8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Palmer: Do të vëzhgojmë, por nuk do të ndërhyjmë

EU-flamuriPeter Palmer, zëvendësshef i Ekipit Vëzhgues të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, thotë se ekipi i tij do ta vëzhgojë procesin e zgjedhjeve të 3 nëntorin, në aspektin gjithëpërfshirës, por në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjë në proces. Në një intervistë për Radio Kosovën, Palmer ka thënë se BE-ja e ka dërguar këtë mision për shkak se ka përgjegjësi të veçantë për Kosovën.

RK: Zoti Palmer, a ka filluar të sistemohet në terren Misioni Vëzhgues për Zgjedhje i Bashkimit Evropian?

PETER PALMER: Deri më tani jemi vetëm ekipi qendror që jemi të vendosur në Prishtinë. Ky është ekipi i ekspertëve, ekspertë të fushave të ndryshme. Vëzhguesit tanë afatgjatë do të vendosen nëpër të gjithë Kosovën dhe do të shpërndahen në të gjitha pikat përgjegjëse dhe do të punojnë gjatë vikendit.

RK: Cili është roli i misionit tuaj në Kosovë?

PETER PALMER: Roli ynë është vetëm vëzhgimi, që nënkupton vëzhgim të të gjitha aspekteve të zgjedhjeve, përfshirë edhe kampanjën, për të parë nëse të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje kanë mundësi për të bartur mesazhet e tyre tek votuesit. Ne do t’i vëzhgojmë të gjitha përgatitjet për zgjedhje, si në nivel qendror – po ashtu edhe në nivel rajonal, në krejt Kosovën. Ne do të monitorojmë të gjitha raportimet që do të bëhen në medie, për të parë nëse të gjitha subjektet politike kanë mundësi për të paraqitur mesazhet e tyre në zgjedhje. Dhe, po ashtu, do të bëjmë evaluimin e kornizës ligjore. Por, ajo për të cilën ne nuk jemi këtu – është që të ndërhyjmë. Kemi një kod të mirësjelljes që thotë se ne nuk mund të ndërhyjmë në procesin zgjedhor, në praktikë kjo nënkupton që ne nuk mund t’ju themi njerëzve se çfarë të bëjnë, nuk mund të zgjidhim ndonjë problem dhe as të këshillojmë se çfarë duhet të bëjnë. E tëra që mund të bëjmë është të vëzhgojmë dhe pastaj të raportojmë. Disa ditë pas zgjedhjeve në do të nxjerrim të gjeturat preliminare dhe pas përfundimit të misionit do ta hartojmë raportin tonë final, ku do të paraqitet puna jonë totale, dhe po ashtu, rekomandimet që mund të sugjerojnë përmirësimet në zgjedhjet e ardhshme.

RK: Kemi hyrë në javën e dytë të fushatës zgjedhore. Cilat janë përshtypjet tuaja deri më tani, nga ajo që keni pasur mundësi të shihni deri tani?

PETER PALMER: Deri më tani kemi arritur t’i përfitojmë përshtypjet e para. Kemi zhvilluar takime me akterët kryesorë. Tani ne jemi në kontakt me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe kemi zhvilluar takime me shumë parti politike. Është shumë herët të japim vlerësime. Prandaj, ne nuk do të bëjmë komente gjatë periudhës zgjedhore.

RK: Pse është e nevojshme prezenca e një Misioni Vëzhgues për Zgjedhje i Bashkimit Evropian, duke marr parasysh që BE-ja, për herë të parë dërgon një mision të tillë në Kosovë?

PETER PALMER: Të kemi vëzhgim të zgjedhjeve, në përgjithësi – është një ide e mirë. Në Evropë dhe botë është mjaft normale që zgjedhjet të vëzhgohen nga komuniteti ndërkombëtarë, po ashtu edhe nga organizatat vendore. Prandaj, ne mendojmë se kjo është diçka mjaft e dobishme. Shpresojmë që prezenca jonë këtu do të ndikojë që njerëzit të fitojnë më shumë besim në procesin zgjedhor. Është shumë e dobishme për Kosovën, por edhe për vendet tjera, që të keni vëzhgues të jashtëm, të cilët i vëzhgojnë, i komentojnë dhe pastaj japin rekomandime të cilat ndikojnë në përmirësim të gjendjes.

RK: Misioni që ju drejtoni është ftuar në Kosovë nga autoritetet vendore. Në anën tjetër – në zgjedhjet e kaluara janë shënuar keqpërdorime të votave nga subjektet politike. A shihni ndonjë lidhshmëri, a mendoni se prezenca juaj këtu i bënë më të besueshme këto zgjedhje për qytetarët?

PETER PALMER: Në fakt është e pazakontë që BE-ja ka zbarkuar një mision vëzhgues për zgjedhje lokale. BE-ja, normalisht, nuk vepron kështu, por kjo nuk besoj që ka lidhje me zgjedhjet e kaluara. Kjo vetëm demonstron angazhimin që ka BE-ja në Kosovë. Është e qartë që ka pasur disa zhvillime gjatë këtyre muajve të fundit, procesi negociues midis Kosovës dhe Serbisë, në të cilin BE-ja ka pasur rol kyç, dhe, po ashtu, që për herë të parë zgjedhjet lokale organizohen në tërë territorin e Kosovës. Prandaj, mendoj se BE-ja ndien që ka përgjegjësi të veçantë për Kosovën, që të jetë këtu për t’i vëzhguar këto zgjedhje.

RK: Ku e shihni lidhshmërinë midis zgjedhjeve lokale dhe bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë?

PETER PALMER: Lidhshmëria ekziston, sepse Kosova për herë të parë organizon zgjedhje në gjithë territorin e saj. Sa i përket ekipit tonë – ne do t’i vëzhgomë zgjedhjet në bazë të metodologjisë sonë. Ekipi ynë nuk do ta vëzhgojë vetëm veriun, por tërë Kosovën.

RK: Siç e përmendët më herët edhe ju, Kosova për herë të parë organizon zgjedhje në tërë territorin e saj, edhe në veri. A jeni ju prezent në komunat veriore të Kosovës?

PETER PALMER: Qëllimi ynë është që të kemi 10 ekipe vëzhguese që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Po ashtu, do të jetë një ekip i cili do të fokusohet vetëm në veri.

RK: Zoti Palmer, nuk e di nëse keni pasur rastin të vizitoni veriun, por nëse po – cilat janë përshtypjet e para që i keni nga ajo pjesë e Kosovës?

PETER PALMER: Kemi pasur një numër takimesh së bashku me kryetarin e ekipit vëzhgues, të premten e kaluar, dhe ishte një ditë shumë e ngarkuar, sepse përfshinte vizitën në veri dhe disa takime të dobishme me autoritetet, dhe, siç e ceka më lartë, në këtë fazë nuk jam në gjendje të jap ndonjë përfundim, sepse është shumë herët.

RK: Në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, ku do të jetë prezent Misioni Vëzhgues për Zgjedhje i Bashkimit Evropian?

PETER PALMER: Në ditën e votimeve ne do të kemi një numër edhe më të madh të vëzhguesve dhe ata do të mbikëqyrin në të gjitha komunat.

RK: Mendoni se prezenca juaj në veri do t’i motivojë qytetarët që të dalin në zgjedhje?

PETER PALMER: Nuk e di se çfarë motivimi mund të kenë njerëzit, ose nëse ne do të mund t’i motivojmë edhe më shumë, por besoj që zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, pasi që njerëzit mund t’i zgjedhin autoritetet e tyre, dhe mendoj se është gjë e mirë që njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje. Nëse ata mendojnë se prezenca jonë do të ishte e mirëpritu – do të më vinte shumë mirë.

RK: Gjatë vikendit, disa medie kosovare kanë publikuar një lajm, se në ueb-faqen tuaj ishte i pranishëm edhe flamuri i Kosovës. Vetëm pak kohë pas këtij lajmi, flamuri ishte hequr nga portali juaj zyrtar. Pse?

PETER PALMER: Ishte një gabim teknik. Politika e BE-së nuk ka ndryshuar. Do të thotë se ky mision, si edhe në dokumentet tjera, nuk do ta vendos flamurin e Kosovës.

RK: Ka qenë e motivuar politikisht?

PETER PALMER: Për çështjet politike nuk mund të flas më shumë, sepse, siç e ceka, ky mision ka detyra të veçanta.

RK: Në fillim theksuat se vetëm pas zgjedhjeve do ta keni një raport preliminar, dhe pastaj, ndoshta në fillim të vitit tjetër, do t’i publikoni edhe rekomandimet tuaja. Çfarë në fund të këtij procesi?

PETER PALMER: Ne e kemi mbikëqyrur tërë procesin, që do të thotë që edhe pas ditës së zgjedhjeve ne do të vazhdojmë të mbikëqyrim, sepse mund të ketë ankesa dhe ne do ta mbikëqyrim procesin deri në fund. Në fund do ta bëjmë një raport ku do t’i përshkruajmë të gjitha të dhënat për tërë procesin, dhe gjithashtu, do të përfshijmë rekomandimet tona të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e çfarëdo gabimi. Ky raport në fund do të prezantohet nga mbikëqyrësi ynë kryesor këtu në Kosovë.

Më Shumë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe...

50 vite karrierë! Shkurte Fejza ndan lajmin e bukur me ndjekësit e saj

Këngëtarja Shkurte Fejza ka dhënë një lajm të bukur për mbështetësit e muzikës së saj. Ajo ka njoftuar se do të mbajë dy koncerte, një...

Lajmet e Fundit