Manchester City dhe UEFA do të nisin betejën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Kampionët e Premier League kanë apeluar pezullimin dyvjeçar nga garat evropiane, pasi organet e UEFA-s morën masën ekstreme për shkelje serioze të rregullave të “Fair Play Financiar”.
Nëse konfirmohet vendimi i UEFA-s, City do të duhet të përballet me një betejë tjetër për të shmangur largimin e disa prej emrave kryesorë të ekipit.
Sidoqoftë, nëse City do të jetë i suksesshëm në rrëzimin e pezullimit në CAS, autoriteti i UEFA-s do të dëmtohej në mënyrë të pashembullt e sigurisht do të ngriheshin pikëpyetje mbi “Fair Play Financiar”.
Të dyja palët kanë nxjerrë armët e tyre të mëdha për një betejë që pritet të jetë intriguese gjatë tri ditëve.
UEFA thotë se ka angazhuar përfaqësuesit e saj më të fortë për këtë çështje.
Nga ana tjetër, Citizens mbështeten te një “ekip ëndrrash”, i cili përfshin David Pannick, QC, i cili dy herë sfidoi me sukses qasjen e qeverisë për procesin e Brexit.
Drejtuesit e Manchester City-t kanë këmbëngulur në pafajësinë e tyre.
Pas shpalljes së dënimit, që përfshin edhe një gjobë prej 26 milionë stërlinash, shefi ekzekutiv, Ferran Soriano, tha se ishte “i zhgënjyer, por jo i befasuar nga vendimi”.
Ai shtoi se akuzat ishin “false”, duke thënë: “Ne do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet për ta vërtetuar atë”.
Siç u zbulohet nga “Sportsmail”, 10 rivalët kryesorë të City-t, me përjashtim të Sheffield United, i shkruan CAS-t për të ndalur çdo përpjekje të Citizens për të pezulluar vendimin, por asnjë një masë e tillë nuk u mor nga CAS.
City u zbulua se kishte të ardhura fiktive nga sponsorizimet në llogaritë e paraqitura midis 2012 dhe 2016.
UEFA filloi hetimin e tyre pas publikimit të dokumenteve nga Der Spiegel në Gjermani.
Vendimi i CAS-it pritet të merret para se të rifillojë futbolli i Champions League.
Të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë një reduktim i pezullimit.