Dega e PDK-së në Prizren, e cila aktualisht qeverisë me këtë komunë, përkundër paralajmërimeve ende nuk e ka përcaktuar kandidatin për kryetar të komunës, edhe pse këtë e kanë bërë gati të gjitha partitë, të cilat mendojë se mund të kenë shans që në zgjedhjet e 3 nëntorit ta marrin besimin e votuesve për të udhëhequr me komunën në katër vjetët e ardhshëm.Edhe pse zyrtarisht deri më tash në këtë subjekt politik nuk është përmendur asnjë kandidat konkret, kuluareve dhe nëpër medie, herë pas here janë lakuar emra që mund të merren si të mundshëm që të promovohen si kandidatë.
Ai që më së shpeshti është përmend si kandidat, mbase edhe në veten e parë, ka qenë deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, cili në disa prononcime për publikun ka shprehur gatishmërinë që ta pranojë sfidën, por gjithnjë duke thënë se për këtë do vendosin organet më të larta partiake.
Kryetari aktual i komunës, Ramadan Muja, nuk e ka pohuar, por as mohuar asnjëherë deri më tash (së paku jo publikisht) mundësinë që ai të rikandidohet edhe për mandatin e tretë, ndonëse flitej se ai në njëfarë mënyre e ka mbështetjen e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.
Mirëpo, disa prononcime të fundit të Basri Musmurartit se PDK-ja do të jetë e kujdesshme për sa i përket kandidimit të kryetarëve aktualë ndaj të cilëve po zhvillohen procedura gjyqësore, ka zbehur në një masë mundësinë që Muja të jetë përsëri rival i Eqrem Kryeziut dhe kandidatëve të tjerë në këtë komunë, për faktin se gjykimi ndaj tij në një gjykatë të EULEX-t, sigurisht se nuk do të përfundojë para afatit për aplikimin e kandidaturave për kryetarë të komunave në zgjedhjet e nëntorit.
Një emër tjetër që kohëve të fundit po lakohet si mundësi për të konkurruar është dr. Afrim Avdaj, aktualisht shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në kuvendin e këtushëm komunal, i cili edhe është kuvendari që zakonisht fiton numër më të madh votash në zgjedhjet komunale.
Njohës të rrethanave në Prizren mendojnë se kirurgu Avdaj do të ishte zgjidhje shumë e mirë për këtë situatë edhe nga fakti se ai gëzon reputacion në masë edhe sa i përket „pastërtisë në aspektin e dukurive korruptive“, ndaj të cilave llogaritet se komuna e Prizrenit nuk ka qenë edhe aq imune.
Vetë Avdaj nuk e ka mohuar gatishmërinë e tij që ta pranojë këtë sfidë, me kusht që, siç ka thënë ai, paraprakisht për diç të tillë ta merr edhe bekimin dhe mbështetjen e degës, por edhe të qendrës, përkatësisht të kryeministrit Thaçi.
Ndryshe, për dallim nga meset tjera, në degën e PDK-së në Prizren ende nuk është zgjedhur as kryetari i degës dhe kjo me siguri por krijon dilema dhe huti edhe sa i përket përcaktimit të kandidatit të kësaj partie për postin e kryetarit të komunës. Partitë tjera, si: LDK, AAK, LDD, PKK etj kandidatët e tyre tashmë edhe zyrtarisht i kanë bë publike./Zëri/