0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Patriotizmi pa armë !

Shkruan: Afërdita MORINA – BIFFAR

Sot, patriotizmi ynë dhe atdhedashuria, do të duhej të mateshin me atë se sa e respektojmë dhe e ruajmë ambientin tonë. Kjo, sepse mjedisi ku jetojmë është çështje shumë e rëndësishme për fëmijët, të rriturit e të moshuarit. Nga ai varet shëndeti ynë.Njerëzit duhet të jetojnë në harmoni me natyrën, të kujdesen për të dhe t’i shfrytëzojnë me efikasitet të mirat e saj. Përndryshe, natyra do të na ndëshkojë ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Sjellja e papërgjegjshme ndaj ambientit dhe hapësirave publike, përbën një problem madhor që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, psikologjisë dhe sjelljes ndaj mjedisit. Ky problem kërkon një ndërgjegjësim të plotë të të gjitha moshave, pa dallim. Është shumë e rëndësishme për një shtet që të ketë një ambient të pastër dhe me standarde nga më të mirat. Pamje të papastërtisë dhe me mbeturina gjithandej, jo vetëm që janë të pakëndshme për syrin, por ato rrezikojnë edhe shëndetin tonë.
Kaq e vështir qenka që ta kuptojmë se, ashtu siç i mirëmbajmë shtëpitë tona, po aq do të duhej ta mirëmbajmë dhe të kujdesemi edhe për hapësirat publike, në të cilat kalojmë jo pak kohë të jetës sonë?!

Sa të papërgjegjshëm jemi, karshi çdo gjëje që është jashtë pragut dhe oborrit të shtëpive tona! Vendi nuk duhet vetëm me këngë patriotike e me recitale për lirinë e pavarësinë e tij. Patriot nuk bëhemi, duke varur flamurin mbi kulmet e shtëpive. Por, patriotë, madje të mëdhenj do të ishim, duke dhënë shembuj se vendin tonë e duam aq shumë, po aq sa e mbajmë pastër atë. Dhe, jo vetëm që të jetojmë mirë e shëndetshëm, por edhe që të ndihemi krenarë me të. Nuk mund të quhet patriot, ai popull që vendin e tij e shndërron në deponi mbeturinash!

Kosovën do ta duam, vetëm atëherë kur çdo ditë të jetës sonë bëjmë diçka të mirë për të, kur do të jepnim shembuj personal e kolektiv dhe kontribut për mirëqenien dhe zhvillimin e saj. Mosndotja e hapësirave publike, mospështymja në rrugë, kujdesi ndaj lumenjve e pyjeve, fushave e maleve t’mos ua fusim flakën e mos t’i shkretojmë e degradojmë deri në atë masë, sikur të ishin të huajat, do të ishin shembuj të mirë për ta treguar dashurinë tonë për atdheun që me aq shumë zjarr i këndojmë këngë e i thurim vargje pafund!

Mungesa e mirësjelljes në shoqërinë tonë dhe ndotja e keqpërdorimi i ambientit që po vazhdon për vite të tëra, mbetet plagë e hapur e Kosovës. Kjo është një temë, për të cilën do të duhej të flasim çdo ditë, derisa të arrijmë t’ia ndërrojmë rrjedhën e keqe dhe të gjendet zgjidhja, në mënyrë që vendi e natyra të rifitojnë bukurinë e vet.

Rritja e ndërgjegjësimit për ta mbajtur pastër mjedisin ku jetojmë, duhet të bëhet çështje e ditës, të shkruajmë, të flasim, të japim shembuj se jemi shoqëri e komb i civilizuar, e jo të vetëquhemi të tillë nëpër zhargone bajate politike, kur tentojmë t’i bindim të tjerët se meritojmë që Evropa të na i hapë dyert. Dhe, mos më thoni që edhe kjo ndodhë tek ne, sepse jemi popull i varfër! Sepse, siç thotë një proverb spanjoll: “Varfëria dhe pastërtia, s’kanë pse të mos shkojnë krah për krah me njëra-tjetrën” ose siç shprehet Goethe: “Mirësjellja është një pasqyrë, në të cilën secili shfaq vetveten”.

Gojën e kemi të mbushur plotë dashuri për atdheun e nuk jemi në gjendje të zbatojmë as normat bazë të edukatës qytetare, që mësohen në vitet e para të shkollës fillore. Të tregojmë kujdes minimal ndaj ambientit që na rrethon. Shembull, të mos pështyjmë shkujdesur, sikur asgjë të keqe e të turpshme nuk po bëjmë. Nuk është se për këtë na kërkohet të jemi të pasur!

Sa e sa të tillë njerëz, veshur me kostume të shtrenjta e kollare, ngjyrash të ndryshme, shohim çdo ditë nëpër qytete të Kosovës, teksa hedhin mbi trotuare e sheshe pështymën e këlbazën, duke na e prishur ditën e duke mos na e lënë të shijojmë një kafe?!

Rrugët dhe sheshet janë pronë e të gjithëve, por kjo nuk do të thotë që secili mund të bëjë çfarë të dojë në to. Ne duhet të tregojmë pak më shumë konsideratë dhe respekt për të tjerët. Rrugët dhe sheshet nuk janë deponi të sekreteve biologjike dhe të mbetjeve të farave. Pra, nuk ke si e shijon kafen sepse të gërditet, sapo sheh që tjetri qurrat dhe pështymën i hedhë shkujdesur, vetëm pak hapa larg teje, madje edhe mbi këmbët e të tjerëve.

Në vendet e civilizuara perëndimore, pra atje ku duam të shkojmë ne, do të të shikonin me përçmim e neveri të gjithë përreth, madje ka mundësi të të kërkojnë që të shkosh në spital, se mos rastësisht ke tuberkulozin ose ndonjë sëmundje tjetër ngjitëse. Fatmirësisht, janë zbuluar facoleta letre, që janë shumë të përshtatshme për një veprim të tillë! Boll ma! Kemi vite që jetojmë me plehra e bërllok, që i shkelim, i shohim, i nuhasim, kthejmë kokën nga ana tjetër, shajmë nëpër dhëmbë dhe ecim tutje, pa bërë asgjë prej gjëje për ta ndryshuar këtë gjendje të turpshme.

Ne kemi fajin tonë, por edhe shteti nuk është pa faj, sepse tash e sa vite nuk arriti të sensibilizohet në marrjen e masave urgjente, pasi në të vërtetë ndotja e ambientit dhe pisllëku i hapësirave publike ka arritur në pikën e aktivizimit të sirenës së alarmit, për ndërhyrje urgjente.

Më Shumë

Vjehrri në Rahovec dyshohet se ushtron dhunë psiqike ndaj nuses

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj një burri në Rahovec për të cilin dyshohet se ushtron dhunë psiqike ndaj nuses së tij. Në raportin...

Kryetari Xheladini dhe kryesuesja Skeraj reagojnë pas ndodhive në seancën e Kuvendit të Dragashit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Arijeta Skeraj përmes një reagimi publik kanë dhënë sqarime lidhur me...

Lajmet e Fundit