16.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Petro Zheji, eskursioni intelektual i një mendjeje gjeniale

Petro ZhejiNë moshën 85- vjeçare nuk mundi më ta mposhtte sëmundjen në një dyluftim të gjatë. Iu bashkua ditën e djeshme bashkëshortes, aktores shumë të dashur Besa Imami, e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.

Salla “Unesco” në Muzeun Historik Kombëtar hapi dyert dje për të pritur njerëzit që erdhën ta nderonin. Ishin shumë. Të shumtë ata që ia ndjenë humbjen. Ata që u pikëlluan se nuk do të kishin më një vepër që dilte nga duart e Zhejit. Një vepër nga ato me peshë kombëtare, muzeale, ashtu si edhe vetë hija e institucionit ku iu bënë nderimet, përpara se të përcillej për në banesën e fundit.

Petro Zheji u largua nga jeta. Të shkruash mbi humbjen e një kolosi të letrave shqipe, atij që e zotëronte gjuhën me mjeshtëri të pashoqe, atij që i fali lexuesit dhe vendit shqipërimet e kryeveprave botërore, duart dridhen jo vetëm nga ndarja me një njeri të madh –që madhështinë e ngriti me punë, pa u përpjekur të duket, pa bërtitur për prezencë, por edhe nga përgjegjësia për ta dashur dhe respektuar gjuhën shqipe, ashtu siç e donte ai…

Për miqtë, kolegët, gjuhëtaret e përkthyesit që ishin mbledhur ditën e djeshme për t’i kushtuar homazhe burrit që u nda fizikisht nga jeta, por që do të qëndrojë i patundur gjatë me veprën, ai ishte një Odise -nga përmasat gati-gati mitike të eruditit, mjeshtrit të gjuhës shqipe e shqipërimit nga disa gjuhë të botës, por edhe nga vepra e tij, thuajse si rrugëtimet e trimit në detin e trazuar të gjuhës…

Artistë, politikanë, shkrimtarë, përkthyes e familjarë hynin e dilnin me kryet ulur, disa dhe të përlotur në mort.

Salla “Unesco” në Muzeun Historik Kombëtar hapi dyert dje për të pritur njerëzit që erdhën ta nderonin. Ishin shumë. Të shumtë ata që ia ndjenë humbjen. Ata që u pikëlluan se nuk do të kishin më një vepër që dilte nga duart e Zhejit. Një vepër nga ato me peshë kombëtare, muzeale, ashtu si edhe vetë hija e institucionit që e priti.

Në moshën 85- vjeçare nuk mundi më ta mposhtte sëmundjen në dyluftimin e gjatë. Iu bashkua ditën e djeshme bashkëshortes, aktores shumë të dashur Besa Imami, e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.

Por, a mund të ndahet njeriu që e përjetëson veten në këtë tokë me veprën e tij?

Ai është dhe do të mbetet një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare.

Poligloti që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.

Kushdo që do të marrë në dorë veprat që mbajnë firmën e përkthimit dhe shqipërimin elegant zhejian, do e ndjejë se ai u flet së gjalli me punën e tij. Do të flasë me vëllimin e dytë “Don Kishoti” të Servantesit, që e shqipëroi nga spanjishtja, duke e vendosur veten në piedestalin e përkthyesve shqiptarë, e duke qëndruar krah për krah me Fan Nolin…

Do të kujtohet me “Obllomovi ”të Goncarovit, nga rusishtja, “Ringjalla Tolstoi”, “Vitet e zemërimit” të Shtajnbekut, që e solli për lexuesin nga anglishtja, “Zoti President” dhe “Papa jeshil” të Asturiasit..Këto janë vetëm disa prej punëve të tij.

Kryevepra m ajo që i kushtoi një punë të thellë e të pandërprerë ishte studimi me dy vëllime

“Shqipja dhe Sanskritishtja”. Vepra është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, simbolikës dhe kozmogonisë, religjionit dhe interpretimeve transhedentale. Studiues të ndryshëm, në vlerësim të kësaj vepre, gjykojnë se ajo, tejkalon të gjitha studimet e mëparshme që e trajtojnë gjuhën thjesht si një materie gramatikore të disiplinuar apo si etimologji historike e krahasuar. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara.

Në mënyrë paradoksale nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit…

Në një shkrim të tijin botuar kohë më parë në gazetën MAPO, Astrit Cani shprehej se për Petro Zhejin, Shkenca është arti i tij.

“Njiherit, si njeri thellësisht shpirtnor, Zheji nuk shef kontradiktë mes shkencës dhe shpirtit. As mes arsyes dhe besimit. Puna e tij nuk ia hipotekon shqipes veprat e ardhuna”- do të shprehej Cani dikur, ndërsa shton se “Shqipja e sanskritishtja” duket sikur ia hipotekon shqipes pjesën ma të kryehershme të etimologjisë indo-evropiane.

“Sidokjoftë vepra “Shqipja e sanskritishtja” nuk u pranue për botim, si na e tregon edhe Zheji te parathania. Zheji nuk i numron arsyet pse u ndalue, por s’ka dyshim se kjo ishte nji vepër me përmbajtje thelbsisht metafizike, e cila pavarësisht se censorët nuk arrijshin me e rrokë, i jep atmosferën krejt librit. Arsyeja tjetër, ma e pritshme, asht se libri ishte krejtsisht antidogmatik dhe propozonte nji përmbysje radikale ndaj mendësisë së mykun të gjuhësisë militante të kohës, simbas të cilës shqipja ishte gjuhë minore, pra gjeografia dhe historia e saj ishin njisoj të vogla”.

Petro Zheji, njeriu i veprave të mëdha, i sëmurë dhe i harruar nga akademikët

Aktorja dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, Ermira Gjata, në një analizë për botimin e fundit të studiuesit Petro Zheji, “Libri i aforizmave”, e takoi studiuesin i cili i mposhte dhimbjen që i jepte sëmundja, ndërsa shkenca e tij ishte më e fortë dhe më sfiduese.

Thoshte se me studimet kishin nisur të merrej qysh në bark të nënës… “As unë nuk mund ta them dot me saktësi, mbase që në bark të nënës, pasi duhet një strukturë e mendjes qysh në gjenezë që të më bëjë mua t’ia kushtoj gjithë jetën time këtij zbulimi…Dhe duhet ta kesh të qartë, që jo vetëm s’e kam pasur të lehtë, por kam kaluar nëpër sprova e sfida jashtëzakonisht të vështira, të llojeve nga më të ndryshmet, që s’është vendi t’i përmendim, e megjithatë ja ku ia arrita qëllimit. Dhe ajo që më ushqeu pasionin e kësaj pune voluminoze e shumëvjeçare, që më bëri të kapërcej pengesa pambarim, ishte Besimi, ai më mbajti fort dhe më qartësoi.”, i përgjigjej ai intervistueses. Besimi që e bëri të punojë fort, deri në ditët e fundit të jetës së tij, kur vdekja vendosi ta marrë, duke e bërë të paharrueshëm. Të gjithëve që ndahen nga kjo botë, në lamtumirën e fundit u thuhet “I paharruar i qoftë kujtimi!”. Petro Zhejit, emri dhe vepra do i jenë të paharruara njëmendi.

Homazhet

Të pranishëm në nderimet që iu bënë studiuesit e përkthyesit ishin edhe figurat kryesore të politikës shqiptare, të cilët shprehën keqardhjen për humbjen e një njeriu si Zheji…

Në ceremoninë e lamtumirës që u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Meta: Mirënjohje për trashëgiminë e studiuesit

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pasi vendosi buqetën me lule pranë trupit të pajetë të përkthyesit Zheji, në një prononcim për mediat u shpreh se “kjo është dita e dhënies së lamtumirës një mendimtari dhe krijuesi të niveleve europiane që në atë kohë, kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës”. Megjithatë, shtoi Meta, “kjo është edhe një ditë mirënjohjeje për trashëgiminë e shkëlqyer intelektuale që studiuesi, përkthyesi dhe mendimtari i shquar Petro Zheji lë pas”.

Basha: Humbje për familjen dhe letrat shqipe

Edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pasi nderoi përkthyesin Petro Zheji theksoi se “ndarja nga jeta e Petro Zhejit është një humbje e parikuperueshme për familjen, por është edhe një humbje e parikuperueshme për letrat shqipe, për miqtë dhe apostujt e tij të elitës shqiptare të letrave, intelektualët shqiptarë. Ngushëllimet e mia për familjen Zheji. Petro Zheji të gjejë paqen e merituar, ndërsa të gjithë admiruesit, bashkëpunëtorët, kolegët dhe nxënësit e tij të sotëm dhe të nesërm, të kenë forcë dhe vullnet për të çuar përpara mendimin, studimet e papërsëritshme dhe me vlerë që na ka lënë si amanet dhe trashëgimi e çmuar”.

Kumbaro: Zheji, monument kulture

E përlotur Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh : “Jam rritur me letrat dhe me shpirtin universal dhe me gjuhën shqipe të Petro Zhejit dhe me dashurinë për gjuhën në përgjithësi dhe për kulturën botërore. Me shkrimtarin me shkronja kapitale, nuk mund të ndahemi dot. Do të ndahem me Petro Zhejin kur të ndahem vetë nga jeta ime. Është monument kulture nga ato që nuk vdesin kurrë. Besoj që si shqiptarë jemi me fat që kemi të tillë njerëz që rrëzojnë mitet sepse ata janë vetë miti”. Ndërsa më herët dje, në rrjetin social ‘Twiiter’ ministrja Mirela Kumbaro do të shkruante “Petro Zheji ose Deti i letrave. Petro iku e na la Detin e Shpirtin e Njeriut Universal. Faleminderit Petro Zheji! Paqe për të”.

Rama: Petro Zheji, ustai i pashoq i gjuhës

Kryeministri Edi Rama ka shprehur trishtimin e tij të thellë për humbjen e Petro Zhejit, të cilin e ka cilësuar si usta i pashoq i gjuhës. “Trishtim i thellë për humbjen e Petro Zhejit, ustai i pashoq i gjuhës, që e bëri Don Kishotin të fliste në shqip, si të ishte lindur anëve tona”.

Topi: Petro Zheji, figurë e nderuar e Kombit

Kreu i FRD-së, Bamir Topi shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të përkthyesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, Petro Zheji. Në rrjetin social ‘Facebook’, Topi shkruan: “Ngushëllimet më të ndjera për largimin nga jeta të z. Petro Zheji, figurë e nderuar e kombit tonë, personalitet i letrave shqipe, filozofisë dhe i përkthimit”

Përparim Kabo: Qielli shton një zot të dijes

Shuhet në dheun pellazgjiko-iliro- arbëror, dijetari që të habiste filozofikisht me arsyen e thellë, me mendimin e qashtër dhe me thjeshtësinë në komunikim. Mbrëmë bisedoja më të birin, më tha nuk njeh më, atë ditë ishte i kthjellët kur të foli ty dhe ne u gëzuam me botimin tënd që nxori në dritë vlerat e Petros. Jam i larë para Zotit para ndërgjegjes sime dhe Petros së shtrenjtë i thashë, dua ta takoj. Nuk do të njohi mu gjegj, është nisur për atëbotë. Panteoni ynë u zbrazë. Më mbeti në mendje kur më tha, …Përparim më ke kuptuar…!

Qielli shton nga sot një Zot të dijes, një gurë të thjeshtë dhe me kuptimmbushur…si thoje Petro nga ajo fjalë shqipe gur-i, lindi gurra-rrjedha, por rrjedh dhe qumshti nanës dhe lindi giri-gjiri, sllavet e morën nga ne dhe krijuan gora-var dhe qytet, dhe anglishtja God….por se nga fjala gur-i, lindi dhe fjala e bukur shqipe, si-guri, ose siguri… Me siguri Ju do ta habisni dhe qiellin…

Të premtoj se veprën tënde si edhe deri më tani do t’ua rekomandoj studentëve të mi. Lamtumirë Bariu im i mendjes…ike në një ditë me shenjë sepse në 15 Mars iku dhe Jul Cesari. Ai kishte një perandori shtetërore Ju, një perandori të dijes e shkencës. Amin !

Jeta

I biri i Spiro Ballos, i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Adjutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i trishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.

Petroja studion matematikë në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqërorë dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961, u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petroja mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së.

Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ‘to edhe Petro Zheji.

Përkthime

I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjesëtim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958, dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj. Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.

Vepra

Atij nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërë kuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë zhvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej zhvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve.

Përkthimet

Ringjallja – Leon Tolstoi

Vilet e zemërimit – John Steinbeck

Zoti President – Migel Asturias

Don Kishoti – vol i Dytë, Migel Servantes

Galileo Galilei – Bertold Breht

Studimet Gjuhësore

Shqipja dhe Sanskritishtja – dy vëllime

Libri i aforizmave

Roli mesianik i gjuhës shqipe

Më Shumë

Gabimi i Noes

Enver Sulaj Sot bie shi mbi çatinë time Dhe mbi qepallat tua të egërsuara nga mërzia e stinës. Diejt e përflakur janë zbehur sot Vranësira ka hijezuar të papriturën...

Sot zhvillohen ndeshjet e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll

Sot do të luhet ndeshjes e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Janë paraparë të zhvillohen pesë ndeshje tejet interesante. Kampioni në fuqi...

Lajmet e Fundit