Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i ka bërë të gjitha përgatitjet për organizmin e pjesës së dytë të Provimit Shtetëror të Maturës, i cili pritet të mbahet sot ( e shtunë).
Kryetari i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në MASHT, Mustafë Kadriu, ka thënë se MASHT i ka përgatitur testet të cilët në mesnatë janë dorëzuar nga kompania e kontraktuar për shtyp, rreth orës 4:00 të mëngjesit ato janë paraparë që të barten nëpër qendrat e testimit dhe deri në ora 9:00 të mëngjesit të ditës së sotme të gjitha kutitë e testimit duhet të jenë nëpër qendrat përkatëse.
Kadriu u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që të mos kenë me vete asgjë përveç lapsit dhe ujit pasi ka thënë se çdo telefon celular apo mjet tjetër i mundshëm për kopjim, nxënësin do ta nxjerr nga provimi dhe i njëjti do të dënohet duke ia pamundësuar edhe të drejtën e provimit për 3 deri në 5 vite.
Në ditën e shtunë do të jenë 3 mijë administrues-pjesëtarë të sigurimit civil të cilët janë kontraktuar nga MASHT, në secilën qendër do të jetë drejtori i shkollës, menaxheri i qendrës, një pjesëtarë i komunës si dhe pjesëtarët e sigurimit.
Testi të shtunën pritet të fillojw në ora 10:00 në rreth 400 qendra, do të zgjasë 180 minuta dhe përmban 80 pyetje.
Rezultatet e tij pritet të publikohen më 7 korrik derisa çdo nxënës që i ka 100 nga 200 pyetje të sakta do ta kaloj atë me sukses.