-0.3 C
Prizren
E diel, 29 Dhjetor, 2024

PDK në Malishevë i reagon Limajt pasi tha se mori mbështetjen e familjes së Isni Kilajt

PDK në Malishevë ka bërë një reagim kundër kreut të Nismës Fatmir Limaj, i cili të shtunën njoftoi se ka marrë mbështetjen e familjes së Isni Kilajt, që aktualisht ndodhet në Hagë.

Sipas PDK-së, Limaj po keqpërdorë procesin e Hagës dhe po përdorë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, për të përfituar politikisht.

Por, PDK në Malishevë thotë se “qytetarët e Malishevës tashmë e kanë kuptuar “qëllimin fisnik” të Limajt.

“Ngarendjet e tij teposhtë-përpjetë, lokal më lokal, odë më odë, vendosja e dorës në shpinë me secilin që takohet, janë veprime tashmë demode, jashtë kohës. Janë lodhur njerëzit me këtë lloj të bërit politikë. Është barrë për qytetarin ta përballojë këtë lloj aktrimi me vite të tëra”.

Reagimi i plotë:

MALISHEVA PENG I AMBICIEVE TË FATMIR LIMAJT

Keqpërdorimi i situatave në momente të caktuara, sikurse tani që po keqpërdoret procesi e Hagës nga Fatmir Limaj, nuk është ndonjë risi. Veprimet përçarëse, sidomos në Malishevë, zanafillën e kanë që nga lufta e UÇK-së.

Kjo gjendje vazhdoi edhe pas luftës. Veprimet e tij janë evidente, “përçaj e sundo”. Kontribut i tij është përçarja e veteranëve në dy grupe të mëdha, Brigada 121 dhe Brigada 122. Situata edhe më e keqe ishte brenda PDK-së, duke krijuar grupacione, ndërsa vet Fatmir Limaj ishte dominues, sepse vet i kishte krijuar këto grupe. Në këtë kuptim dega e PDK-së nuk kishte përfaqësim në qendër, si subjekt. E rëndësishme për Limajn ishte faktorizimi i tij, e jo edhe i Malishevës. Dega e PDK-së ishte një bastion i votave, kishte arritur deri në mbi 14 000 vota. Këtë numër e përdorte Limaj dhe grupi i ngushtë i tij.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 arriti t’i përçajë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë, Gani Krasniqin dhe Isni Kilajn, për të dalë prap dominues ndaj të dyve. Votuesi i PDK-së ishte në pozitë të vështirë, po megjithatë përkrahja ndaj PDK-së nuk mungoi.

Ambiciet e Limajt nuk po ndaleshin, tash pretendimet e tij ishin edhe në nivelin qendror. Dhe prap do të përdoret Malisheva si një plaçkë, sidomos në zgjedhjet e vitit 2013, duke ngritur kauza gjoja për keqpërdorimet që po bëheshin nga qeverisja e Isni Kilajt, ndërsa këto ditë janë të shpeshta vizitat e tij në këtë familje, duke e paraqitur brengën dhe shqetësimin e tij. Kjo është politika “e kërbaçit dhe e kulaçit”. Janë të njohura deklaratat e tij kundër Isni Kilajt, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, kundër PDK-së dhe vlerave të saj.

A e meritoi qytetari i Malishevës një trajtim të tillë, e sidomos votuesi i PDK-së?!

Pas këtyre zgjedhjeve (2013), IQM-ja në fillim, e më vonë Nisma Socialdemokrate, filloi me diferencimet ndaj votuesve të PDK-së. Me dhjetëra e qindra të larguar nga puna, vetëm për bindje politike. Kjo gjendja vazhdon edhe sot.

Politika e subjektit Nisma Socialdemokrate, që në thelb është e krijuar nga inatet dhe grupit të ngushtë të interesit, në strategjinë e saj ka vetëm mashtrimin, propagandën, demagogjinë, hipokrizinë.

Ky subjekt problem e ka pragun, kështu ishte prej fillimit. Moskalimi i pragut në zgjedhjet e fundit është tregues i qartë që ky subjekt i ka ditët e numëruara. Andaj sjellja e Limajt vetëm nëpër Malishevë tregon nivelin “e politikës së tij vizionare”.

Të mundohesh të ngresh kauza, në emër të një “Fronti të përbashkët” është edhe një përpjekje e tij e dështuar.

Ta keqpërdorësh procesin e Hagës si një kauzë, dhe të përdorësh emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, për të përfituar politikisht, kjo nuk do ndonjë koment.

Qytetarët e Malishevës tashmë e kanë kuptuar “qëllimin fisnik” të Limaj. Ngarendjet e tij teposhtë-përpjetë, lokal më lokal, odë më odë, vendosja e dorës në shpinë me secilin që takohet, janë veprime tashmë demode, jashtë kohës. Janë lodhur njerëzit me këtë lloj të bërit politikë. Është barrë për qytetarin ta përballojë këtë lloj aktrimi me vite të tëra.

Partia Demokratike e Kosovës është subjekt serioz, me një bazë në të kaluarën dhe vizion të qartë për të ardhmen. Ne ftojmë të gjitha ata që njohin dhe besojnë në vlerat e PDK-së t’i bashkëngjiten këtyre vlerave, e jo një subjekti që mendon vetëm përfitimet e çastit.

Më Shumë

Kastrati viziton kishën katolike në Kërvasari, thekson rëndësinë e harmonisë ndërfetare

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka vizituar sot Kishën Katolike në fshatin Kërvasar, ku është pritur nga Don Fran Kolaj, një intelektual...

Bora merr një fitore tejet të rëndësishme ndaj Proton Cable Prizrenit

Bora ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 90:71 (22:10, 21:16, 21:21, 26:24), në javën e 13-të të ProCredit...

Lajmet e Fundit