18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Luftëtarët e luftës çlirimtare të Kosovës janë shenjtëri

Në një shkrim autorial botuar sot në të përditshmen “Epoka e re”, Kudusi Lama shkruan për kontributin që kanë dhënë në çlirimin e vendit udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Luftëtarët e luftës çlirimtare të Kosovës, prej Azem Sylës e Xhavit Halitit e deri te luftëtari i fundit që e ka rrëmbyer armën më datë 8 qershor 1999, se as ai nuk e ka ditur se lufta do të përfundonte të nesërmen, janë shenjtëri. Të gjithë kanë qenë të gatshëm ta japin jetën”, ka thënë Lama.

Ai në këtë shkrim thotë se është habitur me disa deklarata, se Ushtria Çlirimtare nuk ka pasur një udhëheqje të mirëfilltë politike, se ajo ishte një bashkësi njësish pa drejtim të centralizuar.

“Tani doli varianti se ka pasur drejtim, por drejtuesit kanë qëndruar në Tiranë. E unë e kthej kokën nga momenti i nisjes së delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare për në Rambuje, në shkurt të vitit 1999. Në atë delegacion evidencoi krerët, të cilët ishin: Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramë Buja e të tjerë. A nuk u nis ky delegacion nga Prishtina për në Francë? Unë kështu e di, dhe e di mirë këtë nisje. Nëse ka arsyetime të tjera, kam dëshirë t’i njoh. Evidencoj komandantët e lavdishëm të strukturave të asaj ushtrie si: Sokol Bashota, Bislim Zyrapi, Kadri Veseli, Sylejman Selimi, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Rrahman Rama, Rustem Mustafa, Daut Haradinaj, Tahir Sinani, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj, Nait Hasani, Naim Maloku e të tjerë. A nuk ishin të gjithë këta në vijat e fronteve? A duhet t’i konsiderojmë fajtorë pse nuk janë vrarë në luftë? Kush është ai që ka kaq shumë dëshirë që të gjitha ata që dolën në luftë të ishin vrarë? A duhet vërtet ta kemi një dëshirë të tillë? Ku ka një shembull, që një ushtri ta fitojë luftën duke u asgjësuar plotësisht?
Ajo që më tërheq vëmendjen gjithashtu është dëshira e shumëkujt për t’u bërë interesant. Për të treguar se ato punët e luftës i ka ditur shumë mirë. E, në fakt, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare nuk mund t’i fuste hundët gjithkush”, ka thënë ish-komandanti i Divizionit të Kukësit në vitet 1997 – 1999, gjenerali Kudusi Lama.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare kishte një disiplinë korrekte dhe të ndërgjegjshme, por edhe një vigjilencë të shtuar, që në radhët e saj të mos depërtonin agjentët e UDB-së.

“Të cilët ishin shumë të interesuar të depërtonin brenda saj e ta shkatërronin, siç kishin vepruar me të gjitha rrjedhat luftarake të popullit të atyre trevave ndër kohë. Dhe për këtë unë përulem me respekt për punën dhe veprimtarinë e drejtuesve dhe luftëtarëve të asaj ushtrie”.

Kudusi Lame në këtë shkrim ka bërë me dije ka qenë me fat që i ka njohur udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Fakti që në këtë luftë dhanë jetën një sasi e konsiderueshme e kuadrove kryesorë të kësaj lufte, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Edmons Hoxha, Adrian Krasniqi, Remzi Ademi, Ilir Konushevci, Fehmi Lladrovci, Hakif Zejnullahu, Xhavit Haziri, Skënder Çeku, Rexhep Bislimi etj., lë të kuptohet që edhe këta që janë sot mund të ishin në mesin e tyre. Apo këta meqë jetuan, duhet të jenë fshehur diku e nuk kanë luftuar fare. Ky është koncepti më banal që mund të ketë një njeri për një luftë, si ajo që çliroi Kosovën e për luftëtarët që e mbartën këtë luftë të lavdishme.
Unë kam qenë me fat, pasi i kam njohur këta burra të lavdishëm, në ato ditë të zjarrta të luftës e të shpresës për liri. Prandaj edhe apeli im është, që ata të cilët janë pjesë e kësaj lufte, të tregojnë për shokët dhe për të gjitha veprimet që realisht janë të dokumentuara, e të mos merren me fantazira. Ndërsa ata që kanë qëndruar në sallonet e Tiranës e të Evropës, të tregojnë për ku kanë qenë e çfarë kanë bërë, por jo të merren me shpifje, për të lëshuar llum mbi figurat qendrore të luftës çlirimtare të Kosovës. Pasi ajo luftë nën udhëheqjen e atyre drejtuesve na bëri këtë nder të madh, që t’i kemi sot dy shtete shqiptare, të cilët një ditë do të jenë një”, ka thënë Lama. /Epoka e re/

Më Shumë

“Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë”, Totaj thotë se rritën buxhetin e investimeve për projektet e qytetarëve

Komuna e Prizrenit për të dytin vit me radhë ka nisur një praktikë të re të përzgjedhjes së projekteve nga qytetarët. Kryetari i Komunës së...

Kurti: Prizreni do të lidhet me Tetovën dhe Shkodrën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se, Prizreni do të lidhet me Tetovën e Maqedonisë së Veriut dhe Shkodrën e Shqipërisë. “Rruga Prizren-Tetovë po...

Lajmet e Fundit