11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mullirit të Hoxhajve në Rahovec i cenohet autenticiteti në emër të restaurimit

Nuk mbrohet si monument, por besohet të jetë nja 300 vjet i vjetër. Ngrehina njëkatëshe me gurë tradicionalë, e njohur për rahovecasit si Mulliri i Hoxhajve, u është nënshtruar prej javësh punimeve në emër të restaurimit, të mbështetur nga Komuna e Rahovecit.

E rezultati është humbja e autenticitetit veçmas në enterier. Deri më tash pjesa e jashtme nuk është prekur. Kanë qenë ankesat e dy qytetarëve rahovecas, të cilat kanë bërë që Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune të enjten të urdhërojë ndërprerjen e përkohshme të punimeve.

Gjithçka ka nisur me një njoftim të gjeodezistit rahovecas, Suad Çmaga, i cili ka kritikuar projektin rreth Mullirit të Hoxhajve me pretendimin se aty po ndodh e “kundërta e restaurimit”.

“Në emër të restaurimit të trashëgimisë kulturore është duke ndodhur më e keqja, ku kemi fasadim të mullirit të vjetër afro 300 vjet, me pllaka të cilat nuk korrespondojnë me materialet rrethanore, madje në këtë rast kemi mbulim të gurëve të vjetër që u kanë mbijetuar tre shekujve”, kishte shkruar të mërkurën Çmega.

Teksa ka kërkuar që të respektohen kriteret e restaurimit nga institucionet përgjegjëse, ai u ka bërë thirrje institucioneve lokale që t’i ndërpresin urgjentisht punimet.

“Komuna e Rahovecit gjatë implementimit të projekteve të tilla duhet patjetër të konsultohet me ekspertë të trashëgimisë kulturore, arkitektë, inxhinierë, topografë, artistë, e të tjerë”, ka shtuar gjeodezisti rahovecas.

Në të vërtetë Mulliri i Hoxhajve është vetëm njëri prej tetëmbëdhjetë monumenteve kulturore e historike në projektin e Komunës së Rahovecit për riparimin e tyre.

Sipas kontratës në vlerë prej 78.846 eurosh, të nënshkruar më 15 nëntor të vitit 2018, në listë për riparim janë edhe: Kroni në Sheshin e Republikës, Kroni në Lagjen e Epërme, Kroni te Sahat Kulla, Kroni në Sheshin e Republikës II, Kroni i Haxhiajve, Kroni në rrugën ‘Elmaze Kadiri’, Kroni Pllaska, Kroni në qendër të qytetit, Kroni te Xhamia Kadiri, Kroni Eminazeri, Shtëpia e Kulturës, Bibliotekës dhe Salla e Qendrës Rinore në Krushë të Madhe, Biblioteka e Muzeut të Qytetit, Kroni në fshatin Nashpall, Vrella në fshatin Apterushë, Kulla e Mahmut Pashës, Kroni në fshatin Zaqisht, si dhe Bunari i Madh në fshatin Ratkoc.

Po sipas së njëjtës kontratë, punimet i janë besuar grupit të operatorëve ekonomikë “AGE group” SH.P.K dhe N.P.T “Bamirs”.

Por arkitekti nga Rahoveci, Qëndrim Gashi, ka vërejtje edhe për restaurimin e krojeve. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë mbuluar me rrasa, pllaka e beton gjashtë kroje.

“Tash po bëhet problematikë edhe çështja e Mullirit, tek i cili janë përdorur materiale të palejueshme në një restaurim”, ka thënë Gashi për KOHËN, teksa gjatë ditës ka pasur një takim me zyrtarët e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport./Koha Ditore

Më Shumë

Mirlind Daku flet për herë të parë: E kam pritur ftesën nga Kombëtarja, por është vendim i Sylvinhos

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me humbje vitin 2024, pasi u mund në miqësoren e parë për këtë muaj nga Kili me rezultat...

243 drunj në nderim të 243 të vrarëve në Krushë të Madhe

Shpimi i tokës duket jo i lehtë. Megjithatë në të po vendoset një dru dekorativ. Në parkun para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe...

Lajmet e Fundit