Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka vlerësuar se “Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicionistët e saj po bëjnë propagandë pa krip rreth bllokimit të institucioneve”.
Në këtë kontekst, duke dashur që të drejtoj gishtin kah PDK, Mustafa ka shtruar disa pyetje rreth asaj se kush vërtetë është “bllokuesi i institucioneve”.
Ja postimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:
PDK dhe koalicionistët e saj po bëjnë propagandë pa krip për bllokadën e institucioneve. E unë i pyes: Kush e bllokoi Seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës më dt. 17 Korrik? Kush i la peng për tre orë 83 deputetë në sallë? Kush ua pamundësoi deputetëve që kishin dhënë betimin të diskutojnë e të shprehin mendimet? Kush abuzoi me rendin e ditës? Kush e dërgoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të pezullimit për Kryetarin e zgjedhur me pjesëmarrje të 83 deputetëve, me 65 vota? Dhe, Gjykata jo vetëm që pezulloi Kryetarin, por shkoi edhe më larg, e ndaloi edhe punën e deputetëve që kanë marrë votën e popullit, por nuk pezulloi nënkryetarët e zgjedhur në të njëjtën procedurë!? Kush i jepte udhëzime Kryesueses se si të bllokojë Kuvendin, që shihet edhe në xhirim?
Ishin njerëzit nga rendi i parë i PDK-së. Prandaj, ju të PDK-së jeni ata që krijuat bllokadë dhe ju duhet ta paguani dëmin që Kosovës po i shkaktohet nga kjo bllokadë. Shkruani sa të doni vet, apo porosisni tjerët të shkruajnë për juve, e ju dërgoni ato si artikuj autorial. Njëjtë e keni. Askush nuk ju beson. Bllokada dhe bllokuesit u panë qartë.