Nga Robert Aliaj
Ka diçka të çuditshme në faktin që një konkurs që shpall veten si kremtim i diversitetit kulturor, prodhon çdo vit një lloj uniformiteti, që nuk dallon dot as nga linja e montazhit, le të mos flasim për kreativitetin.
Eurovision-i 2026 e rikonfirmon këtë tension të dukshëm: uniformitet vs kreativitet.
Para se të flasim për Shqipërinë, duhet të vendosim pikat mbi i të problemit të vërtetë.
Shumica e performancave të mbrëmshme të 14 majit ndanin të njëjtën arkitekturë: vizuale+ndriçim, që mbulonin mungesën e ideve dhe larmisë muzikore, grafika që mbushnin vakumin emocional, koreografi që lëviznin trupin pa lëvizur asgjë tjetër.
Spektakli gëlltitiste performuesin.
Në këtë kontekst, “Nân” e Alis refuzoi të luajë lojën e plotë.
“Nân” ishte ndoshta hyrja më autentike kulturore e mbrëmjes. Nuk kërkoi të aplikojë gjuhën vizuale të Eurovision-it korporativ.
Vokalisht Alis ishte impresionues. Kemi parë shumë talente vokale në Eurovision, por rrallë herë kanë ditur si ta mbajnë gojën mbyllur.
Por autenticiteti në Eurovision ka çmim e vet. Dhe ky çmim quhet gjeopolitikë. Publiku i gjerë evropian voton në mënyrë gati refleksive këngën që i kujton diçka të njohur.
“Nân” nuk ofron këtë.
Ofron diçka tjetër: praninë e një identiteti kulturor specifik, gegnishten, një temë emigracioni që nuk është universale në mënyrën sesi e konceptojnë producentët evropianë fjalinë “universale”.
Është universale vetëm nëse ke jetuar largësinë nga shtëpia si humbje.
Kjo edhe e ekspozon këngën. Pra, gegnishtja bëhet njëkohësisht fuqia dhe kufiri i saj.
Performancës tonë i mungoi shkëlqimi vizual, por gjithsesi kualifikimi ishte mëse i merituar.

Krahasimi me Shkodra Elektronike është i pashmangshëm dhe i padrejtë në të njëjtën kohë. “Zjerm” ishte energji tribale, elektronikë urbane që funksionoi, sepse kishte saktësinë e muzikës së vallëzimit: dije kur duhej të lëvizje, kur të ndaleshe.
“Nân” kërkon diçka tjetër nga audienca, kërkon vëmendje.
Janë dy filozofi krejtësisht të ndryshme të të qenit shqiptar në Eurovision.
Asnjëra nuk është gabim. Por kjo e dyta është shumë më e rrezikshme.
Delegacioni shqiptar ka çdo arsye të ndihet krenar. Kualifikimi i mbrëmshëm nuk ishte rastësi.
E shtuna para 160 milionë syve do të jetë sfida dhe mundësia për të provuar nëse:
“Nân” do të qëndrojë e palëkundur brenda makinës audioviziuale të Eurovision-it?
Apo do të humbasë aty ku humbasin shumë hyrje të ndershme?
Kënga e ka bazën dhe Alis mund të jetë jo vetëm performuesi shqiptar, por argumenti më i fortë sesi mund të fitohet edhe aty ku sistemi nuk është ndërtuar për të fituar.
Marketing
“V. Kryeziu” – Zgjidhje për rregullimin e oborrit të shtëpisë dhe hapësirave tuaja!
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
