11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Nëpër udhën e legjendës së rokut numër 55

Bardh Frangu

Me legjendën e rokut, Shefqet Hoxhën, të njohur si Sheki, zëmë vend në një kafiteri përballë ish objektit të kinemasë së qytetit të Ferizajt, ku tani është ngritur një masiv betoni për banim kolektiv, si një përbindësh i kujtimeve të fëmijërisë dhe rinisë sonë.

Kur duket se Shekin e kanë harruar të gjithë në qytetin e tij të lindjes, kamarieri, një djalë i ri, ia sjellë makiaton, mbi shkumën e të cilës ka shkruar rock.

Ky gjest sa e befason Shekin, aq e bën edhe emocional. Vetvetiu nisë e flet për fëmijërinë e tij, e cila, si e çdo ferizajasi tjetër, lidhet fort me hekurudhën, ndërsa vetë qyteti ka lindur dhe është zhvilluar përreth saj, shkruan “Zëri”.

“E kishim bërë shprehi që të dilnim dhe të përshëndetim trenin ndërkombëtar Athinë -Munchen, që si stacion kishte qytetin tonë. Nëpërmjet këtij treni e ndjenim lidhjen me botën, ndaj kjo kishte rëndësi të madhe për ne atë botë, rrëfen Sheki, ndërsa nga fëmijëria e tij në kujtesë i ka mbetur dhurata që kishte marrë nga një zviceran, të cilin e kishte takuar për herë të parë dhe të fundit në tren. Me tren udhëtoja shpesh në relacionin Ferizaj-Kaçanik. Në Kaçanik kisha motrën e madhe. Një rast, tek po udhëtoja me nënën, në kupenë tonë qëlloi edhe një gjerman nga Zvicra, të cilit kurrë nuk ia kam harruar emrin. Quhej Paul Shulch. Nisi të flas me mua me gishtërinj. Nuk e di sa jemi kuptuar, por e di se ma kërkoi adresën, të cikën edhe ia dhashë. Më kujtohet se ishte muaji tetor, ndërsa nuk isha më shumë se 7-8 vjeç. Dy ditë para Krishtlindjeve, me postë më vjen pakoja që ma kishte dërguar Shulch. Ishte e mbushur me dhurata, ndër të cilat dalloheshin çokollatat zvicerane. Kjo mbase më dha një ndjenjë të lidhjes me botën, në këtë rast me Evropën. M’u shfaq si një ëndërr, një si ndjenjë për ta ndjekur udhëtimin e pakos së Shulchit. Ndryshe, vetë ulja në tren ta ndërton imazhin e pushtimit të botës, tregon këtë rast që nuk e ka rrëfyer kurrë ndonjëherë më parë”, tregon ai.

Po ajo që na interesonte më shumë kishte të bënte me fillet e karrierës së tij prej muzikanti. Më lejoni t’i radhis gjërat siç di unë se me fjalë e kam më vështirë se me nota, thotë Sheki dhe vazhdon: “Në klasën e parë të fillores, në shkollën ‘Gjon Serreçi’, atëherë ‘25 Maji\, mësuesja ime e dashur, Ganimete Zherka, duke qenë se ishte mikja e vëllait tim Sadriut, e dinte se këndoja dhe vallëzoja. Më nxirrte tek dërrasa e zezë dhe i ftonte kolegët e vet, që më shumë ishin mësuese të përkatësisë serbe, të më shihnin si këndoja dhe vallëzoja. Po megjithatë në jetën time ndërroi gjithçka kur një ditë erdhi vëllai nga Zagrebi me të dashurën e tij kroate. Erdhi me një veturë të tipit ‘Fiqa’, që për atë kohë ishte një mjet futurist. Tashmë isha në klasën e tretë, përkatësisht isha 10 vjeç. Në dhomën tjetër po këndoja këngët e ‘Beatles-ave’. E dashura e vëllait ka menduar se radioja po këndonte. Kur mësoi se unë po këndoja, më pyeti me shumë kureshtje se vërtet i doja ‘Beatles-at’ kaq shumë. Pastaj më pyeti se cila ishte dëshira ime më e madhe. I thashë se nuk kisha dëshirë më të madhe sesa të kisha një kitarë. Të nesërmen më morën dhe shkuam tek libraria e bacës Anton, ku edhe ma blenë kitarën. Nga ky moment nisë udhëtimi im prej muzikanti dhe kurrë më nuk më hiqet kitara nga dora. Mbase dhe për pak muaj mbushen 55 vjet me kitarë në dorë”, kujton Sheki me shumë emocione këtë ditë kaq të veçantë një jetën e tij.

Tek shikon nga dritarja pamjet e qytetit, që nëpërmjet degradimit urban ka degraduar edhe kujtimet, janë emocionet që e shëtisin Shekin nëpër kohë. Ecën tutje Sheki deri në vitin 1964, kur për herë të parë formon grupin e tij në Ferizaj me Franc Gllasnoviqin dhe Luigj Dedajn.

“Takoheshim në oborrin e shkollës fillore ‘Tefik Çanga’ dhe ushtronim me kitarë. Më 1965 formuan grupin ‘Thellords’, të cilin kështu e pagëzoi vëllai im Nehat S. Hoxha, poet dhe përkthyes. Ishim katër veta, ndërsa unë isha në rolin e bas-kitaristit dhe të solistit. Sa për informacion dua të them se grupi ynë u formua para grupit “Kastriotët”. Vikendeve organizonim ballo. Po flas për kohën kur Ferizaj kishte vetëm 10 mijë banorë. Këtë vit edhe u bëra emër publik”, qeshte Sheki dhe drejtohet nga kamarieri, cili kërkon të na e bëj një foto në grup, tek ferizajasit pak më të moshuar ndalen dhe e përshëndesin përzemërsisht.

“Tek luaja në kitarë, në oborrin e shkollës ‘Tefik Çanga’, u ndal i habitur një person dhe kërkoi që të më incizonte me diktafonin e tij. Ishte Hajro Ulqinaku, shkrimtar për fëmijë dhe gazetar në Radio Prishtinë. Kjo u bë ngjarje në qytet, ndërsa atëherë televizion nuk kishim. Për fat të keq kurrë nuk e gjeta më atë incizim”, shprehet për “Zërin” me shumë nostalgji Sheki.

Arrijmë në vitin 1968, në vitin e vlimeve të mëdha politike, kur Sheki, udhës për karrierën prej muzikanti, e lëshon qytetin e tij dhe shkon në Prizren.

“Pasi mbarova filloren, prindërit, në veçanti vëllezërit ma plotësuan dëshirën që të regjistrohesha në shkollë të muzikës. Më kujtohet si sot kur vëllai Ejupi tha: “Nuk po e çojmë në Prishtinë se ka shumë lloç, por po e çojmë në Prizren. Në të njëjtin vit, në Prizren, me grupin tim morëm pjesë në festivalinn muzikore “Kitariada” që mbahej në Prizren. Prizreni ishte qytet i rokut atë botë”, tregon Sheki, duke përshkruar atmosferën e rokut në qytetin me udhë të kalldrëmta.

“Ishim grupi më i ri që morëm pjesë. Unë isha vetëm 14 vjeç. U mahnita kur pashë grupin ‘Telstar’ me Venimir Llullajn dhe grupin ‘Merimanga’ me Njazi Bytyçin. Pas tre vjetëve më plotësohet dëshira dhe bëhem anëtar i grupit ‘Telstar’”, kujton Sheki grupet e para që po mbillnin kulturën e rokut në Kosovë.

Sheki nuk e harron pa e përmendur edhe një detaj nga kjo kohë. Tregon sesi pllakatet për ballot që organizonte në qytetin e Ferizajt ia punonte Veli Sahiti, tash dhe shumë kohë përpara shef i grupit “Trix”, i cili njihet për piktor shumë i mirë, veçmas i vinjetave.

Në vitin 1972 Sheki kthehet si mësues i muzikës në shkollën fillore “Peko Tepavçeviç”, tani “Jeronim de Rada” të Ferizajt. Kujton këtë kohë kur udha e ëndrrës së tij kërkonte ta shpinte në Sarajevë tek grupi “Index”, për të cilin thureshin legjenda në Sarajevë dhe më gjerë.

“Mblodha para nga biletat e ballove që organizonim dhe vitin tjetër shkova në Sarajevë. Interesant është bota: kur mëhalla ime zvogëlohej më bëhej se rritej Ferizaj. Një ditë m’u bë se u zvogëlua Ferizaj e u rritë Prizreni. Edhe Prizreni një ditë u zvogëlua e u rrit Sarajeva. E kur m’u zvogëlua Sarjeva mora botën në sy”, tregon Sheki, tek kujton rrugën përplot pluhur, si nëpër balada, që bëri me autobus për në Sarajevë.

Rastësia është mbret i botës. Për një çast edhe ne përjetojmë këtë mbretëri; nga valët e radios vjen deri tek ne zëri i këngëtares Nazmije Hoxha, gruas së vëllait të tij Nehatit, përkatësisht zëri i kunatës së tij, e cila vdiq relativisht e re. Natyrisht që në këtë çast nuk kishte si të mos shpërthenin emocionet dhe Sheki nuk kishte si të mos ndalej dhe të kujtonte hisen e saj në jetën e tij, duke bërë kështu një digresion tepër të nevojshëm.

“Eh, këtë këngë (këngën “Oj zogo”) e kam përpunuar në Sarajevë me grupin ‘Carski Rez’. Ishte viti 1982. Kjo këngë e përpunuar në frymën e etnorokut, dhe në gjuhën boshnjake u bë hit atë kohë. Ideja për këtë këngë ishte e vëllait tim Nehatit. Pas shërbimit ushtarak vijë mysafir te Nehati. Ai me krenari më thotë që ta dëgjoj këtë këngë. U mahnita vërtet, veçmas me orkestrimin. Orkestrimin e kishte bërë kompozitori shumë i njohur Çesk Zadeja”, kujton me dhembje dhe nostalgji Sheki, i cili pas një pauze të shkurtër kthehet sërish në Sarajevë, në shtratin e ëndrrës së tij më të madhe.

“Pas tre muajve në Sarajevë, një ditë ndalem tek vendi i quajtur Parkusha, i cili identifikohej me rokun dhe për këtë ishte i njohur në gjithë ish Jugosllavinë. Aty një kitarist luante muzikën e Jimi Hendrix-it. U afrova me droje dhe i thashë se nuk ishte ekzekutimi ashtu i ‘Foxy Lady’. Më shikoi me habi dhe më pyeti në dija ta luaja. Unë pa hezituar mora kitarën e tij dhe ai i befasuar më tha se kisha të drejtë. Të nesërmen u përhap lajmi në Sarajevë se paska ardhur një kosovar që po ta ftohka në kitarë. U bëra i njohur në Sarajevë, rrjedhimisht në gjithë hapësirën e YU. Më 1975 më fton grupi më i njohur i asaj kohe ‘Rezonanca’. Pastaj në vitin 1977 më fton grupi ‘Divle jagode’. Pastaj kaloi tek grupi ‘Vatreni poljubac’, me të cilin arrita majat e ëndrrës sime. Pastaj ftohemi në Londër për incizimin e albumit nga producenti i grupit shumë të njohur ‘Pink Floyd’, Riçard Wejlio. Me t’u kthyer në Sarajevë albumi u shit në tirazhin e artë, pastaj edhe në atë paltinium. Ky ishte kulmi i karrierës sime, ndërsa në vitet 1978 dhe 1979 u shpalla dy herë radhazi kitaristi më i mirë në hapësirat e YU”, tregon Sheki, duke u përpjekur që të bëjë një kronologji sa më të mirë të udhës së tij prej legjende të rokut.

Pastaj tregon sesi i erdhi koha për të shkuar në shërbimin ushtarak, të cilin thotë se e ka mbaruar nga banesa e tij në Sarajevë. Ndërsa pas shërbimit thotë se realizoi edhe një pjesë të rëndësishme të ëndrrës së tij prej muzikanti, ndërsa në vitin 1981 formon grupin e tij “Carski rez”, me të cilin në vitin 1982 editoi albumin në tirazh të artë, brenda të cilit ishte edhe hiti “Moj zogo”, i Nazmie Hoxhës.

Në vitin 1984 formoi një grup tjetër, atë “Detektiv lazhi”, me të cilin sërish përpunoi këngën “Moj zogo”, por tani në variantin panki. Kështu kjo këngë bëhet hit edhe më i madh, kujton Sheki, i cili e ka vështirë të ndahet nga Sarajeva dhe të nisë rrëfimin për kthimin e tij në Kosovë.

“Ishte viti 1985. Më thërret nëpërmjet telefonit Nehati për të më bindur që të kthehem në Kosovë, meqë ishte formuar orkestra revyale e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe ishte hapur konkursi për bas-kitarist. Nuk e kisha idenë si të kthehesha, ndërsa në Sarajevë kisha ndërtuar shtratin e ëndrrës sime. Po Nehati më foli aq gjatë dhe sikur ma shpërlau trurin, duke më bindur se edhe unë, sikundër edhe të tjerët e kishim obligim që të bënim diçka për vendin, në këtë rast për orkestrën e RTP-së. Këtu vërejta se sa të fuqishme janë ndjenjat e përkatësisë etnike dhe u ktheva. Vërtet me zemër të plastë pranova ftesën e vëllait, ndërsa nuk gjeta forcë ta refuzoja”, kujton Sheki këtë moment shumë të rëndësishëm jo vetëm në jetën e tij prej muzikanti, por në jetën e tij në përgjithësi.

Jo me shumë ëndje flet për punën që ka bërë në fushën e muzikës këtu në Kosovë, përkundër që është angazhuar shumë. Sheki si sukses dhe si larje borxhi ndaj vendit konsideron hapjen e deges së kitarës në shkollën e muzikës “Stevan Mokranjac” në Prishtinë dhe në atë të Prizrenit.

“Ishte viti 1988. Njazi Bytyçi, dikur idhull i imi, ma sjellë djalin e tij Elvisin, i cili më kishte idhull mua. Tani Elvisi është kitarist i jashtëzakonshëm. Eh si janë kohët, shfryen Sheki dhe sikur e ka të vështirë të vazhdojë rrëfimin me mbylljen e RTK-së në vitin 1989, kur edhe futet në një pellg dëshpërimi, ndërsa është nga një yll që vezullonte nga qielli, tani mbetet një muzikantë që duhet të jetojë për mbijetesë. Dhe sigurisht që nuk mund të flas pa mllef për këtë kohë përtej politikës. Mbase politikën kurrë nuk e zë në gojë.

“Me mbylljen e televizionit fillon tek ne masturbimi artistik. Të gjithë fillojnë të merren me tallava. Ndoshta dhe nuk kishte rrugë tjetër. Disa që i kisha nxjerr në skenë erdhën dhe u konsultuan me mua, në kuptimin se çka të bëjnë. Ishte kjo kohë kur të gjitha rrugët na i kishte mbyllur kasapi i Ballkanit Sadam Millosheviq. U thoja që të kishin durim dhe të prisnin, por ata nuk patën durim dhe nuk pritën fare. Mbeta pa asnjë lek në xhep. Më ftuan që edhe unë t’ju bashkohesha në tezgat e tyre, veçmas insistues ishte Isak bajraktari, por unë nuk isha ai që mund ta ulja veten në këtë nivel. Solla ndërmend këngën e kënduar që në vitin 1982 ‘Dovigjenja rokeri’ (Lamtumirë rokerë), ku kisha ironizuar i revoltuar pse rokerët shitnin shpirtin për para. Ika nga kjo murtajë kulturore, çfarë është tallava dhe u ktheva në Sarajevë. Drejtori i një shkolle të muzikës më angazhoi menjëherë. Pas dy vitesh nisi lufta atje”, kujton Sheki me dhembje të madhe këtë kohë, e cila refleksione edhe më të mëdha hedh mbi kohën që po e jetojmë.

“Ata që u futën nëpër kafene, fituan shumë para dhe bënë shtëpi të mëdha. Të njëjtit në RTK tash i kam shefa dhe mund të më largojnë nga puna kur të duan”, thotë me mllef Sheki, duke iu kthyer sërish Sarajevës, për të dëshmuar largimin e tij përfundimtar dhe vendosjen në kryeqytetin e Bullgarisë, në Sofje.

“Erdha në Ferizaj që të bëj bajram me nënën dhe po këtë kohë, përkatësisht më 6 prill 1992 nisë lufta në Bosnje. Të dashurën e kisha në Sofje dhe vendosa të shkoj atje për 5-6 ditë, ndërsa ne artistët besonim se lufta nuk do të zgjas shumë. Shkova për pak ditë e mbeta për 12 vjet. Në Sofje shpejt u angazhova në të gjitha frontet e muzikës. U bëra shumë i kërkuar me bendin tim ‘Sheki internacional bend’, me të cilin ekzekutoja xhaz dhe etno-xhaz, kujton Sheki dhe ndalet për një intermeco në rrugë e tij të gjatë dhe përplot kthesa. “Kur plasi lufta në Kosovë dhe kur filluan të dëboheshin njerëzit, ndërsa unë nuk kisha ide ku i kisha më të afërmit, më lindi ideja që edhe unë të reflektoja nëpërmjet një revolte në mënyrën që më së miri e dija. Fillova të përgatis revoltën time artistike ‘Kosova bluz’, të cilin e mbarova në vitin 2003. Ishte ky një album etno-xhaz me margaritarët e muzikës shqipe me artistë më të mëdhenj bullgarë. Kështu më 2003 editova albumin e parë të kësaj natyre në historinë e muzikës shqipe, tregon Sheki, ndërsa e ka parasysh se ky lloj i muzikës nuk ka hapësirë, ndërsa tallvaja si mortajë ka ngulfatur gjithçka”, thotë ai.

Sheki, tash kur për tre muaj kremton 55 vjetorin e jetës së tij me kitarë në dorë, jeton me bendin e tij të xhazit “Sheki Hoxha and Friends”, por i dëshpëruar, sigurisht.

“Xhazi, eh! E kam thënë edhe njëherë tjetër, mbase më duket në gazetën tuaj, se njerëzit tanë do të mësohen me këtë muzikë atëherë kur të mësohen që ta ngrehin zinxhirin e kazanit pas kryerjes së nevojës në WC. E megjithatë unë u afruan 55 vjet të udhës sime me kitarë, kaja bilbil nanën!”, përfundon Sheki me një gjuhë prej bohemi, duke u ndier pak i lodhur nga ky rrëfim i gjatë, të cilin për herë të parë e jep për gazetën “Zëri”

Më Shumë

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës. Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare...

Hysni Temaj, luftëtari i lirisë që ia kthehu krenarin kombit

25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve...

Lajmet e Fundit