Komuna e Malishevës ka demantuar akuzat e PDK-së për fshehje të vendeve të punës. Në një komunikatë për media, Drejtoria e Arsimit, ka vlerësuar se akuzat e PDK-së janë tendencioze dhe të njëanshme.
Komunikata e plotë
Reagim ndaj komunikatës së degës së PDK-së në Malishevës, të botuar në disa portale: “Po vazhdon fshehja e vendeve të punës nga DKA-ja në Malishevë”
Bazuar në publikimin e komunikatës për medie të lëshuar nga partia opozitare PDK- ja në Malishevë, të datës 03.09.2016, Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit informon mbarë opinionin publik, se kjo deklaratë është tendencioze dhe ka vlerësime të njëanshme politike në raport më zhvillimet e fundit sa i përket shpalljes së konkurseve për vitin shkollor 2016-2017.
Për hir të vërtetës për opinionin publik, Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Malishevë, informon që kemi bashkëpunuar ngushtë me të gjitha shkollat, që shpallja e konkursit të jetë në harmoni me nevojat për pranimin e mësimdhënësve për vitin shkollor 2016/17, dhe kjo u vërtetua sepse konkursi është mbyllur dhe personeli arsimor është sistemuar në bazë të kualifikimeve. Ne, po ashtu jemi duke bashkëpunuar ngushtë me shkollat që të shohim të gjitha mundësitë, që personeli arsimor të jetë në punë në bazë të kualifikimeve, ose ku nuk ka kuadër të mjaftueshëm në bazë të kualifikimeve të përafërta. Po ashtu vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të konsultohemi edhe të koordinohemi me Zyrën Rajonale të Arsimit , dhe me Zyrën Ligjore të MASHT-it, e me autoritetet arsimore në vend që të konsolidojmë të gjitha politikat programore, të punësimit dhe zbatimit të ligjit për arsimin parauniversitar.
Po ashtu informojmë opinionin publik se e kemi të vështirë që defektet në qeverisjen e arsimit të akumuluara për gati 12 vjet nga qeveritë e kaluara, të i evitojmë shumë shpejt, e të cilat defekte nuk është e lehtë të korrigjohen për tri vjet qeverisje. Megjithëkëtë jemi duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha autoritetet vendimmarrëse në sistemin arsimor, të i ndryshojmë gjërat për të mirën e komunitetit shkollor, dhe sistemit tonë arsimor.
Në fund të këtij reagimi deklarojmë se jemi të përkushtuar për të realizuar një proces edukativo arsimor në përputhje me ligjin dhe transparencën. Jemi dhe do të jemi të hapur të shqyrtojmë të gjitha parregullsitë që vet ky subjekt opozitar sa ishte në pushtet i kishte instaluar, dhe jemi të interesuar për bashkëpunim me këdo që vërtet ka synim të ndërtojmë një sistem të arsimit cilësor, e me rezultate cilësore.
/PrizrenPress.com/