi Fevziu dhe Preç Zogaj rrëfejnë këndvështrimet e tyre

Të rihapësh debatin mbi letërsinë e sotme shqipe, cilësinë, pëlqyeshmërinë apo përhapjen e saj nëpër botë, do të thotë ta vësh gishtin në një nga plagët më të njoma të kulturës sonë postkomuniste, e cila, me sa rezulton edhe nga mendimet e disa prej autorëve më bashkëkohorë shqiptarë, nuk ka mundur të krijojë ende një habitat të favorshëm për një letërsi të hapur ndaj shijeve dhe gjykimeve të lexuesit ndërkombëtar.

Të pyetur mbi tiparet e kësaj letërsie, profilin dhe arketipin e saj, Ben Blushi, autor i katër librave, tri prej të cilave romane tejet të suksesshme në treg, njëri me Çmimin Europian për Letërsinë mbi shpinë; Preç Zogaj, një nga shkrimtarët e publicistët më aktivë në kontekstin aktual shqiptar, dhe Blendi Fevziu, gazetar i njohur e autor i disa prej biografive më të shitura viteve të fundit, rrëfejnë perceptimet e tyre mbi letërsinë e sotme shqipe, prej nga shquhet qartazi skica e një letërsie ende të izoluar, kaotike e në proces tranzicioni.

BEN BLUSHI

Jeni një nga shkrimtarët e paktë shqiptarë, me të cilin kritika është marrë kaq shumë, edhe pse me kaq pak tituj në treg. Si ndiheni?

Po më bën një kompliment të madh. Unë kam nisur të shkruaj shumë i vogël, por kam botuar shumë i madh, që 14-15 vjeç ndoshta, por kam pasur gjithmonë frikë ta ndaj gjënë me të tjerët. E fitova këtë kurajë para 7-8 vjetësh, me sa duket koha bën të vetën dhe lëkura jote regjet. Kjo më ndodhi edhe mua. Mora guximin të shkruaja një libër të gjatë, e shpresoj të më vazhdojë akoma ky pasion.

A mund të cilësohet letërsia e sotme shqipe si letërsi e tranzicionit? Nëse do t’ju kërkoja një arketip të letërsisë shqiptare, si do ta ravijëzonit atë me dy-tri elemente? Kë do veçonit si tipar dallues të sajin?

Përsa i takon letërsisë shqipe, ajo vuan tranzicionin si çdo fushë e jetës në Shqipëri, me përjashtim të futbollit, se futbolli i kapërcen kufijtë e Shqipërisë më kollaj, si sport në përgjithësi, e edhe kur është i keq, prapë ka ndjekës, kurse letërsia s’e ka këtë fat. Letërsia në Shqipëri është pak e vështirë. Nuk është se kemi një traditë letrare të konsoliduar. Në fakt është edhe një fat i madh të bazohesh në traditën tonë letrare relativisht modeste. Unë e them herë pas herë se sado që fabulat tona janë fabula shqiptare, se ne jetojmë në Shqipëri, mënyra si është rritur narracioni, stili, teknika në fakt, është ndërkombëtarizuar. Se letërsia mirë apo keq po globalizohet dhe kjo kërkon teknikat e veta, por po globalizohet, kështu që edhe unë si shumë autorë të tjerë shqiptarë, nuk bëj përjashtim.

Po për mua është akoma e izoluar letërsia shqiptare. Është akoma e izoluar edhe për faj të gjuhës. Jemi një popull i vogël me një gjuhë unike dhe duke qenë një popull i vogël shumë i izoluar, bota ka pasur shumë pak interes të marrë vesh ç’themi e ç’shkruajmë ne në shekuj. Shumicën e rasteve jemi izoluar vetë, një pjesë të kohës na kanë izoluar të tjerët, por sido që ka ndodhur, të tjerët kanë pasur shumë pak interes të mësojnë gjuhën tonë, të përkthejnë produktet tona letrare. Letërsia po ashtu ka një fat të keq, që nuk është si muzika. Muzika nuk ka nevojë për përkthim, letërsia duhet të përkthehet dhe muret linguistikë gjithmonë i sakrifikojnë letërsitë e vendeve të vogla. Po pavarësisht nga këto, letërsia jonë s’e ka çarë dot rrethimin politik, nuk e di apo ajo atë gjeografik që kemi pasur në shekuj. Kështu, mbetet e izoluar, nuk del nga kufijtë e Shqipërisë. Pra për të gjetur një treg më të madh, është shumë e vështirë akoma. Nëse më pyet është e keqe, e mirë, e bukur, do të thosha që është një letërsi që nuk ka ardhur ende në ditët tona. Domethënë nuk e ka shkruar ende shqiptari i ditëve që jetojmë, domethënë që letërsia jonë, përfshi dhe mua po të duash, s’e ka vizatuar apo fotografuar dot akoma shkrimtarin e shekullit ku jetojmë. Zakonisht letërsia ecën me hap më të ngathët se shoqëria, ajo është pasqyrë e saj. Në disa raste edhe i paraprin, por letërsia e ditëve tona s’ka ardhur akoma. Jemi ende kam përshtypjen në vitet ’70- ‘80, aty rrotullohemi, atë tip shqiptari kemi qejf të pikturojmë. Unë jam dhe më keq. Unë jam pesë shekuj pas. Pra letërsia jonë vuan ende një lloj izolimi. Nuk ka treg jashtë Shqipërie, ka shumë pak.

Kush duhet ta krijojë këtë treg? Si krijohet?

Shumica e shqiptarëve për çdo problem që kanë, ia hedhin fajin shtetit apo qeverisë. Unë nuk hyj tek ata që them që e ka fajin qeveria që nuk hyjmë tek ata që botohemi jashtë. Nuk ka lidhje. E para besoj është kufizimi linguistik, që e thashë, pra një gjuhë që e flasin 3-4 milionë njerëz apo 5 në gjithë rajonin… Unë besoj se talentet kanë për ta gjetur rrugën e tyre, sido që të vijë puna. Kur ne të kemi shkrimtarë shumë të mëdhenj, mirë apo keq, ata do ta gjejnë udhën e tyre.

BLENDI FEVZIU

Do të doja t’ju pyesja për letërsinë bashkëkohore…

Nuk jam ekspert i letërsisë shqiptare. Njoh atë pjesë të letërsisë shqiptare që vjen më pranë nesh e që ka pasur më shumë zhurmë. Kam lexuar gjithë librat e Blushit. Lexoj padyshim çdo libër që boton Ismail Kadare, lexoj librat e Fatos Kongolit, kam lexuar librat e Ylljet Aliçkës, kam lexuar aty-këtu libra të tjerë që janë botuar këto kohë, por nuk jam ekspert i letërsisë bashkëkohore shqiptare dhe nuk mund të të them një mendim të saktë për këtë. E vërteta është që ka një ndryshim të stilit të letërsisë, ka një ndryshim që, për fat të keq, nuk po kuptohet jo vetëm nga një pjesë e madhe e botuesve, por edhe nga autorët. Ka një letërsi që sjell një stil më dinamik tani. Edhe në botë ka ndryshuar koncepti mbi letërsinë. Nuk ka më letërsi të futur në sirtarë, të përcaktuar mirë, roman, novelë, tregim, poezi. Çdo gjë sot quhet letërsi dhe libri në vetvete ngërthen interes. Libri mund të jetë gjysmë historik, gjysmë publicistik, gjysmë ese, dhe këto lloj zhanresh janë sot zhanre shumë të lexueshme. Libri i fundit i Kadaresë, “Mëngjese në Kafe Rostand” për shembull, është pikërisht në këtë stil dhe është i jashtëzakonshëm.

Sa u përket tematikave të letërsisë, ato nuk kanë lidhje me tematikat e kohës. Nuk e dikton dot letërsinë. Letërsia ka një kalendar të pakohë, një kalendar që nuk lëviz me ritmin. Ndryshe do ishte gazetari, nuk do ishte letërsi. Kështu që në këtë aspekt gjithçka shkon normal, nuk ka ndonjë ndryshim të madh të tematikave. Tematikat e letërsisë botërore mbeten po ato që nga lashtësia: kthehen e rikthehen motivet e dashurisë. Kthehen e rikthehen motivet që lidhen me misterin, me xhelozinë, me smirën, domethënë tematikat botërore janë po ato.

Unë mendoj që lexuesi qëndron tek libri në Shqipëri. Nuk ka pasur ndonjë largim. Ne duhet të kemi një gjë parasysh sot, që pjesa më e madhe e lexuesve, sidomos e lexuesve në moshë të re, lexojnë në gjuhë të huaj, domethënë mosha nën 30 vjeç e ka më të thjesht leximin në gjuhë të huaj, sesa në gjuhën shqipe, dhe ky është një fenomen që do të vijë duke u konsoliduar. Të gjithë ata që studiojnë jashtë, të gjithë ata që e bëjnë shkollën në një vend të caktuar, në Britani, në Francë, a nuk e di, janë njerëz që lexojnë në gjuhën e vendit ku shkollohen. Dhe ky është një fenomen me të cilin do përballemi. Siç është fenomeni i globalizmit, që është një gjë me të cilën do përballet edhe Shqipëria.

Po publicistika?

Mendoj që e gjithë publicistika ka një frymë të re. Nuk është kaq publicistikë e mirëfilltë. Është një lloj miksimi i letërsisë me publicistikën, i historisë, të gjitha bashkë në një gjë, që në fund fare quhet libër dhe në fund fare quhet një gjë që lexohet këndshëm.

Unë mendoj që publicistika është në çdo vend të botës shumë interesante. Tani unë them që ti thyejmë këto kategorizimet, letërsi, publicistikë gjini. Shumë prej librave sot më të lexueshëm në botë, shkruhen përgjithësisht nga njerëz që vijnë nga bota e publicistikës. Unë e kam përmendur disa herë si shembull Misha Glenny-n, një gazetar të BBC-së që mbulonte Ballkanin, i cili bëri historinë më të suksesshme të Ballkanit. Historia e tij e Ballkanit është një kryevepër e historisë botërore. Por nuk është histori e mirëfilltë. Nuk është histori në nivelin akademik të tekstit, është një histori e divulguar dhe e rrëfyer kuptueshëm për të gjithë. Për herë të parë, publicistika e ka çuar historinë nga një temë akademike, pra nga një zhanër akademik, në një temë për publikun e gjerë. Pra ti e lexon historinë gati-gati si rrëfimin e një përralle, gati-gati si një rrëfim të lirshëm dhe jo si një tekst akademik mbushur me referenca e dokumente që bëhet i mërzitshëm.

PREÇ ZOGAJ

Preç Zogaj: Janë në njëfarë kaosi letrat shqipe. Mungesa e një kritike të specializuar ka bërë që gjithë ky produkt të jetë pak a shumë si një magazinë pa inventar, që e vështirëson orientimin e lexuesit drejt vlerave, por në njëfarë mënyre ka bërë disi vulnerabël edhe vetë vlerën. Prandaj unë e shtroj me forcë këtë çështjen e politikave kulturore, sepse politika kulturore nuk është politikë për zgjedhje apo politikë që vendos çfarë do botohet apo të censurojë, sepse është shoqëri e lirë tani, por është politika që inkurajon përzgjedhjen profesionale të vlerave. Ta zëmë se, për ta ilustruar, unë dua të shkruaj një shkrim për poetin tonë të madh, Fatos Arapi. Po unë nuk kam kohë ta shkruaj, sepse duhet ta shkruaj mirë dhe më duhet një muaj kohë. Po kush ma paguan mua? Ai artikull bën 50 mijë lekë. Dhe atëherë për vepra të tilla ministria duhet të ketë një politikë kulturore, që rubrikat kulturore të gazetave që botojnë artikuj për letërsinë e madhe, apo që publikojnë përkthime të rëndësishme, të paguhen në mënyrë dinjitoze, që unë të bëj qetësisht jo vetëm një artikull, por një studim për poezinë e madhe të Fatos Arapit dhe të paguhem 500 mijë lekë. Nuk dua ta banalizoj, se unë do ta bëj atë që kam ndërmend, por dua të them që me të vërtetë ka një rol të madh politika kulturore në inkurajimin e hierarkisë së vlerave. E krijon libri, nuk diskutohet, në kohë, por ne flasim sot, në të nxehtë. Lexuesi duhet ta dijë ku po shkon, pak a shumë. Ky është mendimi im.

*Intervistat janë marrë gjatë Panairit të Librit Tiranë, nëntor 2014. /Mapo.al/

Më Shumë

Ylli për finale, Peja për barazim të rezultatit – nesër zhvillohet gjysmëfinalja e katërt

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë të mërkurën mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po...

Vjen në jetë vajza e Kiarës dhe Luizit: Fotoja e parë dhe emri i veçantë!

Moderatorja Kiara Tito dhe këngëtari Luiz Ejlli janë bërë prindër për herë të parë. Vajza e tyre ka ardhur në jetë këtë të martë...

Lajmet e Fundit