Ish-tekniku i vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Shpetim Robaj”, në Malishevë, Ragip Morina, është tërhequr nga kërkesa për kompensimin e tri pagave jubilare.
Morina, kishte paditur Komunën e Malishevës, përkatësisht Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke kërkuar kompensimin për tri pagat jubilare dhe tri pas daljes në pension.
Tërheqjen nga kompensimi për tri pagat jubilare, paditësi Morina e ka bërë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Por, paditësi Morina, ka kërkuar që procedura të zhvillohet vetëm për pagesën e tri pagave me rastin e pensionimit.
Përfaqësuesi i Komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj, ka thënë se tri pagat jubilare nuk mund t’i jepen paditësit Morina, për arsye se sipas tij, një gjë të tillë ai nuk e ka kërkuar sa ka qenë në marrdhënie pune.
“Në bazë të Kontratës Kolektive pagat jubilare merren gjatë procesit të punës apo marrëdhënies së punës, dhe ato në çdo 10 vite përvojë pune, 20 vite dhe 30 vite. Andaj kontrata kolektive nuk mund të veprojë në mënyrë retroaktive dhe paditësi këto paga jubilare nuk i ka kërkuar sa ka qenë në marrëdhënie pune”, tha Sahitaj.
Kurse, sa i përket pagave pas pensionimit, Sahitaj ka deklaruar se Kuvendi Komunal i Malishevës, më 12 qershor 2018, ka marrë vendim që për të gjithë personelin arsimor dhe shëndetësor dhe punëtorët e administratës komunale të paguhen pagat përcjellëse pas pensionimit.
Mirëpo, për ta ekzekutuar këtë vendim, sipas tij, duhet kohë pasi që komuna nuk ka planifikuar buxhet për të përmbushur obligimet për këtë kategori.
Ndërsa, për shqyrtimin e kërkesëpadisë, për kompensimin e tri pagave pas pensionimit të paditësit Ragip Morina, gjykatësi Nehat Qelaj, ka marrë aktvendim që për këtë çështje të vazhdohet me procedurën e provave.
Pas kësaj, janë shikuar të gjitha provat e ofruara nga palët dhe procedura e provave ka përfunduar, kurse palët ndërgjyqëse janë njoftuar se aktgjykimi mund të nxirret edhe pa paraqitur fjalën përfundimtare në rast se të njëjtit nuk e deponojnë në mënyrë të shkruar.
Paditësi, Ragip Morina, sipas kushteve të parapara ligjore ishte pensionuar më 1 qershor 2017, pas punës dhe kontributit të tij shumë vjeçar si teknik i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dr. Shpetim Robaj” në Malishevë.
Sipas padisë, paditësi me rastin e daljes në pension ka shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore brenda Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Malishevës, për të marrë tri paga pas pensionimit, në shumë totale prej 1632 euro, mirëpo kjo e fundit kishte kontestuar një gjë të tillë.
Ragip Morina në cilësinë e paditësit më 12 korrik 2017, ka ngritur padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave pas pensionimit, duke u bazuar në nenin 52 dhe 53 të Kontratës Kolektive, e cila ka hyrë në fuqi me 1 janar të vitit 2015, dhe dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore.