10.8 C
Prizren
E premte, 10 Janar, 2025

Letrat e Geraldinës për Mustafa Krujën: Mbreti është optimist!

Mbreti Zog dhe Mustafa Kruja ish kryeministër i Shqipërisë, kanë vijuar komunikimin e tyre mbi çështjen shqiptare dhe gjatë mërgimit. Ekziston një korrespodence e gjatë letrash, që janë nënshkruar nga Mbretëresha Geraldinë, që tregojnë ruajtjen e raporteve dhe në mërgim. Më poshtë po botojmë disa nga letrat e shkruar nga Geraldina gjatë kohës kur familja mbretërore jetonte në Cannes, France. Shkëlqësi, Telegrafin t’uej , për ditëlindjen t’eme e mora, ju falënderoj me gjithë zemër.

Nuk dijshe ku të mundesha me u përgjigj, kështu prita letrën juej, qi ka qënë për të gjithë ne një gëzim. Aqë mirë e përshkruani vendin ku jeni, sa më duket se vetë isha me ju. Nuk shkon ditë që nuk përmendeni ju, dhashtë Zoti qi të shifemi prapë! Mu bë qejfi qi djalin e keni gjetë shëndosh: pa e njoftun i jepni pra të falat e mija. Haxhires i puth syt. Nuk mujta me ju dhanë përgjigje ma shpejt për arsye se deri tani kam qënë në klinikë për operacionin e dhambit dhe sinusit. Jam hala shumë e dobët dhe kam dhembje.

Mbreti me shëndet shyqyr Zotit, ka qenë mirë, por gjithnjë mendon se më hiku shkëlqesia dhe nuk kam më kë të flas. Princesha Maxhide është hala në klinikë, por shkon shumë mirë. Tue ju urue shëndet të plotë dhe tue pritë kohë mbas kohe letrën prej jush, po ju dërgoj me Lekën dhe Mbretin të falat tona ma të përzemërta.

Geraldinë Cannes, 8 shtator 1956.

Excellence, Dëshirojsha me ju shkrue se shumë pa përpara, vonesa i detyrohet dëshirën t’eme me ju dërgue nji letër në gjuhën shqipe, në stilin t’em dhe jo në frëngjisht.

Si e shihni, po marr mundimin me shkrue gjuhën t’onë të ëmbël, gja e cila ju kënaq, jam e sigurt. Tragjedia e Hungarisë më ka tronditë pa masë dhe më ka lodhur shumë. Ditët i kaloj tue iu përgjigjun telefonit, telegramave e letrave të njerëzve që tregojnë simpatinë e tyre. Duhet me bamë qi Franca të marrë pjesë me fitue ndihmë morale e medicinale.

Shumë kohë marr për me kërkue një shtëpi, pse më 1 mars duhet ti të lajmë kët vilën e mirë. Natën ndigjojmë gjithë stacionet e radios. Lavdi Zotit, morali i Mbretit asht nalt dhe optimizma e tij na jep shpresë. Ka qenë mirë, me shëndet dhe lus Zotin të vazhdojmë kështu. Koha asht hala shumë e bukur këtu. Madamë A Sula ka qënë disa ditë këtu, evenimentet e Proche Orientit e kapën në Romë, po zoti Ministri Sula asht mirë në Cairo.

Lekës i erdhi leja speciale për me hyë në Kalnur në Sandhurst në Ingli dhe tani jam shumë më e qetë. Princeshat janë të gjitha mirë dhe ju çojnë urimet e tyne ma të përzemërta.Princesha maxhide ka fitue 52 kilo dhe asht këtu me nji muze. Shpresoj Hadjire ka marrë librin e voghël qi i kam cue e qi vazhdon mirë tue qenë e kënaqun. Mbreti dhe unë ju çojmë urimet tona më të përzemërta. Edhe unë prej një letër të gjatë prej Jush. Sigurisht edhe atje evenimentet e Kontinentit t’onë, bajnë përshtypje?!

Geraldine Cannes 25 naqndor 1957

Shkëlqësi, Morëm vesh se keni festue 70-të vjetorin e lindjes suej. Mbreti dhe unë ju dërgojmë urimet ma të mira për shëndet të plotë që të mund të vazhdoni të punoni ma së miri për Atdheun. Asht e randë ku festohen ditëlindjen tue i ba ballë nji realiteti të ashpër të gjatësisë së mërgimit tonqë e të ndamjes së paqfund prej të dashunve tonë qi nuk i shohim.

Por, faleminderit Zotit, Zoti i Madh na jep gjithmonë mbështetjen e moralit e të shpirtit njerëzor: Shpresën! Mbreti mbetet gjithmonë optimist. Zoti plotësoftë dëshirat ! Me mendimet tona më të mira dhe urimet tona më të ngrohta! Geraldine.

Cannel 18.III.1957

I dashur Zoti Ministër, Më duket se ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi lajme prej jush. Koha kalon gjithmonë shpejt e në shtëpinë ime më duket se mungon deri diku mundimi moral për të mbajtur një letërkëmbim të rregullt.

Dimri këtu ka qenë shumë i butë, por po aq i ashpër me Mbretin. Me gjithë kujdesin tonë ai ka marrë një grip shumë të keq qi e ka mundue shumë e, në të vërtetë e ka marrë veten vetëm tani. Kisha shkue tek Leka më 15 janar në Londër. Kisha ba ndërmend me ndejtë 10 ditë, por të tretën ditë u detyrova të marr aeroplanin e të kthehesha shpejt tek Mbreti.

Mezi gjeta koha ta vejsha Lekën në kontakt me familjet angleze qi njifsha e me ndonjë personalitet zyrtar. Duhet tju them se jam shumë e prekur nga mirësjellja e përsosun e këtyne miqve për të pritën Lekën në shtëpinë e tyre. Ai ka bërë një përparim të madh në akademinë ushtarake të Sandhurstit dhe komandanti i përgjithshëm i akademisë i ka shkruejtë Mbretit nji letër plot lavdërime për të. Natyrisht fillimi asht veçanërisht i vështirë përsa i përket stërvitjes fizike, por ajo nuk i ban veçse mirë e ai asht dakort.

Pati fatin e keq të thyente kaviljen në një stërvitje, por duket se po e përballon mrekullisht. Atmosfera politike nuk po kthjellohet e mbas pafuqisë të diftueme nga Kombet e Bashkueme përballë tragjedisë së vendit tonë, nuk nuk lexoj ma gazeta. Me u vendosë në Shtetet e Bashkuara siç e dini ka qenë dëshira jonë për një kohë të gjatë, por mjetet financiare na mungojnë për me ushqye një projekt të tillë ende.

Zoti i Madh ka dëshirue që ne të qëndrojmë në Evropën tonë të mirë, e të hershme dhe unë përulem me mirënjohje që vullneti i Tij i mirë të plotësohet. Këtu gjithçka asht siç e keni lanë. Për lajmet nga Shqipëria preferoj ma mirë me ju lanë nji Kolonel. Nuk më pëlqen me u tërheqë në thashetheme. Unë i due të gjithë me një zemër nane, asht e vetmja gja që mundem me ju dhurue. Shpresoj që kurajozja ime Haxhire të jetë mirë. Me kujtimet e mira të gjithë neve ju dërgoj urimet më të mira të mijat për ju të tre. Geraldine.

Gazeta Shqip

Më Shumë

Themelohet Këshilli Ekonomik Lokal në Prizren

Komuna e Prizrenit ka themeluar Këshillin Ekonomik Lokal. Themelimi është bërë me vendim të kryetarit Shaqir Totaj. “Me vendim të Kryetarit Shaqir Totaj, sot u themelua...

Doli nga shtypi libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, i gazetarit, publicistit dhe profesorit të UBT-së, Musa Sabedini

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të tretë universitar të titulluar: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, i...

Tërmet në Kosovë

Lajmet e Fundit