23.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Në Prizren u mbajt premiera e filmit “KROM”

Sot në kinemanë e qytetit të Prizrenit, në Dokukino, u mbajt premiera e filmit shqiptar “KROM” me regji të Bujar Alimanit. Prezent në premiere ishin aktorët së bashku me regjisorin. Pas përfundimit të filmit ata e mbajtën një sesion të shkurtë të pytetjeve dhe përgjigjeve, si dhe një koktej për të gjithe pjesëmarrësit, ku edhe publiku kishte rastin të bënte pyetje dhe të njoftohej me kastin e “Krom”.

“Gjashtë muaj pasi kisha shkruar variantin e parë të “Kromit”, kuptova se për dy personazhet kryesorë, pa e ditur, isha bazuar tek dy vëllezër që i kisha njohur në fëmini. M’u kujtuan ata djem të tërhequr dhe të mbyllur në vete, fqinjët, përfshirë dhe mua bashkë me shokët e mi, që talleshin dhe i shmangnin gjysmëvëllezërit sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm.

Ndoshta duke bërë “Kromin”, në mënyrë të pavetëdijshme kam ndjerë nevojën të kërkoj falje dhe njëherësh të qartësoj ndërgjegjen për ato papjekuri të fëmijërisë.” tha Bujar Alimani.

Filmi flet për një nënë memece e cila pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdoj të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar përpiqet të njohë veten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit…

Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Greqisë, me producentët Tefta Bejko, Valon Jakupaj, Anita Elsani, Thanos Anastopoulos dhe Stella Theodorakis. Përveç mbështetjes nga Qendra Kinematografike e Kosovës është mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Ideja e influences së dy natyrave femërore mbi një adoleshent në rritje e sipër më ka interesuar gjithnjë, madje më saktë influenca e Nenës dhe Mësueses , e Jetës dhe Dijes , e të Përjetshmes dhe Aventurës, që në thelb nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë pushtetesh që shqetësojnë shpirtin e brishtë e të dyzuar të pesembëdhjetëvjeçarit”-shprehet regjisori.

“Krom” është filmi i dytë i metrazhit të gjatë nga regjisori Alimani, i cili njihet për filmin e tij “Amnistia” që pati premierën në festivalin Berlinale në 2011, film i nderuar me disa çmime ndërkombëtare si: C.I.C.A.E. në Berlin International Film Festival, 2011, Çmimin e Publikut në Black Movie Film Festival 2012, Çmimi i Jurisë në Lume International Film Festival, 2012.

“Duke qenë se kam prodhuar gjithë filmat e Bujar Alimanit, kam besimin se “Krom” i tejkalon gjithë të mëparshmit. Te “Krom” Alimani depërton me venën e tij krijuese më thellë, më sinqerisht dhe në mënyrë më vetjake e më të natyrshme.” – tha producentja e filmit Tefta Bejko.

“KROM” do të hyjë në programin e rregullt të kinemasë nga data 29 tetor.

Më Shumë

Specialja ia ndërpret paraburgimin Isni Kilajt, obligohet t’i japë 30 mijë euro dorëzani

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që t’i ndërpritet paraburgimi Isni Kilajt, ndonëse sipas tyre ende ekziston dyshimi...

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Lajmet e Fundit