14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Nervozohet me drejtorët e tij, sulmon Gjakovën

I pari i Prizrenit, Ramadan Muja, është nervozuar me vartësit e tij, konkretisht me drejtorët komunalë, për arsye se Komuna që e drejton ai nuk ka mundur të fitojë sivjet asnjë donacion nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) në vlerë rreth 60 mijë euro.

Hidhërimi i kryetarit Muja është bërë edhe më i madh kur ka kujtuar se çmimin e parë e kishte fituar një komunë si Gjakova, për të cilën ka thënë se “po shkon në degradim”.

Ramadan Muja, i cili para se të merrte postin e kryetarit të Prizrenit, për një kohë bukur të gjatë ka punuar në Gjakovë si ligjërues i historisë në Shkollën e Lartë, nuk ka dhënë sqarime rreth vlerësimit të tij për Komunën e Gjakovës.

Po ashtu, në qortimin që bëri para drejtorëve, Muja ndër të tjera tha se çuditet se si dikush “nuk po e ka gajle që po merr pagën pa meritë”. As këtu ai nuk dha sqarime, as nuk përmendi ndonjë emër.

Nervozizmin ndaj anëtarëve të kabinetit të tij, kryetari prizrenas e ka shfaqur në mbledhjen e ekzekutivit, ku fillimisht ka njoftuar se kësaj radhe ishte kthyer me duar bosh nga një ceremoni e AKK-së, në të cilën u janë ndarë donacione shpërblyese komunave për praktikat e mira në fushën e shërbimeve publike, të cilat i sponsorizon organizata gjermane “GIZ”.

“Më ka ardhur rëndë që Prizreni nuk mori asnjë çmim, ndërsa Komuna e Gjakovës, që po shkon në degradim fitoi. Po ashtu, vendin e dytë e fitoi Ferizaj e të tretin Gjilani”, ka thënë Muja para të pranishmëve në mbledhjen e rregullt, që mbahet çdo dy javë, të Këshillit të Drejtorëve.

Ai më tej tha se Prizreni ka investuar shumë, sidomos ka bërë një punë mjaft të mirë në shtrirjen e ndriçimit publik në 74 fshatra. Por, megjithëkëtë, sipas tij, drejtorët e drejtorive fare nuk ishin lodhur të konkurronin në projektet e AKK-së.

“Për dallim nga herët tjera kur jam kthyer me çmime nën sqetull, kësaj radhe jam kthyer bosh. Kur më pa se nuk më erdhi mirë për këtë, kryetari i AKK-së Naim Ismajli më tha të mos shqetësohem pasi asnjë drejtor i Prizrenit nuk ka konkurruar në asnjë fushë”, ka thënë Muja teksa ka sqaruar se Ismaili i kishte thënë se Prizreni do të ishte fitues sikur të kishte konkurruar në fushën e pastërtisë së qytetit./Zëri/

Më Shumë

Zvicra fiton Eurovisionin

Zvicra me këngëtarin “Nemo” duke bërë që të triumfojë në këtë edicion të Eurovizionit. Ndërsa vendi që mori zero pikë nga publiku ishte Mbretëria...

“E futën 6 muaj në psikiatri”, Juli kujton ngjarjen aspak të këndshme të Zef Dedës!

Julian Deda gjatë qëndrimit të tij në “Big Brother VIP” shpesh herë ka folur dhe ka ndarë kujtime me të atin e ndjerë, aktorin...

Lajmet e Fundit