15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Përmbyllet manifestimi “Epopeja e UÇK-së” në Prekaz

zjarri ne prekzMe “Natën e Zjarreve” në Prekaz, është përmbyllur manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”, në 17-vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari dhe 56 jasharëve të tjerë, në luftën e lavdishme të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

“Epopeja e UÇK-së” i kushtohet sakrificës dhe veprës sublime të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, për lirinë e vendit, për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Gjatë tri ditë të manifestimit, mijëra qytetarë nga anë të ndryshme të Kosovës, si dhe qytetarët nga të gjitha trojet etnike dhe nga Diaspora, kanë nderuar figurën emblematike të lirisë së Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe gjithë dëshmorët dhe të rënët për liri, shkruan “Zëri”.

Kanë nderuar në Prekaz edhe krerë të institucioneve të shtetit, liderë të subjekteve politike, ish-luftëtarë dhe delegacione të komunave të Kosovës, të cilët sakrificën e Jasharëve dhe të ikonës së luftës së UÇK-së e kanë vlerësuar si rast të pashembullt të dashurisë dhe vetëmohimit për atdheun.

Komandanti legjendar dhe familja e madhe Jashari, gjithashtu janë cilësuar si pjesë përbërëse e identitetit tonë kombëtar, simbol i bashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, ata që bënë kthesën në historinë e popullit shqiptar të Kosovës.

Në natën e tretë të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së” – “Nata e Zjarreve”, në prani të shumë qytetarëve, është realizuar skenari i njëjtë sikurse herë të tjera. Saktësisht në ora 17:45 minuta ka nisur “riti i dëshmorëve”, ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Flakadanë të lirisë, që mbanin në duar pjesëtarë të UÇK-së, që vinin nga bunkeri, nga i cili komandanti Adem Jashari vëzhgonte lagjen Jashari, si dhe djem dhe vajza me veshje kombëtare, që bënë nderime te kulla e Jasharëve, janë bashkuar tok te varri i komandanti legjendar, Adem Jashari, e që për simbolikë ka bashkimin e popullit.

“Populli dhe ushtria bashkë”, të gjitha ata bashkë kanë nderuar te varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe kanë mbajtur një minutë nderim.

Ndërkaq, nxënësit e gjimnazit “Hamzë Jashari”, kanë vendosur buqeta lulesh te secili varr në kompleksin e varrezave.

Në momentin që janë ndezur 56 flakadanët përreth kompleksit të varrezave të dëshmorëve të Jasharëve, ka shpërthyer zjarri nga kulla e improvizuar, që për simbolikë kishte ndezjen e zjarri të luftës dhe shpërndarjen në të gjitha pjesët e vendit, shkruan “Zëri”.

Para se të niste programi artistik i manifestimit qendror “Nata e Zjarreve” në sheshin “Adem Jashari”, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, Xhavit Dauti, tha se në këtë manifestim janë mbledhur mijëra qytetarët për të mbajtur të freskët lavdinë e mijëra dëshmorëve të UÇK-së, për të mbajtur të freskët kujtimin e marsit të ftohët të vitit 1998, i cili do të mbahet në mend aq sa do të zgjasë edhe ekzistenca e jonë si komb.

“Ne sonte mbajmë të freskët kujtimin për Ademin, Hamzën, Bac Shabanin e dajë Osmanin dhe të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët që ranë. Populli shqiptar kishte burra që kanë zgjidhur hallet e popullit të tyre me armë dhe burra që u kanë paraprirë me pendë. Ata qëndrojnë në kujtesën e kombit si të përhershëm, jo që ata deshën të mbesin të përkujtuar, por gjithçka erdhi natyrshëm. Sot heronjtë tanë të penës dhe të pushkës janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Përderisa për shumë nga ata heronj u desh kohë e gjatë që të mbjellën në kujtesën e popullit, rasti i familjes Jashari është i një natyre krejtësisht të veçantë. Për t’u ngritur miti i tyre nuk u deshën shumë vite e dekada. Miti i tyre u ngrit që të nesërmen e rënies së tyre. Komandanti legjendar, Adem Jashari, për një kohë të shkurtër u bë pjesë e çdo familje shqiptare”, tha mes tjerash nënkryetari i OVL të Kosovës, Xhavit Dauti, transmeton zeri.info.

Ndërkaq, pjesa artistike e manifestimit “Nata e Zjarreve”, në të cilin merrnin pjesë yje të muzikës kosovare ka zgjatur deri vonë./zeri/

Më Shumë

Suksesi në vlerësimin e brendshëm të shkallës së V-të në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit

Në gjimnazin "Gjon Buzuku", të enjten u zhvillua vlerësimi i shkallës së pestë për nxënësit e klasave të XI-ta. Drejtoresha e gjimnazit, Gylaj Shipkovica-Karjagdiu, njoftoi...

Sonte, spektakël i basketbollit pritet në Therandë

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë sonte mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po fitojnë 2:1...

Lajmet e Fundit