Një fotografi e zverdhur nga koha, por e gjallë në kujtesën e atyre që e përjetuan, flet më shumë se mijëra fjalë. Në të, një djalë 10-vjeçar, Burim Ninaj, qëndron në krahët e babait të tij, Metë Ninaj, mësues dhe tashmë i ndjerë. Ishte një moment i kapur në kufirin e Morinës, vetëm pak ditë pasi Burimi kishte shpëtuar për mrekulli nga një plagosje e rëndë gjatë ofensivës serbe në fshatin e tij.
Plagosja mes flakëve të luftës
Më 28 mars 1999, forcat serbe detyruan me dhunë banorët të largoheshin nga fshati. “Gjatë ikjes, në orët e pasdites, u hap zjarr mbi turmën e civilëve. Një vajzë 16-vjeçare, që mbante një kofer me pajën e fejesës, u vra tragjikisht. Trupi i saj nuk u arrit të tërhiqej nga familja. Ndërkohë, Burimi, vetëm 10 vjeç, u plagos rëndë në kokë dhe fytyrë nga armët e zjarrit”, tregon Cikaj.
Një rrugëtim i dhimbshëm drejt shpëtimit
I tmerruar, babai i tij e mori në krah dhe përshkoi rreth 8 kilometra në këmbë deri në Gjonaj, ku mbërriti rreth orës 21:00. Në atë natë të errët, nën dritën e një llambe, mjeku i UÇK-së, Dr. Halil Cikaj, e pa plagën: një vrimë hyrëse në nofullën e majtë dhe dalje në faqen e djathtë. Megjithëse kishte humbur shumë gjak, plaga nuk ishte fatale. Dr. Cikaj e trajtoi për dy ditë në shtëpinë e Shaqir Sherif Çoçajt, para se Burimi të përcillej për në Shqipëri me banorët e tjerë të zhvendosur.
Sot, Burim Ninaj jeton me shëndet të plotë dhe nuk harron kurrë dorën që i shpëtoi jetën. “Një falënderim i veçantë shkon për doktorin e dashur dhe shumë të respektuar, Dr. Halil Cikaj, të cilin e falënderoj përzemërsisht që më ka dhënë ndihmën e parë dhe më ka shpëtuar jetën. Falë Zotit, ndihmës së familjes dhe doktorit, sot unë jetoj me shëndet të plotë”, shprehet ai.
Kjo histori nuk është vetëm një rrëfim personal, por një dëshmi e humanizmit që lulëzoi mes flakëve të luftës. Një mjek, një fëmijë, një fotografi — dhe një falënderim që mbetet i përjetshëm.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren