4.2 C
Prizren
E mërkurë, 1 Janar, 2025

Musliu: Kryetarët e Prizrenit nuk shqyrtuan propozimin për ngritjen e Qendrës Kulturore të Ballkanit

Në shtator të vitit 2005 propozoi ngritjen e Qendrës Kulturore të Ballkanit në Prizren. Idenë ia ka prezantuar ish-kryetarëve të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, Ramadan Muja, Mytaher Haskuka dhe kryetarit aktual, Shaqir Totaj.

Gazetari dhe publicisti, Fahri Musliu, tregon se propozimi i tij, fatkeqësisht, nuk u shqyrtua nga asnjëri prej kryetarëve të Prizrenit.

“Këtë ide ia kam paraqitur dhe e kemi diskutuar me ish-kryetarin e Prizrenit, z. Eqerem Kryeziu, qysh në vjeshtën e vitit 2005, i cili e përkrahu pa hamendje, madje shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihmën e komunës me 500,000 euro për hartimin e studimit të fizibilitetit e të projektit dhe lokacionin për ndërtimin e objektit. Por për fat të keq nuk e formoi Këshillin Iniciativ (e organizativ) dhe propozimi mbeti vetëm në letër”, tregon Musliu.

Ai thotë se për 20 vjet propozimin ia ka prezantuar secilit kryetar të Prizrenit.

“Të njëjtin propozim ia paraqita edhe kryetarëve të mëvonshëm: Ramadan Muja (PDK), Mytaher Haskuka (LVV) si dhe në vitin 2022, kryetarit Shaqir Totaj (PDK), por ata as që e kanë shqyrtuar”.

Gazetari dhe publicisti, Musliu, vlerëson se asnjëri nga kryetarët e Komunës nuk kanë pasur vizion për kulturën e Prizrenit.

“Dhe kjo flet për mungesën e vizionit të tyre për kulturën si identitet kryesor, e veçanërisht për kulturën e qytetit të Prizrenit. Pasi ta lexoni propozimin, ju lutem t’i jepni mendimet dhe sugjerimet tuaja”,  shprehet ai.

Por, çfarë përmbante propozimi i Musliut për Qendrën Kulturore të Ballkanit?

“Propozimi për themelimin dhe ngritjen  e Qendrës Kulturore të Ballkanit në Prizren(QKB), do ta afirmonte qytetin e Prizrenit në aspektin kulturor, shoqëror, politik e diplomatik dhe do të gërshetonte edhe më shumë kulturën, qytetin dhe Kosovën në suazat rajonale dhe evropiane”, shprehet ai.

“Kjo qendër do të themelohej në marrëveshje dhe bashkëpunim me të gjitha Ministritë e Kulturës të shteteve ballkanike (Turqia, Greqia, Qiproja, Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Kosova). Tri shtete të Ballkanit nuk e kanë njohur Kosovën, prandaj kjo mund të ketë ndikim edhe në këtë drejtim”.

Musliu tregon se propozimin e ka paraqitur pasi ka zhvilluar kontaktet dhe bisedat atëherë me ministrat e kulturës të shteteve të Ballkanit, të cilët “me kënaqësi e pritën këtë ide dhe shprehën gatishmëri për të qenë pjesë e projektit dhe për ta financuar atë”.

“Për funksionimin e Qendrës, me mjete të përbashkëta të këtyre shteteve, të BE-së dhe burimeve tjera nga vendi, Evropa dhe SHBA-ja por edhe vende tjera, parashihej  ndërtimi i njw godine me një hapësirë prej 5 deri në 6,000 metra katrorë: një sallë me 800-1,000 ulëse dhe një tjetër me 200-400 ulëse; këndet (lokalet) e kulturave të shteteve (kombeve) përkatëse (nga 100 metra katrorë), ku do të punonin specialistë nga fushat e ndryshme të kulturës, kabinete për mësimet e gjuhëve dhe të përkthimeve, (të financuar nga shtetet themeluese); seksionet do të pajiseshin me botime, revista, filma, literaturë të ndryshme nga kultura e tradita kombëtare, dhe tjera; godina do të kishte edhe lokalet përcjellëse si dhe një restorant me hapësirë adekuate. Varësisht nga hapësira, do të ndërtoheshin edhe disa dhoma që do të shfrytëzoheshin nga nëpunësit e vendeve përkatëse”.

“Në objektin në fjalë do të kishin punësim të rregullt mbi 50 veta dhe objekti, pas punës 3 vjeçare, do të vetëfinancohej. Qendra do të organizonte këto festivale kombëtare, me emërtimin “Vera kulturore ballkanike”: festivali i muzikës (popullore) kombëtare; i folklorit kombëtar; i filmit kombëtar; i teatrit kombëtar; i poezisë kombëtare; kolonia e artit të piktorëve të vendeve anëtare. Secili festival do të zgjaste nga 13 ditë (sa është numri i anëtarëve të QKB) kur do të prezantoheshin të arriturat kulturore të shtetit përkatës. Nikoqir i festivalit do të ishte çdo vit një shtet i cili edhe bartë shpenzimet e organizimit. Festivalet do të mbaheshin në verë (qershor & korrik – poezia, teatri, muzika = 39 ditë); dhe në vjeshtë (shtator & tetor – arti, folklori, filmi = 39 ditë), gjithsej 78 ditë dhe në to do të merrnin pjesë mijëra anëtarë të grupeve përkatëse”.

Përpos afirmimit të Prizrenit dhe Kosovës në skenën ndërkombëtare, dhe zhvillimit të diplomacisë kulturore, festivalet do të kishin ndikim financiar për hotelerinë dhe bizneset e qytetit, duke afirmuar dhe zhvilluar turizmin kulturor.

“Kostoja për ndërtimin dhe funksionalizimin (me pajisje komplete) e QENDRËS KULTURORE TË BALLKANIT (ose Ballkanike) do të kushtonte rreth 6,000,000 euro dhe kjo shumë do të sigurohej nga shtetet anëtare të Ballkanit, Bashkimi ose Komisioni Evropian, Qeveria e Kosovës, Komuna e Prizrenit, firmat private dhe organizatat e fondacionet e ndryshme të kulturës nga shtetet e Evropës, SHBA dhe vende të tjera donatore”, tregon Musliu.

“Për zbatimin e këtij projekti, duhet të formohet këshilli iniciativë, nga personalitete me autoritet dhe besim të lartë, dhe pasi ideja të përkrahet nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, do të formohet Këshilli Organizativ me numër të caktuar të anëtarëve të fushave të ndryshme, dhe do të drejtohej nga Kryetari i Komunës ose kryetari i Kuvendit. Këshilli do ta zbërthente projektin dhe do të zhvillonte bisedime me ministritë e kulturës së vendeve ballkanike. Pasi të fitonte përkrahjen, Këshilli do të përgatiste studimin e fizibilitetit të cilin do ta financonte Kuvendi Komunal i Prizrenit nga buxheti i vet dhe Qeveria e Kosovës. Bartës i realizimit të projektit do të ishte Komisioni përkatës i përbërë nga personalitete të njohura të fushave të ndryshme nga Prizreni, Prishtina dhe shtetet anëtare të QKB-së”.

“Qendra do të funksiononte si ndërmarrje e pavarur kulturore dhe do të kishte organet e veta, në krye me bordin drejtues të zgjedhur nga Kuvendi i Prizrenit (persona jopartiakë por profesionistë) dhe vendet anëtare, i cili do ta emëronte drejtorin dhe organet tjera drejtuese”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Certifikohen mësimdhënësit e trajnuar nga “Lions Quest” në Malishevë

Sot, në Komunën e Malishevës, u mbajt ceremonia e certifikimit të mësimdhënësve që përfunduan me sukses trajnimin "Lions Quest". Ky trajnim synon zhvillimin e...

Arrestohen katër persona për tentativë vrasjeje në Prizren

Policia e Kosovës ka bërë të ditur arrestimin e katër personave të dyshuar për një rast të tentativës për vrasje, që ka ndodhur në...

Lajmet e Fundit