8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Përsëri telashe në Telekom, ndërhyn kryeministri

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti përmes një komunikate të lëshuar nga kryeministria i ka reaguar Bordit të Përkohshëm të Telekomit të Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i ka pranuar me shqetësim veprimet e Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, në një situatë të vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike të rëndësisë strategjike për vendin”, thuhet në këtë reagim.

Tutje, nga Qeveria thonë se nuk e mirëpresin këtë veprim të Bordit, e se vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata janë shqetësuese.

“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk e mirëpret aspak këtë veprim të Bordit të Telekomit. Vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar. Qeveria është e vendosur që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të kësaj ndërmarrjeje me rëndësi strategjike për vendin. Prandaj, në cilësinë e aksionarit, Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë për të ndaluar veprimet e tilla dhe për të siguruar kushte për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoti.

Ky reagim i Hotit vjen një ditë pasi sindikata ka shkruar se kanë pasur një takim me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve, ku sipas tyre, nga ky bord iu kanë deklaruar se nuk do të merren me menaxhmentin actual. Të njejtët, kanë kërkuar edhe shkarkimin e tyre.

“Sot, duke monitoruar nga afër takimin e BPD janë vërejtur se: BPD janë në shërbim të klaneve të caktuar në dëm të Telekomit dhe nuk janë duke i kryer detyrat që ju janë besuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

FSP-PTK nga ky momentet i SHKËPUT të gjitha marrëdhëniet më BPD dhe nuk i njeh si Bord të Telekomit, për shkak të veprimeve të papërgjegjëshme dhe në dëm të interesave të Telekomit. FSP-PTK kërkon nga Qeveria e Kosovës, shkarkimin e këtij BPD menjëherë dhe caktimin e një BPD që ka vërtet guxim dhe profesionalizëm me udhëheq Telekomin”, thuhet në reagim.

Gazeta Express nga burime brenda ndërmarrjes publike merr vesh se këto pakënaqësi në Telekom erdhën pasi që Bordi i Përkohshëm vendosi për kthimin në detyrë si Ushtrues Detyre i kryeshefit të ndërmarrjes, Zeqir Kiqinën.

Kiqina kishte qenë kryetar i degës së AAK’së në Drenas, derisa, në pozitën e kryeshefit ishte emëruar më herët në vitin 2018-të.

Sipas këtyre burimeve nga pozita është shkarkuar edhe drejtori i Financave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në krye me kryeministrin Avdullah Hoti, ka emëruar bordin e përkohshëm të drejtorëve të Telekomit në korrik të këtij viti.

Qeveria Hoti kishte emëruar kryesues të bordit, Mehmet Berishën, ndërsa anëtarët e bordit janë: Kushtrim Krasniqi, Teki Shala dhe Blerim Shehu./GazetaExpress/

Më Shumë

Lajmet e Fundit