Ngaherë marinarët kanë parë horizontin ku mund të ketë det me dallgë dhe nga fryjnë erërat e mbara. Pastaj prekin anijen me vela për të kuptuar sa e fortë është për t’u qëndruar shtrëngatave. Me aftësi dhe eksperiencë u duhet ta drejtojnë anijen jo vetëm larg detrave të trazuar, por të bëjnë kujdes që të mos bllokohen në detra të qetë e të pafund, në pritje të erës. Pas marrëveshjes së ashtuquajtur të normalizimit, e cila nuk duhet quajtur e tillë, por për arsye thelbësore dhe historike, thjesht marrëveshje e parë mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kapitenët e anijeve me shqiptarë kanë nevojë për ndihmë nga të gjithë për të drejtuar vendin drejt së ardhmes evropiane. Hedhja e shikimit në të gjitha anët në horizont quhet ndryshe edhe tour d’horizon.
Në fillimvitin 2012 Zonja Albright, ish-Sekretare e Shtetit, prezantoi në Boston librin e saj të ri “Dimër në Pragë” gjatë një dreke. Prita me durim të mbaronte fjalën. Më parë, në një kurs akademik për Udhëheqje, Politikë të Jashtme dhe Etikë Amerikane në shek. XX me Joseph Nye pata studiuar nga burime të ndryshme, në detaje, strukturën dhe vendimarrjen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: në votimin e fundit, përveç Zj. Albright, të gjithë anëtarët ishin kundër ndërhyrjes, siç e mbaj mend, kryesisht për shkak të situatës delikate të shkaktuar nga skandali seksual i asaj kohe në Shtëpinë e Bardhë.
Zj. Albright pati ndërmarrë e vetme dhe “kundër të gjithëve” një odise që do të kurorëzohej me votimin unanim të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, (KSK), në favor të sulmeve të NATO-s, edhe pse më parë ishin kundër, gjë që pasoi me iniciativa udhëheqësish të tjerë, ndër të parët Toni Bler. E kisha kuptuar qartë se Zj. Albright kishte luajtur rol të parë dhe parësor dhe doja të dija përmes pyetjes sime të dyfishtë në publik: 1) pse kishte rrezikuar, edhe karrierën e vet për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë – këta njerëz me emra, siç tha ajo vetë, “të pashqiptueshëm” 2) si kishte arritur të sillte ndryshim diametral brenda një strukture të sofistikuar vendimarrjeje si ajo e KSK-së dhe si ishin bindur të gjithë anëtarët e KSK-së, gjë që do të përfundonte me sulmet e NATO-s, vetëm pas masakrës së Reçakut?
Duke pritur përgjigjen e saj e shihja mbijetesën e gati gjysmës së popullit tim të varur në një fije floku. Kisha dëgjuar në një dokumentar të BBC-së nga Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s në Evropë, të cilit Millosheviçi i kishte thënë se zgjidhjen për shqiptarët e kishin të gatshme, si në kohëra më të hershme: “I vramë. I vramë të gjithë”. Zonja Albright, gjithashtu m’u përgjigj gjatë prezantimit të librit, se nga veprimet Millosheviçi i ishte dukur “si Hitleri”. Kjo ngjarje përkonte edhe me imagjinatën time, në fëmijëri, kur më rrëfente gjyshja si kishte shpetuar jetën me të tjerë, duke ikur nga shtëpitë, nga sytë këmbët në gjysmën e parë të shek. XX në jug të Shkumbinit. Shembujt e shumtë dhe ngjashmëria e tyre në kohë dhe hapësirë më kishin bërë të kuptoj drejt situatën e krijuar: si pjesë e një rreziku ekzistencial në rang doktrine të gabuar të lidhur me identitetin, jo vetëm si veprim i rastësishëm i Millosheviçit në rrethanat e krijuara.
Mungesa e alternativave të fqinjëve në rang doktrine për bashkëjetesë me identitetin shqiptar dhe shkaqet e mospërsosjes së politikave të tyre të jashtme për gati dyqind vjet që nga lindja e shteteve ballkanike në shek. XIX më patën bërë përshtypje, ndërsa vëreja hapa të mëdhenj në fusha të tjera si demokraci mes grekëve dhe shtetndërtim mes serbëve. Përpjekjet për sigurinë e tyre kombëtare vazhdonin pandryshueshmërisht si në shek. e XIX, mbi kërcënim me luftë apo mjegullim të identitetit shqiptar, të cilin disa e kuptojnë frikshëm si shfarosje apo asimilim të plotë kur krijohen rrethanat e duhura historike. Ruajtja e jetës dhe identitetit shqiptar janë kushte themelore dhe të nevojshme, edhe pse të pamjaftueshme për një të ardhme më të mirë. Pyetja për Zonjën Albright kishte për qëllim që nga mbijetesa e fundit të nxirrnim mësime për të ardhmen.
Në prag të këtij përvjetori të Pavarësisë së Kosovës, një e ardhme më e sigurt përbën motivin që përshkon këtë shkrim të parë “Për një Tour d’Horizon Shqiptar dhe Evropian”, duke besuar se mbijetesa është njëra anë e medaljes. Ana tjetër përfaqëson ngadhnjimin e plotë të lirisë dhe ku e krijon fatin e vet në rrugë e sipër, pa dogma. Liria vetë përfaqëson vullnetin e lirë për të drejtat, ndriçimin dhe vetrealizimin e njeriut, në vetvete apo si përbërje, në një ambient ku ekzistojnë kushtet e nevojshme për përparim.
Siç thotë Konica për ne të anës kombëtare, duam që “kombi ynë të jetojë me mendime e nder të tija”. Duam që populli ynë të jetojë në paqe e liri me popujt e tjerë dhe, nëpërmjet veçantisë sonë, të kontribuojme për të mirën dhe për veçantinë e popujve të tjerë, me po aq energji sa njeriu jeton e punon brenda familjes, deri në sakrificë. Duam që harmonia jonë e brendshme me njëri-tjetrin të manifestohet si popull shqiptar dhe popullsi evropiane, por edhe si qytetarë të botës së lirë.
Në këtë harmoni identitetesh, njeriu nuk mund të mbetet rob i një feje apo i një shteti, porse, në radhë të parë, thjesht i afërt për tjetrin si njeri dhe gjithmonë si emër i përveçëm. Me një karakter kombëtar, një gjak ose një identitet, si shqiptarë dhe evropianë, duam të përsosim arsyen, shpirtin dhe ndjenjat përmes këngëve, valleve, poezisë dhe artit tonë si mundësi personale dhe shprehja më e lartë e të qenit vetvetja.
Këtë të ardhme ne nuk e shikojmë si konstrukt gjeo-politik, por nëpërmjet lupës së dashurisë. Megjithëse njohja jonë për dashurinë është e pakët, besojmë që dashuria është gjithcka. Besojmë Nënë Terezën, e cila thotë se vetëm duke dashuruar gjer në dhimbje, dhimbja zhduket dhe mbetet vetëm dashuria. Dashuria është në thelb ajo që përfaqësojmë, kërkojmë dhe për të cilën jetojmë ne shkodranët, kosovarët, labët, malcorët, korçarët, gegët, iliridasit, çamët, toskët, katundarët, arvanitasit, arnautët, arbëreshët, shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë shqiptarët e tjerë në botë.
Harmonizimi i dashurisë për liri dhe dashurisë për të tjerët përbën thelbin tonë si popull shqiptar mbi tokë. Harmonizimi i së bukurës me të mirën në sjellje, në këngët dhe vallet tona na mundëson arritjen e dashurisë dhe na bën të paqtë.
Himni i dashurisë shqiptare shfaqet edhe nëpërmjet mendimeve filozofike dhe politike të Ukshin Hotit. Ndryshe nga Nietzsche që udhëton drejt klimave të ngrohta, hyn në thellësi mendimesh dhe i bën thirrje përsosjes estetike dhe humorit, por nuk gjen paqe – Ukshin Hoti rrugëton mundimshëm si udhëheqës shpirtëror dhe veprimtar, por nuk dorëzohet dhe e hedh poshtë çmendurinë e luftës. Bashkë me Ismail Kadarenë hedhin kushtrimin në Evropë, se liria pa dashuri nuk ka vlerë dhe nuk mund të ngadhnjejë mbi të pamundshmen. Të dy bëjnë thirrje, si pjesë e ndërgjegjes evropiane, që të mos jetë e çalë dhe e kërrusur në real politik, por të ecë me kokën lart drejt dashurisë për tjetrin.
Ukshin Hoti është dëshmori i parë i Rilindjes Evropiane, i humbur ose pa varr, në dymijëvjeçarin e Erës sonë. Ai sakrifikohet me vetëdije për humanizmin që ka rënë në gjumë në zemër të Evropës. Me vetmohim personal si Adem Demaçi, ai gjithashtu përfaqëson shpirtin dhe “veçantinë” shqiptare.
Konteksti historik i çështjes dhe “veçantisë shqiptare” është refren me idealistë vendas, të cilët sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme, sidomos për lirinë. Ata synojnë dhe shpesh realizojnë projekte zakonisht të ndërmarra nga mbretëri apo shtete me burime përkatëse, por gati të pamundshme nga individ apo një grup i vogël. Një shembull vjen nga At Gjergj Fishta që përmend shtatëmbëdhjetë shkolla shqipe të hapura në Shkodër në 1920-n nga grupe të vogla njerëzish të zakonshëm, ndërsa në Mal të Zi kishte vetëm një shkollë të hapur nga Rusia. Përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që nuk kërkojnë mirënjohje dhe nuk marrin asgjë në këmbim, sfidat më shumë se arritjet kanë sjellë frymëzim te ne për të vazhduar përpara në rrugë të vështira e të pashkelura.
Në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, para se të lindte koncepti i kombit-shtet, shqiptarët si bashkësi gjeografike apo komb me të njëjtin gjak apo identitet, gjithnjë me lidhje të forta mes njëri-tjetrit kanë përfshirë mes tyre edhe etni të tjera që kanë jetuar në të njëjtin territor dhe kanë mbrojtur së bashku lirinë. Së bashku kanë luftuar kundër disa prej fuqive më të mëdha të kohës: edhe kundër sulltanëve otomanë myslimanë, edhe kundër vasalëve të tyre serbë ortodoksë, edhe kundër aristokracisë së venedikasve katolike, por edhe kundër vendasve që janë bashkuar me të huajt dhe kanë kërcënuar jetën apo mënyrën e tyre të jetesës. Kjo etje për liri qoftë individuale, në bashkësi apo si komb i ka karakterizuar në shekuj njerëzit që jetojnë në këto troje. Në përbërjen e këtyre njerëzve ka jo vetëm shqiptarë etnikë, por edhe të tjerë që ndajnë këtë karakter të pamposhtur, deri në heroizëm apo vetëmohim. Liria përbën pjesën e parë thelbësore të karakterit kombëtar shqiptar dhe veçantisë shqiptare.
Për të mbrojtur jetën dhe lirinë shpesh nuk ka pasur alternativë përveç heroizmit. Siç e përshkruan poeti dhe diplomati Alphonse de Lamartine, trimërinë te shqiptarët “nuk ka as penë ta përshkruajë, as penel ta pikturojë” ndërsa Bajroni thotë “ku është armiku që ua ka parë shpinën”? Ky heroizëm është njëherazi edhe sacrificë ose vetsakrifikim, sipas Lamartine, të kristalizuar në legjendën e Rozafës: nëna që i jep jetë fëmijës së vet deri në momentet e fundit. E ardhmja, jo e shkuara është leitmotivi ynë.
Etja për liri u manifestua edhe gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës. Vepra monumentale dhe pa precedent historik në Evropë e krijimit të një shteti sui generis, në emër të lirisë dhe të së ardhmes ishte në lartësinë e sfidave epokale me të cilat u përballën kryesisht kosovarët, sepse jetonin aty dhe luftonin për shtëpinë e tyre. Megjithatë, si zakonisht në momente të vështira, shqiptarët reaguan si komb për të shpëtuar veten, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin rajonal e botëror.
Heroizmi i karakterit shqiptar sipas traditës vazhdoi me këngë deri në momentet e fundme të Adem Jasharit, sikurse Çerçiz Topulli. Shfaqet në emër të së ardhmes dhe njerëzores edhe në nivel intelektual, përmes Ukshin Hotit, i cili mbronte studentët e Universitetit të Prishtinës me vetëdije të plotë: “Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund të paguaj sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe”.
Dëshira më e madhe për të jetuar sesa domosdoshmëria për t’u flijuar mbizotëron te shqiptarët. Vetëm rrëfimi i Besarta Jasharit, e vetmja e mbijetuar nga familja Jashari mjafton për një të huaj të kuptojë shpejt karakterin shqiptar në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës. Njerëzorja është ajo që synojnë shqiptarët dhe ajo që gjallëron me lirinë pas luftës. Vetë patriotizmi nuk ka kuptim përvecse në rend të dytë dhe brenda kornizës së lirisë dhe njerëzores, mishërim edhe nën udhëheqjen e Presidentit Rugova.
Kjo është arsyeja, sipas At Gjergj Fishtës, që në Shqipëri “nuk gjindet nji vorr të vdekuni prej urie”, ndërsa në Evropën e at’hershme në vitet ’20 por edhe në ditët e sotme, uria shkakton krime në situata krizash. Njerëzorja është tipari i dytë thelbësor i karakterit kombëtar shqiptar që sidomos manifestohet në mbrojtjen e më të dobëtit apo tjetrit në nevojë, si besë apo si dicka krejt normale e jetës, e institucionalizuar ose jo.
Ukshin Hoti, një burrë shteti si Ismail Qemali, me dije dhe intuitë politike me përmasa botërore, si Ismail Kadare si mendimtar e letrar, por më pak i njohur se ky i fundit, shtjellon si teori filozofike një tjetër dukuri shqiptare që lind në shekuj drejtpërdrejt nga liria dhe njerëzorja: demokracia autentike ose e quajtur ndryshe demokracia e vërtetë, e lindur nga brenda çdo strukture, jo e imponuar.
Ky fenomen shfaqet shpesh te shqiptarët si dukuri e harmonisë apo bashkëjetesës fetare, por në brendësi është më i rëndësishëm. E kupton në vetvete lirinë e gjithkujt për të zgjedhur sipas dëshirës, por pa cënuar lirinë e tjetërkujt – si të drejtë të patjetërsueshme dhe të barabartë dhe vlerë e qenësishme e karakterit njerëzor. E shikon tjetrin pa paragjykim, nëpërmjet këndvështrimit të lirisë dhe njerëzores, por gjithashtu e konsideron si qenie të aftë dhe racionale për të vendosur për veten e vet natyrshëm, që nuk mund të konceptohet ndryshe dhe kuptohet si ajri kur mungon. Ky mekanizëm rregullator shoqëror konsideron lirinë si të shenjtë por e shikon në disa plane, edhe si vetkontrollim për të mos rënë në gabim.
Është vëzhguar dhe shtjelluar pak, por thellë nga Ukshin Hoti që shikon çdo shqiptar jo si mbret, por, në radhë të pare, si individ dhe kreshnik malesh, një tjetër Gjeto Basho Muji. E përçon në Evropë si të kuptuarit e vetes dhe tjetrit si kreshnikë malesh dhe evropianë në të njëjtën kohë. Demokracia autentike ose e vërtetë përbën thelbin e hotianizmit dhe njëkohësisht tiparin e tretë thelbësor të karakterit kombëtar shqiptar. Përbën edhe një faktor të qenësishëm për stabilitet të brendshëm që shoqëron shqiptarët në shekuj në kombformim.
Sipas hotianizmit, ky është kontribut i popullit shqiptar për njerëzimin, po aq sa demokracia nga grekët apo institucionet nga anglezët. Demokracia autentike e mendimit, në praktikë apo si formë organizimi, është zhvilluar edhe kur rrethanat historike nuk kanë krijuar hapësirë për shtetformim apo mirëqenie të ngjashme me kombet e tjera. Së bashku me lirinë dhe njerëzoren përbëjnë tre tiparet thelbësorë të karakterit kombëtar shqiptar dhe “veçantinë shqiptare”.
Njohja më e thellë e vetvetes fillon nga tiparet e përbashkëta, si njerëz të lirë që jetojmë me dashuri në një shoqëri me demokraci autentike, në ditë të mira apo të këqia, kudo mbi tokë.
Në këtë përvjetor të pavarësisë së papërfunduar të Kosovës, shqiptarët duhet të kuptojnë më mirë veten e tyre dhe karakterin e tyre kombëtar përpara se të përvetësojnë nga popujt e tjerë më shumë dije për vetrealizim. Kjo do t’i ndihmojë edhe për të evituar pasoja të padëshirueshme politikash ekonomike si ato mbi raportet njerëzore dhe familjen në Singapor e Japoni dekadat e fundit.
Kompaktësia shpirtërore dhe identiteti janë cështje jetike gjatë krizash gjeopolitike, por edhe faktorë bazë për të ndërtuar të ardhmen si komb brenda shtetit të Evropës. Në shekuj kanë drejtuar këta njerëz me tipare të përbashkëta, të cilët sot quhen shqiptarë. Kjo është tradita jonë.
Politikat shtetërore apo jashtështetërore që synojnë ndryshimin e këtij identiteti pa studjuar mirë pasojat negative në të kaluarën, sjellin brishtësi shtetërore dhe destabilizim në të ardhmen si për shqiptarët edhe për evropianët e tjerë. Kësisoj nuk mund të njehen si miqësore, edhe nëse e kanë burimin në vende mike apo kryeqendra evropiane.
*
Në ditët e sotme gjeopolitika dhe zhvillimet botërore ushtrojnë më shumë ndikim në rajonin tonë nëpërmjet diskursit shoqëror, politik, diplomatik e fetar sesa nëpërmjet sektorit privat, ndryshe nga ç’ndodh në Islandë. Disa nga këto ndikime, së bashku me praktika monopoliste në vend, pavarësisht doktrinës ekonomike të majtë apo të djathtë që përfaqësojnë, pengojnë mirëqenien e njeriut të zakonshëm dhe zhvillimin e vendit. Mendimet në këtë shkrim të dytë janë një tour d’horizon, sic kanë parë marinarët me shekuj horizontin për të drejtuar anijen larg rrezikut dhe drejt erërave të mbara.
Bllokimi i pjesshëm i tregut dhe shkëmbimit të lirë në rajon është një nga arsyet kryesore të mungesës së mirëqenies ekonomike ku gjenden sot shqiptarët, si rrallëkush në kontinentin evropian.
Një zonë e lirë është lehtësisht e realizueshme, jo vetëm në letër, por si praktika të njësuara që prekin cdo aktivitet të sektorit privat. Do të krijonte një hapësirë me burime më të shumta njerëzore, toke dhe kapitali vendas mes të paktën tre shteteve me shqiptarë dhe do të përfaqësonte më shumë fitim për firma investitore. Më rëndësishëm, është ekosistem për të vendosur kapacitete të mëdha prodhuese për shitje gjetkë, nga rrjedh një treg më i fuqishëm për produkte të tjera nga jashtë. Ky do të ishte ambient më i përshtatshëm për investime gjermane dhe amerikane. Po të kishte treg të lirë, kompanitë gjermane dhe amerikane do ta shikonin më pozitivisht edhe rrezikun politik, situatën e sundimit të ligjit dhe nivelit arsimor në rajon.
Bllokimi i pjesshëm por dominues i këtij tregu të lirë dhe shkëmbimi të lirë është simptomë e një krize të thellë shumëvjecare: shkërmoqjes së ekonomisë në themelet e saj. Një stimul ekonomik i ngjashëm me Planin Marshall, si politikë ndërshtetërore evropiane “Rindërtim, jo Meremetim!” duhet të kishte filluar sa më shpejt që të ishte e mundur, për shembull në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit. Sipas rëndësisë, në radhë të parë mungesa e vullnetit në Evropë, së dyti udhëheqjet e ndryshme brenda shteteve me shqiptarë dhe së treti politika e jashtme amerikane në mbështetje të integrimit evropian janë tre faktorët që nuk kanë dhënë rezultat për stabilitet dhe zhvillim mes shqiptarëve.
Pa këtë stimul ekonomik nuk ka pasur asnjë shans për të sjellë ndryshime rrënjësore pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në Shqipëri e Kosovë. Mungesa e stimulit përbën edhe bazën e vërtetë të një destabilizimi të vazhdueshëm shoqëror, politik, fetar apo kriminal në rajon, por edhe të dëshpërimit dhe varfërisë në masë të shqiptarëve. Mungesa e këtij stimuli ekonomik, që shfaqet edhe si vonesë, për cfarëdolloj arsyesh, e hyrjes në Bashkimin Evropian është kërcënim për sigurinë jetike kombëtare të shqiptarëve në të paktën një nga disa skenarët e mundshëm në të ardhmen.
Pasojat janë të njohura dhe në shumë raste të provuara: largon njerëzit nga mirëqenia individuale drejt nacionalizmave boshe. Krijon ambient për kaos, i cili mund të përhapet lehtë për qëllime politike, fetare apo interesa personale, si nga brenda edhe nga jashtë vendit. E bën të lehtë edhe kontrollin e institucioneve nga një individ ose grup me interesa të ngushta. Përfaqëson “brishtësi” për demokracinë si mosaftësi për të detyruar pushtetin të përmirësohet ndjeshëm nga një cikël zgjedhjesh në tjetrin. Si rrjedhojë, nxjerr jashtë loje konkurencën ekonomike si motor për të krijuar pasuri, në pamundësi të së cilës diskutimet dhe energjitë e shqiptarëve kanalizohen vetvetiu drejt shpërndarjes së pasurisë ose fjalosjes. Pasoja më e rëndë është se tkurr hapësirën për përdorimin e dijeve dhe praktikave të mira të punës qe shpie në degradimin e pashmangshëm të tyre dhe realizimin e hapësirës shqiptare si hambar aftësish të pakualifikuara për tjetërkund.
Pamundësia për sundimin e ligjit krijon njëkohësisht mundësi për kontroll të lehtë mbi shoqërinë si shprehje e progresit të vetëm një segmenti të vogël të shoqërisë. Nga ana tjetër, legjitimimi i strukturave kriminale, brenda ose jashtë shtetit, ndodh jo vetëm si pazotësi apo mungesë vullneti nga shteti për t’i eliminuar, por edhe si alternativë e vetme për njeriun e ndershëm të ndjekë rrugë të paligjshme në kërkim të mirëqenies legjitime personale.
Ky fenomen mund të barazohet, pa frikë se mund të gaboj, me totalitarizëm të pranuar si e keqja më e vogël nga të gjithë – zaptim të shtetit nga pamundësia për zhvillim – dhe zhvlerësim të shoqërisë dhe të njeriut, karakterit kombëtar dhe vullnetit të tij të lirë. Si situatë është e përafërt me një gjendje pas lufte apo fatkeqësie natyrore të përmasave kombëtare të cilat autori i këtyre radhëve i ka parë nga afër në disa shtete. Një situatë e ngjashme ndodhi në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore që solli në pushtet Hitlerin.
Në këtë rast udhëheqja evropiane, megjithëse me eksperiencë të gjatë në situata të ngjashme, e anashkalon realitetin. Retorika evropiane nuk duhet parë vetëm si dështim për të ndihmuar siç duhet, por edhe si fshehje e realitetit dhe me përgjegjësi të parë. Udhëheqësit vendas kanë kontribuar dhe e kanë pranuar këtë realitet si fait accompli, pjesërisht si vendosje e interesave të tyre personale para interesave të popullit të vet apo për të mos turbulluar ujërat. Po ashtu kanë përgjegjësi të parë.
Pamundësia për zhvillim prek interesat e te gjithëve, por sidomos ato të njerëzve të thjeshtë, të cilët s’kanë faj dhe asnjë gjë në dorë në këtë rast. Si kaos ky manifestohet shpesh si i organizuar në zanafillë, fillon me skript dhe vazhdon i çrregullt dhe shpesh i pakontrollueshëm në nivel institucional, në dukje i padeshifrueshëm, por gjithnjë me logjikën e vet. Prandaj mund të gjykojmë se krizat politike dhe ekonomike mund të ndryshojnë pak nga njëra-tjetra, por të ngjashme priten edhe në të ardhmen.
Të mos bëhet pre dhe pjesë e këtij rreziku si kaos është motiv kryesor i autorit të këtyre radhëve, pasi i ka menduar me vite para se të arrijë me siguri të lartë në këto përfundime. Ndarjet politike apo të cfarëdolloji, jo vetëm si pasione të natyrës njerëzore, por edhe si kaos deri diku i qëllimshëm për interesa të ndryshme së bashku me fshehjen e së vërtetës edhe si frikë e trashëguar nga totalitarizmi duhen larguar që të mund të kuptojmë së bashku më mirë çështjet me rëndësi jetike. Vetëm pas kësaj mund të ketë përmirësim të ndjeshëm dhe të shihet sa janë shanset reale për shqiptarët për t’u vetzhvilluar si popujt e tjerë evropianë dhe sa mund të japin kontribut me ide dhe prodhimet e tyre në tregun e lirë evropian dhe botëror.
Këto fakte ekzistojnë jo si teori konspiracioni, por si skenar i njohur shtetndërtimi në nivel doktrine, që rezulton me lënien në mjerim e varfëri të shqiptarëve si evropianë në nevojë nga evropianët e pasur. Kjo duhet të shihet edhe si krizë identiteti evropiane dhe e popujve përbërës të Evropës që duhet të na bëjë më të vetëdijshëm për rëndësinë e veçantisë shqiptare dhe karakterit kombëtar shqiptar që shfaqet edhe me mbrojtjen e më të dobëtit. Po të fliste Evropa shqip si shqiptarët folën si shtet dhe si popull në Luftën e Dytë Botërore duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar hebrejtë, por edhe ish-pushtuesit italianë, shqiptarët do të ishin shumë më të zhvilluar ekonomikisht.
Rreziku për destabilizim dhe përhapje kaosi nuk është kërcënim vetëm për shqiptarët, por edhe për interesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, sidomos ato evropiane, përderisa shqiptarët jetojnë në Evropë.
Mungesa e angazhimit evropian për zgjidhje afatgjatë, jo vetëm të kurimit të simptomave të sëmundjes, ishte një nga arsyet kryesore që Shqipëria përfundoi si Koreja e Veriut, kur mund të ishte si Koreja e Jugut. Kaosi që pasoi, sidomos nga varfërimi në 1991 dhe në 1997 preku edhe shtete të tjera në Evropë. Fatkeqësisht për ta ky problem ka rëndësi të dorës së dytë dhe konsiderohet si i pranueshëm dhe i menaxhueshëm përderisa nuk i prek direkt dhe po aq fort sa shqiptarët. Megjithatë, në një situatë të ngjashme në Evropë do të kishte shqetësime serioze në rrugët e Parisit apo Berlinit, gjë që do të pasonte me veprime konkrete stimuli ekonomik atje. Ky përfundim i autorit të këtyre radhëve vjen nga studimi, por edhe nga eksperienca në shtetndërtim për periudha të gjata në katër kontinente.
Kjo situatë, në dukje “pa shpresë”, por e ndryshueshme në nivel politikash shtetërore dhe ndërshtetërore, duhet ngritur si çështje alarmante me shkrim e me gojë. Autori vetë e ka ngritur në publik të gjerë me zotin Romano Prodi, ish-President i Komisionit Evropian, në vitin 2011 në Boston, me zotin Peter Feith, ish-Përfaqësues i BE në Kosovë, në Universitetin John Hopkins SAIS në 2012 dhe me zyrtarë të tjerë evropianë nëpërmjet pyetjeve në forume të ndryshme në Washington D.C. Duhet ngritur jo vetëm si çështje e Kosovës dhe e Shqipërisë por evropiane në radhë të parë, si barazi e shqiptarëve apo banorëve të tjerë evropianë njësoj si evropianët në Francë, Greqi apo Gjermani.
Kjo është njësoj çështje e SHBA, pavarësisht se Bashkimi Evropian de facto ka rol parësor në krahasim me SHBA.
Vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë themeluar “nga njerëz që qeverisin veten” dhe qëndrojnë pas atyre që kërkojnë të drejtat e tyre dhe sjellin paqe, stabilitet dhe drejtësi në botë. Duke pasur parasysh argumentet më sipër por edhe detyrimin moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para disa ditësh autori, si përfaqësues i organizatës “Vizion 21” të shoqërisë civile në Washington D.C., i bëri një pyetje në publik Zotit Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës së Punëve në Evropën Jugqendrore në Departament të Shteti: i përmenda “situatën e nderë” mes Kosovës dhe Shqipërisë si një nga rastet e mungesës së tregut dhe shkëmbimit të lirë në Ballkanin Perëndimor. Siç e pata parë vetë në terren para disa ditësh, kur pyeta njerëz të zakonshëm kudo në Kukës, në Morinë e Prizren, realiteti ishte se 25 vjet pas rënies së komunizmit ishte e vështirë të kalosh pa pengesa serioze edhe “dy kilogramë” suxhuk mes shumë rastesh të tjera, pa pasur rëndësi nëse ishte për arsye administrative apo në nivel politikash shtetërore.
Politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë përtej kontrollimit të problemeve njëdimensionale, drejt parandalimit strukturor të destabilizmit në Ballkanin Perëndimor, me rezultate afatgjata për begatinë e të gjithë evropianëve. Kjo mund të realizohet nëpërmjet një stimuli ekonomik me kosto të ulëta për Bashkimin Evropian, si në rastin e Spanjës.
Kështu iu përgjigj Zonja Madeleine Albright pyetjes sime në public, se pse ndihmoi shqiptarët në Kosovë: “Rugova kërkoi respekt për njerëzit e tij dhe ne ia dhamë atë”.
Në këtë përvjetor të papërfunduar të Pavarësisë së Kosovës, mendimet e shprehura për këtë tour d’horizon përfundojnë me respektin që duhet të fitojnë në radhë të parë udhëheqësit shqiptarë si dhe udhëheqësit evropianë nga populli shqiptar evropian. Shumë shqiptarë pa faj janë të ngujuar nga gjakmarrja, nga më të varfërit në Evropë, lindin në familje ku nuk ka asnjë libër dhe janë pre e krimit edhe pse janë popull po aq heroik dhe i veçantë, sa francezët dhe amerikanët.
Konvergjenca e ngadaltë ekonomike dhe ndihma e deritanishme kanë rezultuar në varfëri në masë mes shqiptarëve evropianë midis shkëlqimit dhe bollëkut evropian. Udhëheqësit evropianë duhet ta kërkojnë respektin siç duhet nga shqiptarët përtej retorikës politike, fajësimit të faktorit vendas dhe politikave ndërshtetërore të pjesshme. Trajtimi njësoj i çdo evropiani është bazë për identitetin evropian dhe për të ardhmen në kontinentin tonë.
(Genti Miho është bashkëthemelues i “Vizion 21”, organizatë në Washington D.C., që punon edhe për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. [email protected])