11.8 C
Prizren
E enjte, 10 Tetor, 2024

E panevojshme të rishkruhet kushtetutë e re

korab_sejdiuAvokati Korab Sejdiu ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet t’u përshtatet rrethanave politike dhe shoqërore. Ai ka thënë  se kjo Kushtetutë duhet t’i nënshtrohet testit të kohës ashtu siç u nënshtrohen të gjitha kushtetutat e vendeve të ndryshme të botës. “Deri më tani janë bërë disa ndryshime dhe disa tentativa për ta ndryshuar Kushtetutën, sidomos në pjesën që ka të bëjë me presidentin. Ndryshimet janë të natyrshme.

Si çdo dokument tjetër juridik kur vjen koha e zbatimit, vrojtohen mangësitë e atij dokumenti. Nëse vjen koha dhe e shohim se gjithë Kushtetuta nuk është në rregull atëherë ekziston mundësia që, sipas vullnetit të qytetarëve të Kosovës, i cili shprehet nëpërmjet deputetëve, të fillojë ndryshimi i tërësishëm i këtij dokumenti juridik dhe politik”, ka deklaruar Sejdiu. Në këtë kontekst, Sejdiu ka vlerësuar se nuk është e nevojshme të rishkruhet një kushtetutë e re për Kosovën. “Njëherë përnjëherë nuk besoj se do të ketë nevojë apo vullnet të rishkruhet një kushtetutë e re për Kosovën.

Nuk e shoh të nevojshme. Për një kohë të gjatë, varësisht nga problemet që na rrjedhin nga përditshmëria në Kosovë, do të ballafaqohemi ta bëjmë amendamentimin e Kushtetutës”, është shprehur Sejdiu, duke kërkuar nga përfaqësuesit e partive ta bëjnë amendamentimin e Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët e Kosovës. “Kushtetuta duhet të ndryshohet në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Siç e dini, presidenti me Kushtetutë ka rol unifikues. Në këtë rast presidenti nuk duhet të jetë peng i koalicioneve të cilat bëhen në kuadër të formimit të Qeverisë”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për Epokën e re.

Fati i Ligji për Amnistinë varet nga Kushtetuesja

Eksperti i së Drejtës kushtetuese, avokati Korab Sejdiu, duke iu referuar deponimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Amnistinë dhe atij për Buxhetin e shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje!, ka thënë se veprimet e tilla dëshmojnë se deputetët dhe qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen në raport me përdorimin e mekanizmave juridikë siç është në këtë rast Kushtetuesja. “Kjo është një dukuri plotësisht normale dhe demokratike, pasi ekzistojnë mekanizma të cilët e kontrollojnë sistemin juridik në Kosovë, përfshirë Kushtetutën dhe ligjet që miratohen. Kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë në disa raste mund t’i pezullojnë ligjet, por aspekti pozitiv i terë kësaj është se qytetarët dhe deputetët kanë filluar të vetëdijesohen në raport me ekzistimin e mekanizmave juridikë siç është Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar avokati Sejdiu, duke shtuar se kërkesat për interpretimet e ligjeve në Kushtetuese mund të shkaktojnë probleme afatshkurtra.

Sipas Sejdiut, Ligji për Amnistinë i cili gjendet në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të hyjë në fuqi deri në çastin kur Kushtetuesja jep vlerësim në favor të këtij ligji. “Mënyra se si është sfiduar nga deputetët Ligji për Amnistinë dhe ai për Buxhet, e obligon Gjykatën Kushtetuese të marrë vendim brenda 60 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të cilido ligj.

Ky afat kohor buron nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë kontekst, Kushtetuesja mund të veprojë në ditën e parë ose në ditën e 60, varësisht prej analizës që duhet t’i jepet ligjit në fjalë. Deri-diku është e qartë se ligji nuk mund të hyjë në fuqi dhe nuk mund të shpallet nga presidentja deri në çastin kur jepet vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pastaj bëhet pjesë e dekretit të presidentes me të cilin ajo e shpall ligjin”, ka theksuar Sejdiu, i cili nuk ka dashur të flasë se a ka kapacitete Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me efikasitet të gjitha lëndët që shkojnë në adresë të saj. “Më mirë për këtë çështje do të fliste sekretarja e përgjithshme e kësaj gjykate.

Besoj se një numër i madh i kërkesave që përfundojnë në Kushtetuese janë të drejtuara në adresë të gabuar. Por, në bazë të kësaj Gjykata Kushtetuese e ka lehtë t’i refuzojë kërkesat që vijnë në adresë të saj për shkak të proceduarave. Ju e di se kjo gjykatë shpeshherë merr vendime duke thënë se kjo apo ajo kërkesë hedhet poshtë si e papranueshme”, është shprehur Sejdiu. Pavarësisht kësaj, Sejdiu ka thënë se që nga themelimi Kushtetuesja disa herë nuk ka vepruar si duhet. “Gjykata Kushtetuese është institucion i ri, siç është edhe Republika e Kosovës. Kjo gjykatë nuk është e izoluar nga ambienti i Kosovës e as imune ndaj dukurive pozitive apo negative që ekzistojnë në shoqërinë kosovare. Nuk jam i thirrur ta vlerësoj punën e kësaj gjykate mirëpo, sipas mendimit tim, ka pasur raste kur Gjykata Kushtetuese ka mundur të veprojë më mirë. Por, ka edhe shumë raste kur kjo gjykatë ka vepruar si duhet.

Gjykata Kushtetuese është në rrugë të drejtë aq sa është Kosova në rrugë të drejtë”, ka thënë Sejdiu. Ai ka thënë se Kosova si shtet i ri nuk ka jurispodencë të mjaftueshme as në aspektin kushtetues dhe as në aspektin juridik. “Kështu që, nëpërmjet përdorimit të këtyre mekanizmave juridikë dhe aktgjykimeve që merren në Gjykatën Kushtetuese, ne duhet të ndërtojmë një jurispodencë më të bujshme mbi të cilën mund të vendosim dhe veprojmë në të ardhmen”, ka thënë Sejdiu.

Më Shumë

Pink Floyd arrin marrëveshjen me Sony, katalogu muzikor në shitje për 400 milionë dollarë

Grupi britanik i rock-ut Pink Floyd ka arritur një marrëveshje me Sony për të shitur katalogun e tij muzikor për afro 400 milionë dollarë. Grupi...

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren akuzon qeverinë komunale për kurdisje të tenderëve

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar qeverinë komunale për keqpërdorimin e fondeve publike përmes kurdisjes së tenderëve. Sipas shefit të grupit të këshilltarëve...

Lajmet e Fundit