14.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Murphy: Partitë duhet të gjejnë zgjidhje

Christofer Murphy-senator amerikanPartitë politike duhet të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend, sepse zgjidhja e saj është në të mirë edhe të njerëzve që kanë investuar për këtë vend.

Kështu tha senatori amerikan, Christofer Murphy, gjatë takimit me studentët në Universitetin Amerikan në Kosovë, transmeton televizioni publik.

“Ne si Amerikë shpresojmë se partitë politike në Kosovë do t`i lënë paragjykimet e tyre personale dhe do të formojnë koalicionin që përfshinë sakrificë personale në dobi të shtetit. Kjo është ajo çfarë në të vërtetë demokracia është. Shpresojmë se së shpejti miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje që të vizitojnë Kosovën dhe të takohen jo vetëm me presidenten, por edhe me qeverinë e re”, u shpreh Murphy.

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, tha se faktori ndërkombëtar i ka dhënë mbështetje të plotë presidentes Jahjaga. Sipas tij, zgjidhja e krizës politike është në duart e lidershipit kosovar dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Miqtë ndërkombëtarë dhe parterët strategjikë e mbështesin këtë proces të Kosovës dhe të liderëve e të institucioneve të Kosovës i cili çon drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe të cilat do të përshpejtojnë proceset në të cilat ndodhet vendi”.

Senatori Christofer Murphy, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendet e Ballkanit, është takuar edhe me shoqërinë civile, nga i cili takim nuk ka pasur deklarata për media. Ndërsa në një postim në `Twitter` ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, këtë takim e ka cilësuar si shkëmbim të mrekullueshëm të ideve me rininë impresive të Kosovës.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, vlerëson se ka lëvizje në drejtim të zhbllokimit në krijimin e institucioneve. Ai tha se ka lëvizje pozitive, si nga presidentja por edhe nga vetë liderët për t’u zhbllokuar situata.

Por sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, u është kundërpërgjigjur zërave se partia e Isa Mustafës ka zbutur qëndrimet ndaj PDK-së. Deputeti i LDK-së tha se nuk ka asnjë arsye që të bëhet koalicion me PDK-në. Beqiri tha se në mënyrë absolute nga këto dy organizime, nuk do të thotë që ka lëvizje pozitive në ndryshimin e asaj që kanë thënë më herët. Sipas tij, ka një koalicion paszgjedhor, dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë ndryshim.

Takimin në Gjakovë ndërmjet Thaçit, Mustafës e Haradinajt, Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së e cilëson si takim që nuk kishte karakter politik. Gjini deklaroi se takimi ishte thjesht drekë për nder të “Darkës së Lamës” të organizuar nga presidentja e shtetit. Pavarësisht mungesës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës, Gjini tha se Blloku është i qëndrueshëm dhe nuk prishet.

Nënkryetari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, se besojnë në atë që tha kryetari Mustafa, se aty nuk është folur asgjë për politikë. Megjithatë, zyrtari i Nismës ka deklaruar se anëtarët e Bllokut kanë biseduar mes vete dhe është rikonfirmuar se ata janë bashkë.

Më Shumë

Protestuesit kërkuan dialog dhe rritje të pagave për së paku 30 për qind

Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin...

O Zot që fatet tona në dorë i mban!

Poezi nga Ndoc Gjetja O Zot që fatet tona në dorë i mban! Na ruaj nga shëndeti trashaman, na ruaj nga orekset e Sanço Pançës, na ruaj nga...

Lajmet e Fundit