13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Nisma e Limajt, më mirë vonë se kurrë!

Beq CufajShkruan: Beqë Cufaj

Buzëmbrëmjet e Prishtinës janë pothuajse të frikshme. Është ai tisi i zi që posa mbulon nënqiellin e Kosovës seç jep një paqartësi e cila duhet të peshojë mbi lodhjet që njeriu ia bën njeriut në këtë vend. Tërë ditën e lume. Në kuptimin e mirëfilltë, atë jetësorin dhe prej së voni edhe virtualisht, njeriu i nënqielliut tonë e lodhë tjetrin përskajt. E konsumon. Për mëngjese kafesh e dreka të gjata. Nëpër mejhane, rrugë e rrugica, telefonata, emaila, twitter-a, facebook-a, viber-a, sms-a e ku jo tjetër. Të jetë ajo nevoja të iket nga vetmia e demblia, nga trauma e trazimi që s’po ngjet se s’po ngjet asgjë? Derisa të bie tisi.

Dhe posa njeriu ta lëshojë sheshin ku ato pak drita fytyrash të njerëzve u japin një shkëlqim, gjithsesi të zbehtë, në dhomat e ndejave, në sallonet me e pa mysafirë, në kafehanet e qeta para se të nisin lajmet e “para”, për të pasuar të “dytat”, “tretat” dhe prej së voni edhe “katërtat” pëlcet kur pëlcet po “lajmi” i cili më vonë duhet të diskutohet në tavolinat e studiove televizive me mysafirë të cilët kur njeriu i sheh aty seç mendon që herë janë të paarritshëm për dijen e elokuencën e herë të padurueshëm për shkurtpamësinë e verbërinë. Por më së shumti sipërfaqësinë!
E premtja ishte një prej këtyre ditëve sa të zakonshme aq edhe të çuditshme. Sepse Kosova, deshi dikush apo jo, prejse Ligji për Zgjedhjet edhe zyrtarisht është deponuar në Kuvend, fushata ka nisur.
Kështu të premten njeriu mund të lexonte, shihte dhe dëgjonte: Ramush Haradinaj bën një segment të ofertës ekonomike për 70.000 vende të reja pune. Isa Mustafa mobilizon krerët e degëve të LDK-së nëpër komuna dhe këndellet nga goditja e rëndë që VV!-ja i dha në Asamble, ish-bastionin e tij, Prishtinë. Kurse Hashim Thaçi e bën atë që tashmë e ka sport në vigjilie fushatash elektorale: qytetarëve ua premtoi nja 1 miliard euro, të cilat edhe vet vdektarët e zakonshëm të këtij vendi në ndërkohë duket e kanë kuptuar që s’ka ku i merr! Por po Thaçi bëri edhe vulosjen e ndarjes nga dy bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e afërm: Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin duke thënë që shkuarja e tyre nuk do ta cenojë PDK-në- dhe me këtë edhe fitoren e saj të ardhshme.

Risia që s’ishte më risi pra: Fatmir Limaj doli me 28 Shkurt me Parti. Dhe atë disa ditë pasi iu hodh edhe një aktakuzë të cilën fitgurativisht po e quaj limë e re! (e limë dmth.: Përdorëse prej çeliku, e gjatë e shpatuke ose në trajtë tjetër, me faqe dhëmbë-dhëmbë, që shërben për të ngrënë sende prej metali a prej druri dhe për t’i bërë të sheshta, të lëmuara, të mprehta etj.).
A s’i shkojnë bizarisht bukur krejt këto shpjegime nga shqipja jo edhe aq e varfër krejt topografisë e gjenealogjive gjyqësore të ballafaqimit të ish-Komandant Çelikut në UÇK dhe politikanit Fatmir Limaj në paqe me drejtësinë? Them që po! Sepse rasti, pardon rastet e tij janë sui-generis sa vet “çështja e Kosovës”.

I ballafaquar me procesin e gjatë dhe të mundimshëm të Hagës ku u doli i pafajshëm, i ballafaquar me po të njejtin rast (pjesërisht) në EULEX e Prishtinë, i ballafaquar me rastin e “parë” të korrupsionit dhe prej disa ditësh edhe me rastin e “dytë” të korrupsionit, Fatmir Limaj del të jetë njeriu dhe politikani me më së shumti procese gjyqësore në historinë më të re të Kosovës! Dhe kjo i bie që ky njeri o të jetë një mbinjeri (uebermensch!) që din t’i ikë drejtësisë o kjo drejtësi të mos jetë drejtësi por një gjueti e përbërë nga gjuetarë… limash e Limajsh.
Në fakt, tërë rasti, ose thënë edhe më mirë Rastet Limaj, një ditë do të jenë “study case” për drejtësinë jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare. Është një diçka që njeriu edhepse jo i fushës së drejtësisë, thjesht e ka zor, në mos të pamundur, ta gëlltisë, sepse seç kundërmon, seç e ka një duhmë tërë kjo çështje, aq sa edhe vet populli, qytetari i këtij vendi ka nisur ta marrë “erë”.

Të kuptohemi: s’dua dhe s’mundem ta mbroj Limajn. E njoh dhe e kam përkrahur gjithmonë- si atë si Haradinajn, sa kanë kaluar në procesin e Hagës sepse atë proces e kam parë dhe e shoh si një sprovë e cila Kosovës ka dashur t’ia vë një barrë të rëndë dhe njollë për gjeneratat që vijnë.
Por dua të pyes veten (zëshëm): si u bë që nga të gjithë ministrat e deritashëm, Qeveritë Thaçi (I dhe II) të jetë vetëm një dhe i vetmi ministër i cili së pari kishte keqpërdorur buxhetin për… s’e dijmë sa mijëra Euro dhe tash edhe për “rreth” 1 milion Euro. Ta marrim që mesatarja e buxhetit të Kosovës prejse Thaçi është në pushtet është 1 miliard në vit… 7 vite bëjnë 7 miliard Euro. Del që Limaj e paska dëmtuar (hipotetikisht dhe në bazë të edhe kësaj akuze të re) për nja 1 milion euro. Po ku janë tjerët? A po themi, jo, a s’po klithim për këta hajnat tjerë… që janë pasuruar e po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës me miliona e miliona… Dhe as edhe një prej tyre nuk u akuzua as edhe një dhe të vetmen herë!

Këtu vijmë tek ai peri i hollë, por për këtë tmerrësisht i rrezikshëm, i amoralitetit të politikës, publicistikës e çka jo tjetër që mbizotëron në Kosovë. Çfarë shpotie i bëjmë vetes- ne si shoqëri dhe ne si shtet. Kur e dijmë që as edhe një dhe i vetmi Ministër i as edhe një dhe të vetmes “Qeveri” e Qeveri kurrë nuk është dënuar për kurrupsion (apo edhe akuzuar?). Janë dhjetëra supozime, qindra sinergji, mijëra belbëzime që vazhdojnë këtë njeri, dikur pjestar UÇK-je e sot politikan që e ndjekin dhe stërndjekin. Sidomos sot. Kur në këtë vend çdo gjë është mes së vërtetës dhe gjysmë të vërtetës. Mes supozimit dhe hiperbolës. Sepse të jesh në Kosovë dhe i Kosovës e të mos e kesh një atribut, një epitet, një mbirrëfim por para së gjithash të mos e kesh të varur si qafore (virtuale) një stisje prej rrethit, moçalit, është e pamundshme.
Ne si qytetarë dhe vdektarë të zakonshëm të këtij vendi vërtet nuk e dijmë nëse Limaj është apo ka qenë i korruptuar. Por ajo që e dijmë është se Limaj deri në ditën e sotme kur doli në publik me Nismën e tij, e ka shtyer e stërshtyer këtë hap të shkëputjes përfundimtare. Edhe kur ishte në Hagë e hamendej për të ikur nga PDK-ja. Edhe kur u kthye nga Haga dhe si triumfues u prit nga gjysma e Kryeqytetit. Edhe kur u rrebelua pas atij kthimi dhe në të njejtën kohë pranoi të kandidohej për (herë të dytë) për Kryetar Prishtine. Edhe kur e mori postin e Ministrit të Transportit… ku edhe filloi e tëra dhe sot e gjet përfundimin e saj!

Fatmir Limaj sot kur e nisi Nismën e tij, Partinë e tij, në “supe” i ka tre procese të gjyqësore: Kleçka ende s’ka përgjigje nga Supremja, “MTPT 1” ende s’është mbyllur dhe së treti e ka edhe më të freskëtin “MTPT 2”. Të gjitha këtyre “telasheve” e telasheve ai kishte menduar që do t’u ikte në çastin kur u pajtua përfundimisht me ish- shefin e tij Thaçin pasi e mori postin e Ministrit të Transportit. Por Thaçi ia çoi në derën e prapme, dorën e tij- herë të djathtë e herë të majtë- Adem Grabovcin… dhe vetëm detaji sesi ky i fundit dha dorëheqje pak para se të fillonte rrokullima e akuzave në njërën anë dhe tragjedive familjare të Limajt në anën tjetër mund të jetë dhe në fakt është treguesi më i mirë se sa këta ishin “pajtuar”.
Thaçi- së bashku me Veselin e kanë parë Limajn gjithmonë si të tretin- dhe në një formë a tjetrën, të vërtetin, në PDK. U befasuan kur e kuptuan që herë Baci e herë Profesori- Jakup Krasniqi, përfundimisht u përcaktua për Limajn dhe ia luajtën lojën derisa e rraskapitën dhe në fakt edhe e detyruan që më në fund të bënte atë që ndoshta ishte dashur ta bënte menjëherë pasi qe kthyer nga Haga apo edhe më herët. Shkëputjen e tij nga PDK-ja, nga Thaçi e Veseli.

Të jetë vonë kjo që sot Limaj, së bashku me Krasniqin e nisën? Them që jo. Ka qenë e vetmja mënyrë e mundshme që të provojnë të marrin një pjesë të punës e meritës së tyre në ish- Partinë e tyre për të cilën bënë aq shumë e morën aq kaq pak! Nëse do të jenë të suksesshëm? Nuk e dijmë. Për dallim nga rasti i LDK-së dhe Dacit, këta janë dy. Por e kanë edhe ngarkesën e proceseve gjyqësore e cila në fakt edhe nuk do të duhej të ishte ngarkesë sepse nëse e kanë përnjëmend, sepse nëse një politikan e ka përnjëmend, të bëjë ndryshime atëherë atë njëmendësi populli, qytetari, njeriu, e ndjen… dhe e aprovon. Qoftë ai politikan me akuza e telashe të të gjitha natyrave. Nuk duhet të jemi kurrë kundër formimit të sa më shumë partive! Përkundrazi. Qytetari, votuesi i Kosovës sot është më racional sesa asnjëherë në historinë e këtij vendi. Në vëzhgimin, leximin dhe analizimin për secilin që del me ofertë politike. Por para së gjithash, qytetarit të këtij vendi i është zhvilluar senzori kryesor: ai i matësit nëse politikani po don të bëjë diçka për taksapaguesin po don për t’i shërbyer atij. Dhe para së gjithash nëse politikanë po don ta ndërrojë gjendjen e rëndë në të cilën jemi: dramatikisht dhe radikalisht!

Prandaj them që Fatmir Limaj sot ka nisur diçka për të cilën nuk do të pendohet. Sepse tash edhe me letra dhe më në fund e ka shtëpinë e tij dhe vijat e Nismës së tij e cila në ditët, javët e muajt në vijim do shihet sa e si është e përgatitur dhe para së gjithash me çfarë oferte do del para qytetarit.
Në të njejtën kohë, Fatmir Limaj sot e ka dënuar një subjekt politik i cili në këto vite pushteti, herë falë arrogancës e herë falë injorancës ka rënë ku ka rënë. Për kuriozitet, së fundmi ky subjekt ka këtë risinë e re: është mbyllur në botën virtuale të FB-ve e Portaleve pa e parë e ndjerë tisin e zi… që ka rënë mbi këtë nënqiell në këtë fillim të muajit Mars!/Gazeta Balic/

Më Shumë

Muhamed Thaçi: Besoj se Ylli fiton në fund, e mposht në finale Trepçën

Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj...

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Lajmet e Fundit