10.8 C
Prizren
E diel, 6 Tetor, 2024

Lirohen Deda, Hoxha dhe 24 studentët e arrestuar

IlirDeda-KIPRED

(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit dhe as të masës së arrestit shtëpiak kundër Ilir Dedës, Ylli Hoxhës dhe 24 studentëve të tjerë të cilët ishin protestues. Megjithatë për të gjithë këta është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

Avokati i Dedës, Tomë Gashi e ka bërë të ditur këtë lajm për Koha.net.

“Ky vendim i gjykatës nuk është fitore e drejtësisë, por është ndërprerje e ligjshme dhe e drejtë e një padrejtësie dhe keqpërdorimi të drejtësisë nga ana e prokurores Fikrije Fejzulkahu e cila ka urdhëruar arrestimin e tyre pa asnjë arsye juridike”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar se protestën paqësore të tyre dikush deshiroi ta shndërrojë në të dhunshme.

“Pasi që për z. Ilir Deda nuk ka pas arsye juridike për arrestim, arsyet kanë qenë krejtësisht politike”, ka thënë Gashi, teksa ka treguar se do të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Koha.net mëson se sipas kësaj mase, Deda, Hoxha dhe të tjerët duhet të paraqiten në polici një herë në javë.

Prokuroria kërkon paraburgimin e Dedës dhe të tjerëve

Burime të Koha.net bëjnë me dije se drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha, dhe të tjerët (të arrestuar 2 ditë më parë), sot janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht në Departamentin për Krime të Rënda.

Mbi ta rëndojnë akuzat për “Sulm ndaj personit zyrtar”, që në këtë rast nënkupton sulm ndaj policit. Ata u arrestuan 2 ditë më parë nga Policia pasi ishin pjesëmarrës në protestën e organizuar nga studentët në kërkim të largimit të rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi.

“Nga rrethanat në të cilat është kryer vepra penale shihet qartë se të pandehurit sipas marrëveshjes i kanë sulmuar pjesëtarët e policisë gjatë kryerjes së detyrës”, thuhet në një nga pikat e dokumentit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, të cilin e ka parë Koha.net.

Ndërkaq, propozimi për paraburgimin e të arrestuarve, sipas këtij dokumenti, thuhet se mbështetet në faktin se të pandehurit ende nuk janë marrë në pyetje nga ana e Prokurorisë dhe se, siç ceket në dokument, “për veprën penale për të cilën dyshohen, parashihet dënim relativisht i lartë”.

“Prandaj, me gjetjen e tyre në liri, ekziston rreziku se të njëjtit do të arratisen dhe kështu do të pengojnë zhvillimin normal të procedurës paraprake”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Koha.net, të nënshkruar nga Prokurorja e Shtetit, Fikrije Fejzullahu.

Gjykatës i këtij rasti është Vehbi Kashtanjeva.

Në momentin e arrestimit, Ilir Deda, sipas video-pamjeve të siguruara nga KTV, ka qenë duke biseduar me policët, nga të cilët ka kërkuar që të hapin rrugën dhe të lejojnë hyrjen e protestuesve në objektin e Rektoratit.

Ndryshe, rektori Ibrahim Gashi, të shtunën mbrëma ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i rektorit të UP-së, dorëheqje të cilën Këshilli Drejtues i UP-së e ka pranuar. Në vend të tij është emëruar si Ushtrues Detyre prof. asoc. dr. Naser Sahiti, aktualisht prorektor për buxhet dhe financa.

Më Shumë

Aksident i rëndë në hyrje të autostradës së Prizrenit

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në hyrje të autostradën në Prizren. Në redaksinë e Klankosova.tv lexuesit kanë dërguar edhe pamje ku...

LDK-ja në Suharekë mobilizohet për zgjedhjet e 9 shkurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Suharekë ka filluar të mobilizohet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Anëtarët e këtij subjekti politik, gjatë kësaj jave, kanë...

Lajmet e Fundit