18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Nisi Festivali i Gjirokastrës, 1500 pjesëmarrës

Festivali që shënohet në cdo të pestin vit është hapur nga ministrja e Ministrisë për Kulturë, Mirela Kumbaro.

“Është pikërisht ky festival, që bëhet një herë në pesë vjet, monumenti më i madh i trashëgimisë jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj siç ruajmë e mbrojmë kalatë”, ka thënë në hapjen e këtij festivali, ministrja Kumbaro.

“Pak është të them se jam e emocionuar që kam nderin të hap ngjarjen më të madhe kombëtare të trashëgimisë sonë shpirtërore! Ndodhemi vërtet në Kalanë e Argjiros, por sapo kemi filluar të jetojmë kështjellën e folklorit dhe të traditave kulturore shqiptare që për një javë të pandalur do të rigjallërojnë vetveten dhe zemrat tona”, është shprehur ministrja e Ministrisë për Kulturë, Mirela Kumbaro në hapjen e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës që është hapur dje e do të zgjasë deri më 16 maj.

Para një numri të madh vizitorësh dhe të ansambleve që janë pjesë e këtij festivali, ministrja Kumabro ka thënë se ky festival vjen jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri shpirtërore e popullit dhe kombit por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë.

“Kemi një thesar të jashtëzakonshëm në larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore , pa folur për kostumet që janë vërtet të rralla për nga densiteti dhe historia. Gjatë një viti pune me më shumë se 7500 bartës të folklorit dhe burimet e vërteta të trashëgimisë kulturore jemi mahnitur me pasuritë tona.
Të gjitha këto nuk perceptohen çdo ditë sepse janë të shpërndara në të gjitha lëndinat e fshatrave, qyteteve, në sënduqe e shtëpira. Kjo sofër që ngrihet një herë në pesë vjet sot i mbledh më të mirat e tyre. Nga Shkodra në Vlorë, nga Tetova në Sarandë, nga Prishtina në Korçë nga Ulqini në Tropojë!
Është pikërisht ky festival, që bëhet një herë në pesë vjet, monumenti më i madh i trashëgimisë jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj siç ruajmë e mbrojmë kalatë”, ka thënë më pas Kumbaro.

Ky festival, ndryshe nga të mëparshmit vjen më i plotë me larminë e instrumentave, me marramendjen e kostumeve të rigjallëruara, me pasionin ditës plot ngjarje, që nuk mbaron dhe që ia lë vendin natës jo për gjumë por për festë. 24 orë festival, 7 ditë rresht, rreth 1500 pjesëmarrës, për të përcjellë energjitë e të gjitha zemrave shqiptare që vijnë nga SHBA deri te Arbëreshët e Italisë.

“Është festival plot surpriza! Por dhe festival të rinjsh! Ky është gëzimi ynë më i madh sepse tradita e përkthyer nga rinia që mbush skenën e këtij festivali si asnjëherë tjetër është kultura që ndërton Shqipëria e Brezit Tjetër.
S’mund të jetë ndryshe kur në festival kemi dhe folkloristin më të ri në moshë: Lahutarin 105 vjeçar, Gjokën nga Lezha! Po, po!”, ka thënë Kumbaro që edhe shpalli të hapur Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

Ndërkohë, me programet e tyre janë paraqitur fëmijët, shfaqje nga Cirku Kombëtar, Koncert i Bandës së Ushtrisë nga Ministria e Mbrojtjes për të vazhduar më pas me paradën e kostumeve kurse në programin kryesor festivali ka nisur me Shkodrën, fitues i vitit 2009 duke vazhduar më pas edhe me Gjirokastrën dhe Kosovën si dhe me të ftuarën speciale të festivalit, Eda Zarin.

Më Shumë

Kapet me armë ilegale në Rahovec, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Në Rahovec, dje në ora 20:20, një person  është arrestuar pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë...

Latifi mban mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive. Ai me drejtorët ka biseduar për ecurinë e punëve,...

Lajmet e Fundit