14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Tre mijë euro dhe një orë për një vend pune në polici

para 100Në fund të vitit të shkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet ndaj një punonjësi policie, i dyshuar për trafik droge. Efektivi i Komisariatit Nr.3 në Tiranë, Hamëz Demushi, tashmë i arrestuar, rezultoi të ishte përfshirë në një aferë korruptive, e cila më pas u hetua nga Prokuroria e Tiranës pasi nuk u provuan dyshimet për trafik narkotikësh.

Në momentin e ndalimit në banesën e të dyshuarit u sekuestrua edhe kokainë, por hetimet kishin nxjerrë në dritë një skandal në radhët e policisë, i cila dyshohet se ka prekur drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Përgjimet e kryera për llogari të hetimit tregojnë se të paktën tre persona, dy prej të cilëve të arrestuar dhe një tjetër i pezulluar me vendim gjykate në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ofruar dhe marrë para për transferimin e Hamëz Demushit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Nga bisedat mes të dyshuarve, ata thonë se urdhri është firmosur nga zv.drejtori i përgjithshëm dhe tani pritet firma e drejtorit të përgjithshëm të Policisë. “Urdhri është bërë gati, e ka firmosur nëndrejtori, ta firmosi dhe drejtori i përgjithshëm dhe mbaron kjo punë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Por informacioni i parë për aferën korruptive merret nga një bisedë e punonjësit të policisë me një të afërmin e tij, i cili e pyet nëse ia kishte çuar “ato xhixhat atij” dhe Demushi i përgjigjet: “ja çova një katërshe atij dhe një njëshe ja jap mbrapa”.

Nga hetimi provohet se përgjatë periudhës shtator 2014-janar 2015, punonjësi i policisë Hamëz Demushi ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si efektiv i Sektorit të Operacioneve Speciale që drejtohej nga Alban Ahmeti, tashmë i pezulluar si i dyshuar për korrupsion. Gjatë kësaj kohe, Hamëz Demushi me ndihmën e një personi të identifikuar si Avni Shaba, aktualisht i arrestuar, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm te drejtori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, që Demushi të emërohej pranë këtij institucioni.

Në një nga bisedat mes Demushit dhe Shabës, ky i fundit thotë se urdhri është gati dhe pritet ta firmosë drejtori i përgjithshëm. Pas një takimi mes tyre dhe disa personave të tjerë, ndërmjetësi Avni Shaba rezulton të ketë kontaktuar në telefon me shtetasin Alban Ahmeti, drejtori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Gjatë kësaj bisede ata lënë një takim në shtëpinë e Ahmetit, i cili teksa priste të takohej me Shabën e pyet nëse i kishte marrë shegët me vete. “Po të pres pra. A i more shegët?”, i ka dhënë Ahmeti, Avni Shabës që ishte nisur për te shtëpia e tij.

Vetëm pak minuta më pas një tjetër person kontakton me Hamëz Demushin dhe e pyet nëse i ka çuar ndonjë kështu. Demushi i përgjigjet duke qeshur: “Shegë, mandarina”. Pas takimit në shtëpinë e oficerit të policisë, i dyshuari si ndërmjetës Avni Shaba i telefonon një tjetër personi të cilit i thotë se ishte te shtëpia e atij mikut për punën e Hamzës dhe se e ka rregulluar direkt. Nga hetimi i prokurorisë rezulton se i dyshuari për korrupsion është investuar për këtë çështje, pasi në mungesë të emërimit të Hamëz Demushit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, eprorët e tij në Komisariatin Nr.3 i kërkonin të paraqitej në punë, përndryshe do merrnin masë disiplinore.

Ai i kërkon ndihmë të dyshuarit si ndërmjetës, i cili i kërkon Albanit të flas me shefin e Komisariatit Nr.3 për punën e Hamzës dhe sipas hetimit rezulton se i dyshuari është takuar dhe pas takimit i ka dërguar këtë mesazh shtetasit Avni Shaba: “Sapo u ndava me shef Gëzimin, të përqafon”. Por disa ditë pas këtyre bisedave, plani i të dyshuarve duket se nuk po ecën mirë, pasi Avni Shaba i thotë Hamëz Demushit se e ka kthyer drejtori i përgjithshëm i Policisë emërimin e tij.

“Letrat i kanë çuar te nëndrejtori dhe sa e ka firmosur nëndrejtori, por drejtorin e kanë marrë në telefon dhe më thirri dhe më tha: Nuk e firmos, ça janë këto. Unë do bëj dhe një përpjekje nesër, por nuk bëhet se më thirri vetë përpara. Se kush ka shkuar dhe i ka thënë dhe më tha: Ça e keni marrë filanin”, thuhet ndër të tjera në bisedë. Ndërkohë që në një tjetër bisedë, Demushi sqaron pagesën e dhënë për emërimin e tij në Drejtorinë e Përgjithshme: “Ja pata dhënë unë. Mi pat kthy ai mu mbrapa. Dy mi pat kthy mbrapa. Pati mbajt dy dhe orën… tre (ora kushton 1 mijë euro) dhe një mijë në dakrë. Katër mijë ja kam dhënë”.

Këto biseda kanë qenë të mjaftueshme për prokurorinë që të urdhërojë ndalimin e të dyshuarve, Avni dhe Hamëz Demushi, të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa për drejtorin e Operacioneve Speciale është kërkuar pezullimi nga detyra. Gjykata ka miratuar kërkesën e prokurorisë dhe kreu i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e Ahmetit deri në përfundim të hetimeve që vazhdojnë nga prokuroria për veprat penale të korrupsionit dhe dyshimeve për trafik droge, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e Demushit u sekuestruan rreth 3 kg kokainë.

Më Shumë

Rahoveci e bën hapin e parë drejt finales

KH Rahoveci e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll. Në “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Trepçën...

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Lajmet e Fundit