18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Mbreti Zog na premtoi se do luftonte me ne

Kristo FrashëriNdërhyrja e drejtorit qe një pengesë e papritur. Ishte rrezik që drejtori t’i urdhëronte nxënësit të mos dilnin nga shkolla ose të mbyllte portën e oborrit. Kohë nuk kishte që të bindeshin e të sqaroheshin të gjithë. Ora 5, kur do të fillonte demonstrata dhe kur nxënësit duhej të ndodheshin në sheshin “Skënderbej” po afrohej. Kur në mënyrë të papritur në orën 4.30 ndërtesa e gjimnazit u rrethua prej xhandarëve. Xhandarët nuk nganë dhe nuk penguan njeri të hynte e të dilte. Në fillim nuk u kuptua se ç’qëllim kishte kjo masë. Nxënësit u çuditën dhe u hutuan.

– Të dalim që tashti, – menduan disa nxënës.
– Të dalim sa më parë, se mos na mbyllin brenda, – shtonin disa të tjerë.
– Të dalim, po ku të vemi? Ora s’ka ardhur akoma! – përgjigjeshin të tjerë nxënës.
– Të dalim, pa mblidhemi në një vend tjetër.
– Jo, se edhe atje vijnë e na rrethojnë!
– Të rrimë dhe kur të vijë ora të dalim, s’kanë se ç’të na bëjnë!
– Po pankartat?
– Pankartat t’i fshehim, t’i futim në depon e druve ose në tavan!

Ndërsa nxënësit qenë në telash të madh, hyn në oborrin e shkollës një burrë i vjetër, me kokë të madhe, mustaqe të trasha dhe me bastun në dorë, i shoqëruar nga disa xhandarë dhe civilë. Ai kaloi përmes oborrit, ngjiti shkallët dhe hyri në drejtori.
Nxënësit që nuk e njihnin pyesnin:
– Kush është ky?
– Është Musa Juka, ministri i Brendshëm.

Pas pak drejtori lajmëroi nxënësit të mblidheshin përpara drejtorisë se do t’u fliste ministri. Kur nxënësit u mblodhën përpara shkallëve të drejtorisë, filloi të fliste Musa Juka. Musa Jukën, pjellën anadollake, njeriun e hafijeve, llumin e shpëlarë të bejlurçinave, këlyshin e xhonturqve, njeriun e litarit e të natës shumë të rinj nuk e kishin parë ndonjëherë nga afër, por emrin ia kishin dëgjuar. Nga tregimet që kishin dëgjuar, atë e përfytyronin si një përbindësh të uritur për viktima dhe tani çuditeshin që e kishin përpara syve, me fytyrën ngjyrë mavi.
Musa Juka donte të evitonte shpërthimin e demonstratës dhe si duket, me anën e spiunëve ishte informuar se agjentët e tij nuk qenë në gjendje të ndalnin valangën që do të shpërthente pasdreke. Për t’i prerë hovin demonstratës, ndërsa ai vetë erdhi në Gjimnazin e Shtetit, Faik Shatku, ministri i Arsimit, vajti në Shkollën Teknike po për të njëjtin qëllim.

Musa Juka fliste me të urtë e me të butë. Ai kishte frikë, kishte frikë nga ata të rinj që po e vështronin me çudi. Duke folur për mbretin e për qeverinë që e kishin vënë gjoja punën në vijë dhe i kishin larguar retë e zeza, Musa Jukës i merrej goja dhe fytyra iu mavijos më tepër. Ai vazhdoi të fliste duke i këshilluar studentët të rrinin urtë, të hiqnin dorë nga demonstratat.
– Sot nuk asht vakti i demonstratave, – vazhdoi, – prandaj qëndroni në shkollë ose shkoni në shpijat tueja. Disa prej jush t’u thonë shokëve tuaj të Shkollës Teknike të mos dalin, se demonstrata u anullua. Kshu pra?
Asnjë nuk u përgjigj. Heshtja e mërziti ministrin. Ky kërkoi edhe një herë të përgjigjeshin. Atëherë nga radhët e studentëve, një djalosh e prishi heshtjen duke iu drejtuar me fjalë të prera Musa Jukës:
– Zoti ministër, ç’dëm i sjell vendit demonstrata jonë? Ne nuk do të dalim kundër qeverisë, ne do të kërkojmë të na japin armë për të mbrojtur atdheun nga rreziku.
– Do kërkoni armë? – tha i tmerruar Musa Juka. – Kush ju ka mësue? Mos ndonji keqbas? Mosni, bre çunat e ri, mosni se kemi naltmadhëninë që mendon për ne! Hajt pra, si thoni? A po ma jepni fjalën se s’keni për të shkue në manifestim? Hajt pra, epmani fjalën, se unë pa fjalën tuej s’po luej prej vendit.

Fjalën askush s’po ia jepte. Por ndërkohë gjendja po vështirësohej. Koha po kalonte, ora e caktuar po afrohej, ministri ngulte këmbë dhe nuk largohej, nxënësit shikonin njëri-tjetrin në sy. Shkolla vazhdonte të ishte gjithnjë e rrethuar.
Si nuk mori përgjigje, ministri desh ta bënte punën të kryer duke thënë:
– Hajt pra, zgjidhni dy a tre vetë nga shokët tuej, të shkojmë bashkë në Shkollën Teknike. Ata presin fjalën tuej. Eja ti dhe ti, – iu drejtua me gisht dy studentëve.
Gjendja u rëndua. Disa studentë filluan të lëkundeshin. Filluan të thoshin:
– Të heqim dorë nga demonstrata. Po të bëjmë demonstratë, ministri do të inatoset. Xhandarët i ka me vete dhe do ta paguajmë rëndë.
Ora po afronte dhe duhej patjetër t’i jepej fund asaj situate. Të gjithë pyesnin:
– Ç’të bëjmë tani?
– T’ia fillojmë që këtu demonstratës? – propozoi një nxënës.
– Jo, – u përgjigj një tjetër. – këtu ka xhandarë, këtu do të dështojmë!
– Ejani shpejt, – tha ministri, – zgjidhni dhe një tjetër, shpejt se s’ka kohë.
Pa mbaruar fjalën Musa Juka, ndërhyri një civil që shoqëronte ministrin:
– Zoti ministër, s’ka kohë për të vajtur deri në Shkollën Teknike, prandaj këta duhet të flasin me telefon, nga zyra e drejtorisë.
– Mirë, shumë mirë, ashtu po bajmë, – u përgjigj ministri.
Studentët panë njëri-tjetrin në sy. U duk sikur ministri ia arriti qëllimit. Njëri nga të dy studentët, Jusuf Keçi, të cilit i kishte vënë gishtin ministri, u tha shokëve të tij me ngadalë:
– Unë po shkoj lart në drejtori me ministrin, atje do t’i sjell pengesa, ndërkohë ju dilni dhe filloni demonstratën.

Të dy nxënësit filluan të ngjitin shkallët e drejtorisë. Ministrit iu çel fytyra nga suksesi që kujtoi se korri. Pastaj bashkë me suitën e tij u ngjit shkallëve të drejtorisë. Atje Jusuf Keçi u informua me telefon nga Shkolla Teknike se nxënësit ishin nisur nga shkolla për në sheshin “Skënderbej”. Kështu plani i ministrit Musa Juka dështoi.

Sa u largua nga sytë ministri, nxënësit lajmëruan njëri-tjetrin të dilnin nga shkolla dhe të grumbulloheshin me shpejtësi në sheshin “Skënderbej”. Disa shokë shkuan në oborrin e pasmë, atje ku qenë fshehur pankartat dhe kapërcyen me to avllinë nga ku nuk kishte xhandarë.
Nga shkolla nxënësit kaluan togje-togje përmes xhandarëve. Jo shumë larg gjimnazit ndodhej Parlamenti. Aty qenë grumbulluar deputetët. Disa u shkëputën nga masa e nxënësve, u drejtuan për në Parlament, hynë brenda, duke u thënë deputetëve:

– Pse rrini këtu zotërinj? Jashtë po valon Tirana. Lërini fjalët dhe ejani të kërkojmë armë për të mbrojtur vendin.
Deputetët dolën nga Parlamenti, por nuk panë njëri-tjetrin nga ikën.
Ndërkohë në sheshin “Skënderbej” arritën nxënësit e Shkollës Teknike, po ashtu dhe një grup vajzash të Institutit Femnor. Në sheshin “Skënderbej” lëvrinte një mizëri e madhe njerëzish, që prisnin sinjalin e demonstratës. Pas pak buçiti kënga. Grumbulli i madh i njerëzve filloi të drejtohej nga rruga e Sahatit.
Turma sa vinte e shtohej. Si mbaroi kënga, filluan thirrjet: “Armë! Armë!”. Pastaj prapë kënga. Herë me këngë dhe herë me thirrje për armë, turma arriti deri në xhaminë e vjetër, aty ku sot është ngritur monumenti i Ushtarit të Panjohur. Aty ku rrugët ndahen, masa e demonstratorëve qëndroi. Në rrugën që shpinte në pallatin e mbretit, u radhit me të shpejtë një kordon xhandarësh. Komandanti i qarkut dhe komisari i policisë kujtuan se ajo turmë që këndonte me shpirt revolucionar dhe kërkonte armë, ai grumbull i madh njerëzish të lidhur krahë për krahë, do të hynte në pallat. Prandaj për të prerë rrugën dhanë urdhra të rrepta të formoheshin dy kordonë xhandarësh.
Si ndali turma, pas një çasti, duke qëndruar mbi shpatullat e disa shokëve, u ngrit një djalosh. Këngët e brohoritjet vazhdonin.
– Pushoni shokë, se dikush do të flasë, – thirrën disa zëra.

Të tërë pushuan. Djaloshi filloi të flasë:
– Ju të gjithë e keni marrë vesh se vendi ynë ndodhet në rrezik të madh. Ju të gjithë e keni dëgjuar se kush është ai shtet që kërkon të pushtojë vendin tonë, që kërkon të na veshë me të zeza, me të zezat e robërisë. Ne nuk dimë se ç’mendon qeveria, nuk dimë se ç’ka ndër mend të bëjë, por ne e dimë detyrën tonë. Detyra jonë është të mbrojmë atdheun, me armë e jo me fjalë, me gjak e jo me pallavra. Prandaj kemi dalë ta themi sheshit se ne duam armë të luftojmë, se ne nuk do të lëmë asnjë armik të shkelë mbi tokë tonë pa shkelur më parë mbi trupat tanë. Rroftë atdheu! Rroftë populli shqiptar!

Një breshëri duartrokitjesh shpërthyen dhe një llavë brohoritjesh mbyllën fjalët e djaloshit. Thirrjet “Armë! Armë! Armë!” buçitën gjer në kupë të qiellit. Pastaj filloi kënga “Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!” Kur ajo mbaroi, u ngrit dhe foli një qytetar thatanik. Edhe ai kërkoi armë për të luftuar. Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të stuhishme dhe me këngë. Kënga nuk kishte mbaruar kur dy vetë nga kreu i turmës thërritën:
– Pushoni, pushoni! Do flasë Mehdi Beu!

Ish-kryeministri i Zogut, Mehdi Frashëri, me fraza të errëta dhe me pozë politikani, filloi të fliste me një gjuhë diplomatike pa kripë, fjalë tërë flluska, të cilat njeriu sapo i dëgjon i harron se nuk lënë asnjë mbresë. E vetmja gjë që u kuptua nga fjalët e Mehdi beut, të mbuluara edhe ato me mjegullën e termave të huaja, qe ajo e së drejtës së popullit shqiptar për të jetuar në një shtet “endependan”, “suvëren”, prandaj vendi duhej mbrojtur. Por nuk duhet të harrojmë, tha ai, se ne kemi një qeveri “luajal”, kemi një mbret “ogyst” e të tjera fjalë burokratike.
Këtë fishekzjarr të Mehdi Frashërit e kapi menjëherë një deputet që ndodhej pranë tij, i cili vrapoi të fliste:
– Puna më e mirë që mund të bëjmë ne sot është të zgjedhim një komision e ta dërgojmë te naltmadhënia që t’i deklarojë se ne jemi gati të mbrojmë vendin. Prandaj ne duhet të zgjedhim këtu një komision!

Ato fjalë ngjallën një bisedim të zjarrtë. “Si i bëhet?” – “Të zgjidhet apo të mos zgjidhet komisioni? – “Të vejë apo të mos vejë te mbreti?” – Mirë është të zgjidhet, mirë është të vejë, po ç’t’i thotë? T’i thotë ato që tha deputeti? Jo, s’bëhet! Më mirë të mos vejë fare”. Diskutimet po zienin. Zgjidhja akoma nuk po dukej. Në atë çast, një i ri iu drejtua deputetit:
– Zoti deputet, a nuk është më mirë të vemi të gjithë, kështu si jemi, te mbreti pa qenë nevoja për komision?
Një burrë që rrinte pranë deputetit tha:
– Një djalë i ri kërkon të vemi të gjithë siç jemi te mbreti? Fjalë është kjo? Bëhet gjëkundi kjo? Pse kryengritje do bëjmë ne? A na ka hije ne t’i vemi mbretit si ushtri e Haxhi Qamilit? Punë që s’bëhet! Punë që s’bëhet! – vazhdoi të fliste i nxehur e i shkumëzuar.
Më në fund u zgjodh një delegacion prej pesë vetash. Ky delegacion i kryesuar nga vetë deputeti shkoi në pallat dhe atje u takua me mbretin Zog. Turma priti derisa u kthye delegacioni.

Deputeti dha sqarime mbi takimin me mbretin.
-Zogu na priti mirë, – tha deputeti, – na dha dorën, na tha se hë për hë furtuna e madhe duket sikur kaloi, prandaj s’është koha për shqetësime. Sidoqoftë, – këtu deputeti ngriti zërin, – atdhedashuria juaj, na tha naltmadhnia, – është e madhe dhe po qe se gjendja do të ngatërrohet përsëri, unë vetë i pari, shtoi mbreti, do të mbath përsëri opingat dhe do të dal të luftoj, kudo që të jetë nevoja. Prandaj, – tha ai, – nuk ka pse të kërkojmë armë. Kur të jetë puna për armë, vetë mbreti do të dalë i pari; këtë na e tha vetë mbreti me gojën e tij.
Data 5 prill

Të mërkurën që në mëngjes, më 5 prill, në qendra pune dhe në shkolla kalonin shokë për t’i lajmëruar se pas dreke do të shpërthente një demonstratë më e madhe. Vendi i takimit ishte sheshi “Skënderbej”. Në Tiranë kudo puna ishte prerë. Dyqanet qenë pothuaj gjysmë të mbyllura; qepenat e vitrinave qenë të ulura, kurse ato të dyerve gati për t’u mbyllur. Në këto e sipër u hap lajmi se lindi princi trashëgimtar. Pastaj filluan të gjëmojnë topat për t’i dhënë ditës pamjen e festës. Këto dhanë shkak që zyrat të mbylleshin fare.

Pasdreke tërë njerëzia priste të shpërthente demonstrata. Nxënësit e Shkollës Teknike, për të shmangur ardhjen e tyre me vonesë, u nisën pak para kohës së caktuar dhe me këngë e flamurë, kazma e lopata në krahë, po drejtoheshin në qendër të qytetit. Rrugës disa qytetarë u bashkuan me ta. Kur arritën në sheshin “Skënderbej”, sollën me vete demonstratën e filluar. Tërë ç’qenë aty u bashkuan dhe kështu, si dhe një ditë më parë, duke kërkuar armë, u drejtuan në rrugën “28 Nëntori”. Te “Sahati i Madh” turma u ndesh me kordonin e xhandarëve, që qëndronin me armë në duar dhe nuk donin të linin njeri të kalonte tutje.

Po turma nuk ndali. Me këngë në gojë, të lidhur, krahë për krahë, ecnin përpara, pa marrë parasysh kordonin e xhandarëve. Ecnin duke thirrur herë pas here për armë e duke brohoritur. Xhandarët në fillim nuk deshën të luanin nga vendi, por kur panë se turma po u afrohej përpara hundëve, kur panë se me gjokset e tyre demonstratorët po u mbulonin tytat e pushkëve, filluan të tërhiqeshin dalëngadalë.
– Qëndroni! – bërtiste një kapiten i xhandarmërisë, – ku doni të shkoni?

Asnjëri nuk i dha përgjigje. Turma me hap të sigurt vazhdoi rrugën e saj duke manifestuar për mbrojtjen e vendit.
Rrugët që shpinin për në pallat qenë përsëri me xhandarë të armatosur. Të përleshurit me xhandarmërinë nuk kishte ndonjë kuptim ato ditë. Përpara rrezikut të madh që trokiste në derë, çështja e regjimit të brendshëm ishte lënë pas krahëve.
Turma ktheu nga Rruga Mbretërore (sot Rruga e Barrikadave) dhe pastaj vazhdoi në rrugë të tjera. Demonstrata vazhdoi. Në orën 8 të mbrëmjes ajo mori fund dhe pjesëmarrësit u shpërndanë. U pa se demonstratat tani ishin të pamjaftueshme. Duhej shkuar më tutje. Por kjo qe tepër e vështirë. Atë e pengonte vetë qeveria. Me mijëra vetë ishin treguar në Tiranë të gatshëm për të luftuar. Një gatishmëri të tillë kishin treguar të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por për të luftuar duheshin armë. Armë kishte – por ato qenë fshehur.
Data 6 prill

Të enjten, më 6 prill, Tirana u gdhi jashtëzakonisht e turbullt. Të parën gjë që mësonte njeriu në rrugë, kur dilte nga shtëpia, qe lajmi se sulmi i Italisë fashiste qe shumë i afërt. Thuhej se qe çështje dy-tri ditësh. Dikush thoshte se kishte parë filan ministër që përgatiste dengjet me plaçka. Disa të tjerë thoshin se komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë i ngriti baulet me teshat e tij.
Rrugës njerëzit i shikoje të alarmuar. Dyqanet nuk po hapeshin, kurse kafet qenë plot dhe aty brenda zienin thashethemet. Grumbuj njerëzish silleshin në sheshin “Skënderbej” dhe prisnin ç’do të ndodhte. Shumë të tjerë rrinin aty pa ditur se ç’prisnin. Dy veta kalonin afër tyre dhe u thoshin:
– Okupacioni është i afërt. Kush është vullnetar për të luftuar me armë, le të shkojë të regjistrohet në oborrin e “Kursalit” ose në “Pazarin e Vjetër”.
Në atë kohë Hamdi Shijaku më njoftoi që të merrja pjesë në një mbledhje që do të zhvillohej në orën një të drekës në rrugën e vjetër të Shkodrës, sot rruga “Mine Peza”. Në orën e caktuar u mblodhëm në një shtëpi tiranase rreth 20 vetë. Figura më e shquar e mbledhjes ishte Tajar Zavalani. Ndoshta ai ishte nismëtari i mbledhjes. Aty u trajtuan tri çështje. E para, u kërkua të hartohej një peticion me të cilin t’i kërkohej mbretit lirimi i komunistëve që mbaheshin të burgosur në Mbreshtan të Beratit. E dyta, meqenëse qeveria kishte kapitulluar, si mund të siguroheshin armët për të luftuar kundër okupatorit fashist. E treta, nëse pushtohej Shqipëria nga Italia fashiste, duhej qëndruar në vend apo duhej arratisur jashtë atdheut. Dy çështjet e para u miratuan shpejt. U pranua teksti i përgatitur drejtuar qeverisë për të liruar komunistët e burgosur padrejtësisht. U vendos të sulmoheshin depot e armëve dhe me to të pajiseshin vullnetarët. Çështja e tretë pati debate të zjarrta. Disa ngulën këmbë për t’u arratisur pas okupacionit, mbasi jashtë atdheut mund t’i shërbenin më mirë Shqipërisë. Të tjerë kundërshtuan me argumentin se okupatori i huaj mund të luftohej më mirë brenda vendit se sa jashtë atdheut. Përkrahës i tezës së dytë ishte edhe Tajar Zavalani me argumentin se emigracioni nuk kishte vlerë. Por pasi u vendos okupacioni, ai u arratis.

Pasdite në sheshin “Skënderbej” me mijëra njerëz prisnin se ç’duhej bërë. Ndërkohë, u shfaq në qiellin e Tiranës një skuadrilje avionësh luftarakë italianësh. Fluturonin ulur aq sa dukeshin qartë shenjat e liktorit që mbanin avionët. Si u dukën që ishin aeroplanë italianë, një klithmë e madhe shpërtheu në sheshin “Skënderbej”. Një i ri thërriti:
– Rroftë Shqipëria! Ne nuk na trembin aeroplanët! Poshtë armiku!
Të gjithë u përgjigjën. Me qindra vetë u treguan grushtet e tyre aeroplanëve. Pastaj filloi kënga:
“Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!
Vraponi burra se s’ka me pritë!”

Aty për aty, shpërtheu përsëri demonstrata, e cila vazhdoi deri natën vonë. Gjer natën vonë, Tirana ushtonte nga thirrjet: “Armë! Armë! Armë!”.
Megjithëse tashmë dihej me siguri pushtimi i Shqipërisë nga ushtritë fashiste, asnjë nuk e mendonte se ai do të ndodhte pas disa orësh. Qeveria vazhdonte gjithnjë të heshtte.

Të premten që në mëngjes, një mori e madhe aeroplanësh e zgjuan me tmerr Tiranën. Qenë aeroplanët fashistë, që lajmëronin me anën e fletushkave se kishte filluar zbarkimi i trupave italiane dhe se kishte filluar pushtimi i Shqipërisë.

Njerëzit u ngritën me të shpejtë. Ç’të bënin? Shumë të rinj vrapuan menjëherë në qendrën e Tiranës për të kërkuar mjete për të shkuar në Durrës.
Një kamion plot me vullnetarë u nis për në Durrës. Qindra njerëz të tjerë kërkonin mjete. Por mjete nuk kishte. Nuk kishte gjëkundi as kamionë, as makina të tjera. Pak më vonë, arriti me një frymë nga Durrësi një motoçiklist, i cili përhapi lajmin se atje buzë detit ushtarët italianë akoma nuk kishin vënë këmbë mbi tokë, se dy herë kishin tentuar për zbarkim dhe dy herë qenë detyruar të futeshin përsëri në luftanije, duke lënë plot ushtarë të vrarë.KRISTO FRASHERI

Më Shumë

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Totaj viziton disa biznese të Prizrenit

Kryetari i komunës ë Prizrenit, Shaqir Totaj ditën e premte ka vizituar dhe ka parë nga afër të arriturat e disa prej bizneseve të...

Lajmet e Fundit