8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Malli dhe përkushtimi në librin poetik “Brigjet” të Esad Mekulit

Bekri S Murselaj

Libri poetik “Brigjet” (1981) i Esad Mekulit, ndërtohet përmes dy linjave tematike, temës së mallit dhe temës përkushtuese. Forma e shndrrimit të mallit në këtë libër poetik, realizohet përmes temës së mallit, ku malli kalon kufijtë e reales dhe për t’u bërë një mall i përherëshëm. Ndërsa tema e përkushtuese ndërtohet përmes konceptit dashuri, përkushtim dhe lavdërim.
Tematika që trajtohet në këtë libër poetik, fuqizon një gjendje sa personale po aq nacionale, duke bërë që titulli i librit “Brigjet” të bëhet një sintagmë, që lidh dy temat brenda tij, për të kompozuar një tematikë kompakte. Malli dhe përkushtimi në këtë libër poetik, do të jetë pikë të kyçe në punimin tim.

Mënyrën e zhvillimit të kërkimit, do ta realizojmë përmes interpretimit tematik, që pasqyron më qartë temën për të cilën do të flasim gjatë këtij punimi. Forma e kërkimit në këtë punim do të pasqyron një lexim personal, dhe të ndërlidhur përgjithësisht me tematikën në krijimtarinë e Esad Mekulit.

Metoda dhe forma e kërkimit në këtë punim do të jetë, metoda semantike ku do të flasim për strukturën tematike gjatë punimit në fjalë. Sa i përket arritjes së rezultateve me këtë punim, shpresoj që ky punim i nisur si lexim personal, të zgjojë një vemendje te lexuesi dhe të jetë një punim që mund të kontriboj sado pak, në studimet letrare mbi poezinë e Esad Mekulit.

Fjalët çelës: (Atdheu, dashuria, malli, përkushtimi, liria)

Malli dhe përkushtimi në librin poetik “Brigjet” të Esad Mekulit

Këtë punim po e filloj me një mendim të shkrimtarit Ramiz Kelmendi ku theksonte se: Letërsia kosovare doli nga mëngët e Esad Mekulit . Sipas këtij mendimi të shkrimtarit Ramiz Kelmendi mund të konkludojmë se poeti Esad Mekuli me librin poetik Brigjet dhe librat të tjerë para tij, është një nismëtar i Letërsisë bashkëkohore shqipe në Kosovë.

Libri poetik Brigjet (1981) i poetit Esad Mekuli, ka një linjë tematike, që kryesisht tematika e këtij libri poetik, ka një motiv mjaft të fuqishëm dhe në të njëjtën kohë mund të themi pothuajse të gjitha poezitë e këtij libri poetik janë poezi me një mision të veçantë, dhe natyrisht me një motiv që lind përball gjendjes shoqërore sociale që mbizotronte në vend.

Nëse fillojmë dhe flasim prej titullit të këtij libri poetik, atëherë titulli Brigjet paraqitet përmes disa figurave letrare siç janë: metonimia, krahasimi, personifikimi, etj., ku të gjitha këto figura dhe ndonjë tjetër brenda librit në fjalë, paraqesin kuptimin e vërtetë të poezive brenda këtij libri. Figura e metonimisë, brenda këtij libri paraqet një përgjasim të lidhjes së temës së mallit me atë të përkushtimit ku të dyja këto tema formojnë një tematikë mjaft të pasur dhe të ngjeshur me figura, dhe natyrisht këto dy tema kanë një lidhjeje të veçantë me gjendjen shoqërore. Ndërsa figura e krahasimit paraqet një element mjaft të rëndësishëm, ku përmes kësaj figure, tema e përkushtimit fuqizohet brenda tematikës së librit Brigjet. Kurse figura e personifikimit realizohet duke i përshkruar heronjtë si persona me ndikim të madh në jetën shoqërore, e që natyrisht në këtë rast, edhe figura e hiperbolës luan një rol ndihmës, ku krijojnë një binom figurativ në vete.

Tematika që paraqitet në këtë libër poetik, është një tematikë ku përshkruhet gjendja shoqërore dhe sociale njëkohësisht temat e realizuara në këtë libër paraqesin një gjendje misionare, sepse të dy këto tema lidhen kryesisht me gjendjen shoqërore në vend.

Tema e mallit në këtë libër poetik, pasqyron një gjendje emocionale ku subjekti lirik gjithmonë është i ndikuar nga gjendja shoqërore, por që gjithmonë malli ka një porosi sa mallëngjyes po aq kuptim gjerë, sepse përmes unit lirik përçohet një porosi e gjithë shoqërisë, ku në këtë rast subjekti lirik ka një ngarkesë të dyfishtë sepse tanimë ai paraqitet si një subjekt i shumëzuar me masën e gjerë të popullit. Zëri i këtij subjekti te ky libër poetik është zëri i popullit të Kosovës.

Vështron
Tani
Fëmija e dikurshme
Atë shehër-qytezë,
Ata fëmijë-pleq
Dikur
Të sotëm…
Poezia Kthimi në vendlindje

Në vargjet e lartëpërmendura shohim se flet një zë i brendshëm i subjektit, me një nostalgji të pafund për të kaluarën e tij, e që natyrisht subjekti është i rrëmbyer nga malli për të kaluarën, ku kthimi në kohë të lashta paraqitet me një mall dhe dashuri, ku na paraqiten dy gjendje pamje e tashme dhe malli apo nostalgjia për fëmijërinë (rininë).
Sipas këtij përshkrimi gjithçka ka ndryshuar, duke u nisur nga njerëzit, vendi dhe mosha, por ajo çka është esenciale në këto vargje është malli që asnjë moment nuk ndryshon për vendlindjen. Vargjet tre dhe katër të kësaj poezie përshkruajnë mallin që në një moment subjekti lirik kthehet në të kaluarën me një mall dhe nostalgji mjaft të fuqishme, ku jepet e kaluara si një kohë mjaft e mirë dhe e këndshme për moshën e subjektit lirik.

Ndërsa studiuesi Ali Aliu, për poezinë e Esad Mekulin thekson se: zgjimet e para krijuese artistike, intelektuale, shoqërore, kombëtare, te Esad Mekuli, lidhet ngushtë me fatin e popullit, që i përkiste si dhe me fatin e njerëzve me të cilët bashkëjetonte.
Në këtë libër poetik të këtij poeti tema e mallit realizohet herë si nostalgji për të kaluarën, herë si një ndryshim i vendlindjes, por që në esencë vendlindja gjithmonë simbolizon dashurinë e veçantë të njeriut.

Tema e mallit te ky libër poetik ka kuptim shumëdimensional, sepse kjo temë herë paraqet mallin për vendlindjen, herë mallin për njeriun e afërt e kështu me radhë, që në një aspekt malli në këtë libër poetik ka një dedikim të shumëfishtë gjatë realizimit të temës në fjalë. Ndërsa studiuesi Agim Vinca, për poezinë e Esad Mekulit shprehet se: Etja për liri e përshkruan gati tërë poezinë e poetëve kosovarë prej Esad Mekulit e Ali Podrimjes e deri te më të rinjtë. Sipas këtij mendimi shohim se poeti Esad Mekuli, është njëri ndër poetët emblematik të Letërsisë bashkëkohore në Kosovë, ku përpos në krijimtarinë e tij i kushton një vemendje të veçantë çështjes shoqërore sociale dhe asaj kombëtare, ai tani bëhet dhe një poet model për poetët pasaardhës.

A është fajtor Shqiptari pse, si të tjerët, po don
Të jetojë si Njeri në të vetat troje sot e përjetë?
A është fajtor pse përkundër dhunës qindron
Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëeve të vet!

Poezia A është fajtor shqiptari?

Në vargjet e paraqitura shohim se kemi të bëjmë më një numër të madh pyetjesh, që kërkojnë përgjigje dhe në të njëjtën kohë, këkohet të zgjidhet dilema se për çka është fajtor shqiptari?!

Sipas këtyre vargjeve numri i madh i pyetjeve drejtuar lexuesit dhe konkretisht popullit shqiptar, paraqet një dilemë të subjektit lirik, që poeti Esad Mekuli këtë dilemë të subjektit, e shndërron në një gjendje të rëndë shoqërore dhe sociale, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me fajin e vërtetë të popullit, por kemi të bëjmë me një shtypje dhe nëpërkëmbje të vazhdueshme ndaj popullit shqiptar.
Sipas studiuesit Agim Vinca, poezia A asht fajtor shqipatri? paraqet: përgjigjen ndaj sulmeve, akuzave, dhe shpifjeve që janë bërë në vitet e fundit në adresë të bashkëkombësve të poetit, duke u akuzuar për gjithçka, duke u shpallur fajtorë edhe për atë që e kanë bërë, edhe për atë që s’e kanë bërë ata, por ua kanë bërë të tjerët atyre.

Në këto vargje simbolizohet qëndresa e popullit shqiptar edhe përkundër dhunës dhe shtypjes që ushtrohet ndaj një populli të pafajshëm, vetëm pse kërkon me qenë i lirë në trojet e tij. Pra, tema atdhetare që paraqitet në këto vargje, simbolizon qëndresën dhe përkushtimin e popullit shqiptar, nëpër kohë. Kur jemi te tema atdhetare duhet të theksojmë se tema atdhetare është majft e përhapur në krijimtarinë e Esad Mekulit, dhe njëkohësisht zë një vend të rëndësishëm edhe te libri poetik Brigjet e këtij poeti.
Pra, në librin Brigjet, tema e përkushtimit është aq e pranishme sa që përkushtimi ndaj vendlindjes, heronjve dhe shoqërisë në përgjithësi, fuqizon edhe mëtej trinomin poetik vendlindje, heronj, shoqëri si në vargjet në vazhdim:

A të kujtohet si e kemi andrrue në ditët
E kryengritjes
Të ndjekun, ndër hapsanet
Dhe të kërrusun, para agimit, ndër prita
Me gishtin përvëlues në kamzën e akullt të pushkës
Tuj qëllu kolonat gjaksore fashiste
Për diellin e vokët të lirisë

Poezia Malli

Vargjet e kësaj poezie që paraqitëm këtu, përshkruajnë një moment, një kujtim, një përkushtim dhe mbi të gjitha një angazhim të heronjve, dhe përgjithësisht të shoqërisë, ku përpos përkushtimit të heronjve, brenda vargjeve na shfaqet diskursi heroik, që natyrisht heronjtë i përshkruan mjaft të vendosur dhe të pathyeshëm drejt qëllimeve të caktuara (lirisë). Në të gjitha vargjet në fjalë jepet nga një porosi si psh: misioni, përndjekja, qëndresa, dhe në fund ëndrra e kahmotshme liria.
Libri poetik Brigjet (1981) i poetit Esad Mekuli, me tematikën e tij paraqet një gjendje shoqërore dhe sociale, të shoqërisë sonë që e fuqizon edhe mëtej, tematikën në librat poetik paraprak të këtij poeti.

Përfundimi
Në këtë punim për librin poetik Brigjet të Esad Mekulit, kam përdorur metodën sematike, duke synuar që të jap një interpretim tematik rreth këtij librit poetik në fjalë.Në punimin tim me titull Malli dhe përkushtimi në librin poetik “Brigjet” të Esad Mekulit, kam arritur që të interpretojë këtë libër në një masë mjaft të madhe, ku arrita që të indentifikojë temat brenda librit në fjalë, dhe njëkohësisht ndërtimin tematik që e realizon poeti Mekuli, në këtë libër. Interpretimin e temave me theks të veçantë, temës atdhetare dhe asaj përkushtuese gjatë këtij punimi, është një pikë referuese që e kam trajtuar në këtë punim. Ky punim shpresoj që të kontribojë në lidhje me studimet e mëtejme mbi poezinë e Esad Mekulit.

(Kumtesa u lexua në “Konferencën doktorale” në UP)

Më Shumë

Muhamed Thaçi: Besoj se Ylli fiton në fund, e mposht në finale Trepçën

Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit