20.2 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Mourinho thotë se Lazio është pretendente për të fituar UECL, nuk nguron të ‘ngacmojë’ Igli Taren

Jose Mourinho ka ndezur derbin e të dielës përballë Lazio-s në Serie A. Lacialët të enjten në mbrëmje u eliminuan nga UEFA Europa League dhe do të vijojnë rrugëtimin e tyre evropian në Conference League (UECL).

Portugezi, i cili sezonin e kaluar shpalli Roma-n kampione në Conference League tha se Lazio është pretendente për të marrë trofeun e edicionit aktual. Ai madje nuk nguroi të “ngacmonte” dhe drejtorin sportiv të lacialëve, Igli Taren.

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare e ka quajtur turneun më të ri të UEFA-s, disa kohë më parë, si një kompeticion jo me shumë vlera.

“Unë mendoj se Lazio bëhet favorit për të fituar Conference-n. E them këtë me ndershmëri. West Ham si vitin e kaluar Leicester, Fiorentina, Lazio dhe kush më shumë? Villarreal që është ndryshe nga viti i kaluar? Nuk e pashë mirë se kush u rrëzua, por për mua ajo bëhet favorite”, tha Mourinho.

“Ata kanë trajnerin, lojtarët, ekipin për ta bërë këtë. Ndoshta problemi është se ata kanë zotin Tare që nuk dëshiron sepse nuk i pëlqen kjo garë”, u shpreh trajneri i Roma-s.

Skuadra e Roma-s do të luajë në play-off e Europa League. Përballë pritet të ketë një prej skuadrave të eliminuara nga Champions League si: Ajax, Barcelona, Bayer Leverkusen, Salzburg, Sevilla, Sporting CP dhe Shakhtar Donetsk.

Në krahun tjetër, Lazio do të jetë në play-off e Conference League. Për skuadrën e Maurizio Sarri-t përballë do të jetë një nga Anderlecht, Basel, CRF Cluj, Gent, Lech Poznan dhe Partizan Beograd.

Shorti i play-off për Europa League do të hidhet të hënën e 7 nëntorit në Nyon të Zvicrës, duke filluar nga ora 13:00. Një orë më vonë se ai i Champions League dhe një orë më herët se ai i Conference League, të cilat mbahen gjithashtu në të njëjtin vend.

/Albanianpost.com

Më Shumë

Hajnat plaçkitin një shtëpi në Prizren, vidhen para dhe stoli ari në vlerë mbi 30 mijë euro

Një rast i rëndë vjedhjeje është shënuar në orët e vona të së martës në lagjen “Dardania” të Prizrenit, ku persona ende të paidentifikuar...

Ligjëruesit amerikanë përmbyllin me sukses angazhimin në Universitetin e Prizrenit

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, zhvilloi një takim falënderues me ligjëruesit amerikan Matthew Gleason, English Language Fellow dhe...

Lajmet e Fundit