4 C
Prizren
E premte, 13 Dhjetor, 2024

Meri Kumbe, një botim dinjitoz, kodikët muzikorë në Arkivin e Shtetit

78345Është tashmë e njohur për publikun shqiptar se në Arkivin Qendror të Shtetit, krahas një numri mjaft të madh dokumentesh origjinale, që vijnë që nga lashtësia e deri në ditët tona, ruhet dhe një pasuri e madhe dorëshkrimesh të Mesjetës, të cilat hedhin dritë mbi zhvillimin e vendit, jetën kulturore e fetare të tij dhe mbi historinë e popullit tonë. Ndër ta, edhe pse në numër të kufizuar dhe të panjohur për publikun e gjerë, janë dhe kodikët muzikorë, gjashtë prej të cilëve janë tema e botimit të studiueses së re Meri Kumbe. Libri paraqet temën e masterit të saj, botimi i së cilës tregon se nuk ishte thjesht një master për një gradë shkencore që i shtohet CV-së, por dëshmi e një studimi të mirëfilltë.
Studimi dhe botimi i këtyre gjashtë kodikëve muzikorë mesjetarë përbën një kontribut për studimet albanologjike, duke dëshmuar mbijetesën e kulturës bizantine e kristiane, me gjithë rrethanat historike jo të favorshme për to, duke dëshmuar për vlerat e saj dhe vlerësimin e tyre nga besimtarët duke i ruajtur ata brez pas brezi. Si e tregon autorja, muzika kishtare është arti i tërësisë harmonike të tekstit me tingujt, duke u bërë pjesë e ritualeve kishtare.

Studimi ndahet në dy pjesë me gjithsej katër krerë. Pjesa e parë fillon me kreun “Dorëshkrimet e Arkivit Qendror të Shtetit”, në të cilin trajtohet një historik i shkurtër i Kishës Ortodokse në trojet shqiptare, koleksioni i dorëshkrimeve bizantine e postbizantine në vendin tonë dhe prejardhja e dorëshkrimeve. Me të dhënat dhe përfundimet e këtij kreu përftohen njohuri të plota për këtë trashëgimi. Më tej kjo pjesë vazhdon me kreun e dytë, ku paraqiten së pari dorëshkrimet me shkrime ekfonetike, që gjenden midis dorëshkrimeve që gjenden në arkiv. Të tilla janë nëntë, fragmente të të cilave theksohen me shenjat ekfonetike. Më i vjetri ndër to, Berat 3 mbi pergamenë, është i shekullit IX, që është dhe koha kur përdoret për herë të parë ky sistem, ndërsa më i voni, Berat 89, i shekullit XIV. Një grup më vete që është dhe objekti i monografisë e përbëjnë dorëshkrimet me notacion bizantin, nga të cilat ruhen në arkiv gjashtë (plus një fletore me katrore e shek. XX).

Autorja e studimit vëren gjithashtu se dikur, siç tregojnë artikuj të botuar gjatë shekujve XIX-XX, në vendin tonë ka pasur dhe të tjerë kodikë muzikorë, të dhënat për të cilët na i paraqet.

Pjesa e dytë e këtij libri ka dy krerë, i pari, mjaft shterues dhe në natyrën e kësaj monografie, jep përshkrimin analitik të këtyre 6 kodikëve, ndërsa në kreun e dytë jepet pjesa studimore për ta, që autorja e cilëson “Komente dhe përfundime”. Libri shoqërohet me një përmbledhje në gjuhën angleze, me literaturën e përdorur dhe me ilustrime të kodikëve.

Monografia jep të dhëna të plota e analitike në nivel shkencor, mbi përmbajtjen, gjendjen fizike, gjykime për shkrimin dhe shenjat muzikore, datimin dhe autorin eventual. Komentet, vrojtimet dhe vle-rësimet janë pjesë origjinale e studimit, ashtu dhe analiza dhe veçantitë e çdo kodiku. Me vlerë janë dhe të dhënat për emrat e poetëve dhe muzikantëve, kopjuesit dhe toponimet. Duhet të vërejmë se çdonjëri nga kodikët është paraqitur sipas metodologjisë shkencore mbizotëruese në lëmin e katalogizimit të kësaj gjinie të dorëshkrimeve bizantine. Po kështu, edhe krahasimet e literatura e përdorur për identifikimin dhe studimin e teksteve nxjerrin në pah vlerat e tyre që gjer më sot pranoheshin si të mirëqena, por që nuk ishte vërtetuar shkencërisht, gjë që arrihet në këtë studim.

Studimi i këtij materiali dhe krahasimet me shembuj të tjerë tregon se arti psaltik në Shqipëri, nga shek. XIII deri në shek. XIX u zhvillua sipas artit të Konstandinopojës. Po kështu, autorja arrin në përfundimin se Kodiku 23 i Beratit zë një vend të veçantë, për vjetërsinë, e sidomos për mënyrën e veçantë dhe prototipe të organizimit të materialit muzikor. Studimi dhe botimi për këta kodikë muzikorë hap një dritare të re për studimet në fushën e historiografisë muzikore shqiptare dhe të traditave në të, sepse janë dëshmi, edhe pse e pjesshme, e kulturës muzikore të popullit shqiptar. Po kështu, me rëndësi është përfundimi i studiueses se, kodikët muzikorë për një vend të vogël si Shqipëria, që ka qenë i detyruar ndër shekuj të luftojë për mbijetesën e vet, përbëjnë një trashëgimi të vyer në thesarin e kulturës kombëtare.

Nuk mund të mos e përgëzojmë studiuesen Meri Kumbe për këtë kontribut me vlerë në studimet për artet tona mesjetare, historinë e muzikës dhe arkivistikën, që megjithëse e re, me këtë punim dëshmoi prirjet, përgatitjen dhe nivelin e saj të mirë për kërkime shkencore e aq më tepër në një fushë jo të lehtë e të palëvruar të studimeve shqiptare. Ne i kuptojmë vështirësitë që ka kërkimi në arkiv dhe sidomos studimi i vetë materialeve arkivore të gjinisë së dorëshkrimeve mesjetare dhe kjo është edhe një dëshmi tjetër e pasionit, përgatitjes shkencore, aftësisë dhe punës së autores. Duke i uruar asaj suksese e punë të mëtejshme, nuk mund të mos vlerësojmë mbështetjen që i dhanë Arkivi Qendror i Shtetit për kryerjen me sukses të kësaj monografie dhe për botimin dinjitoz.ALEKSANDËR MEKSI

Më Shumë

Ballkani ndalet në Ferizaj, Feronikeli merr pikë në Malishevë

Ballkani është ndalur me barazim në Ferizaj, ndërsa edhe Feronikeli e Malisheva kanë ndarë pikët. Të dielën janë zhvilluar dy ndeshje të javës së gjashtëmbëdhjetë...

Arrestohet ukrainasi në Vërmicë, u dha zyrtarëve policorë 50 euro për ta kaluar kufirin

Një shtetat ukrainas është arrestuar në pikën kufiare në Vërmicë, pasi në hyrje të Kosovës, në kontroll të dokumenteve u ka ofruar zyrtarëve policorë...

Lajmet e Fundit