16.7 C
Prizren
E premte, 9 Maj, 2025

Loro Sata: Për të kënduar këngën e Çelo Mezanit nuk mjafton guximi

Perlat e këngës polifonike toske dhe interpretuesit më në zë të saj. E thjeshta në këtë këngë arrin përcjelljen shumë të qartë të ndjesive, mendimeve, të ideve dhe përcjellje emocionesh dhe mesazhesh… Për shpirtin dhe zemrën e dëgjuesit, që e pranon këndshëm këtë këngë, ka kuptimin më të plotë e më të thellë të kënaqësisë.

Le të vështrojmë rrugën krijuese dhe interpretuese vokale dhe instrumentore që ka përshkuar dhe përshkon sot e kësaj dite kënga polifonike toske dhe ajo labe me llojet e stileve të dialekteve dhe të nëndialekteve në interpretimin e ri, bashkëkohor. E shoh të udhës, që pikë së pari, t’i referohemi njërës prej krijimeve dhe interpretimeve, do të thosha si pika më kulmore e interpretimeve të të gjitha kohëve, këngës kushtuar “Çelo Mezanit”. Këngë polifonike kjo, që i përket strukturës polifonike tipologjike të nënsistemit polifonik toskë.

Në interpretimin popullor prej grupit polifonik popullor të Rrogozhinës, kënga hapet prej zërit të një marrësi me cilësi absolutisht të jashtëzakonshme, virtuoze interpretuese vokale, që të lë pa frymë, siç është këngëtari i shkëlqyer, Refat Sulejmani i cili të “ngurtëson” e të befason, të mpin, nuk të lëshon emocionalisht asnjë çast. E thjeshta në këtë këngë arrin përcjelljen shumë të qartë të ndjesive, mendimeve, të ideve dhe përcjellje emocionesh dhe mesazhesh, pavarësisht nivelit civilizues artistik të masës së dëgjuesve.

Kjo e thjeshtë, nuk kalon për asnjë çast në vulgaritet antiestetik. Prandaj, për shpirtin dhe zemrën e dëgjuesit, që e pranon këndshëm këtë këngë, ka kuptimin më të plotë e më të thellë të kënaqësisë. Po kaq thekshëm, i mbështetet isoja këtij interpretimi shoqërues vokal. Isoja tonike, kjo mbështetëse harmonike e asaj polifonie kontrapunktistike aq sa e do dhe e pranon vetë kënga, gjetje gjeniale kjo, brenda një përkujdesjeje të masës në kompleksin interpretues të tërë kësaj elegjie, mbështetur mbi sfondin logjik instrumentor popullor me theks emocional tërësisht brenda këngës. Këto dukuri thellojnë karakterin emocional të interpretimit ku spikat figura shoqëruese dhe glisandoja origjinale e klarinetës, instrument që i afrohet natyrës së zërit njerëzor dhe e bëjnë atmosferën interpretuese, thekshëm prekëse. Po kështu karakteri epik burrëror i mbajtësit, zërit të dytë, me përthyerjet, thirrmat e tallazet shpirtërore që na kalon në mjedisin e një kohe të largët të shekujve aq të trazuar…

Të mpin ecja e të dy zërave, në unitet e ngjeshje dhe njëheri ndryshueshmëri melodike me stil të gjerë dhe alternues, me ritmikë të inkuadruar, por edhe gati të lirë dhe, ajo që është më interesante, është se melodia zhvillohet gati-gati e improvizuar, që duhet kuptuar, brenda karakterit të një balade. Kështu që, që të dyja: melodi- ritëm, mbështetur mbi tonin e gjatë të isos, plotësojnë mrekullisht njëra tjetrën dhe janë provë e një pasurie të rrallë e të gjallë aktive të polifonisë çame. Këtë këngë, pati “guximin” ta interpretojë dhe një kompleks i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore, por për të interpretuar një perlë të tillë nuk mjafton vetëm guximi…

Kjo këngë vërtet u ekspozua, por mjerisht, kënga që me interpretimin e magjishëm të grupit të Rrogozhinës, hyri dhe mbeti në histori, nuk arriti t’i bëjë të vetat dhe t’i përcjellë te dëgjuesi karakteristikat themelore: modusin interpretues, ngjyrat, nuancat, veçanërisht ornamentikën që shndërrohet në dominuese interpretuese, domosdoshmëri për një përcjellje korrekte të karakteristikave themelore të polifonisë çame, të cilat zotërojnë dukshëm në këngën që bëri gjeniu popullor. Mos e prekni tempullin e shenjtë, kur nuk e njihni shenjtërinë…!!

Pikërisht nga kjo mangësi e ndjeshme shumë serioze dhe thelbësore e shkallës së njohjes, lind si kërkesë e përjetshme dialektike, nevoja e një studimi serioz. Ndryshe qëndron problemi me interpretimin e përpunimit “Këngët e Tokës”. Kjo këngë, që i përket strukturës tipologjike të polifonisë toske, myzeqare, në interpretimin e saj, që herë pas here i është bërë nga Ansambli i Këngëvedhe i Valleve Popullore, me solist Hysni Zelën, është një interpretim model prej nga mund të nxjerrësh mësime. Në këtë interpretim, jemi thuajse një me interpretimin popullor, por tashmë të ngritur në nivele të admirueshme profesionale. Ky interpretim, të lë mbresa të pashlyera për nivelin e lartë artistik interpretues. Interpretimi shquan për kantilenën, këndueshmërinë melodike të marrësit.

Melodi e cila vishet me ngrohtësi vokale që përcjell atë theks aq drithërues; stolisje vokale mrekullisht të qëlluara dhe përse jo virtuoze, që na vijnë me dashamirësi prej këtij këngëtari për tokën e vet, gjithnjë brenda natyrës e karakterit virtuoz interpretues të këngës së mirëfilltë që zotëron në popull. Shquan në të apoxhiatura, mbështetjet zanore, të hijshme që të përthithin brenda vorbullës së saj si pa u ndjerë. Kjo arrihet përmes asaj ngjyre e atij timbri aq të ngrohtë, lidhur nga një figurë muzikore të aksentuar melodike, shoqëruar nga një iso e gjatë, plotësisht e motivuar, për fraza të tëra muzikore mbështetur në fyt– karakteristikë interpretuese vokale kjo e trevës së Myzeqesë. Sa forcë emocionale përcillet nga ai interpretim befasues prej atij këngëtari mjeshtër në pjesën e parë të këngës, kurse në pjesën e dytë, zëri i marrësit shndërrohet në më burrëror, është shumë më i ngjeshur dhe i vendosur, e kjo dukuri gjithnjë në funksion të përmbajtjes poetike të këngës, duke e prirur dhe duke bërë që interpretimi të depërtojë thellë drejt optimizmit. Rrugëtimi i të dy zërave në unitet njëkohësisht edhe në diversitet linje muzikore në interpretim të kësaj kënge, është në favor të marrësit i cili shpaloset aq krenar, aq i gjerë e alterues, por, njëkohësisht, edhe i ritmuar mirë e bukur, i pasur në improvizim, prodhim kryekëput ky i talentit të spikatur të Hysni Zelës, këtij këngëtari tejet të talentuar.

Më Shumë

Bashkimi kërkon titullin e dytë në histori – Superfinalja nis në Prizren përballë kampiones Trepça

Superfinalja e “Play-off”-it është qershia mbi tortë e këtij edicioni të ProCredit Superligës. Në finale do të përballen Bashkimi dhe Trepça, përkatësisht vendi i...

Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot komandant Ekrem Rexhën – Drini, një prej emrave më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si...

Lajmet e Fundit