13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Poezia e Agim Vincës, kuptim dhe bukurzanim

SHEFKIJE ISLAMAJ

Agim Vinca, një ndër studiuesit e kritikët më të çmuar të letërsisë shqipe, është edhe një ndër poetët më të mirë të poezisë së sotme shqipe. E nisi krijimtarinë poetike që më 1972, me përmbledhjen Feniks, për të vazhduar nëpër kohë deri sot, duke rrumbullakuar kështu një krijimtari që shquan jo vetëm me sasinë po, sidomos, me cilësinë. Përmbledhja e tij e fundit botuar sivjet dhe e titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme është libri i tij i trembëdhjetë, duke përfshirë këtu edhe përmbledhjet e botuara në gjuhë të tjera: greqisht, rumanisht, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Duke qenë studiues e njohës i shkëlqyer i poezisë së sotme shqipe, dëshmuar jo vetëm në auditorët universitarë, ku ka përmbushur mbi 40 vjet pune shumë të frytshme, po edhe me botimin e rreth dhjetë veprave studimore e kritike, ai do të dëshmojë se njohjet e tij mbi poetikën e mbi mjeshtërinë artistike ka ditur t’i jetësojë në një poezi që mban shënjues të qartëdallueshëm individualizues. Poezia e tij është krijuar mbi poetikën e poezisë gojore shqipe dhe të poezisë më të mirë të traditës sonë të pasur poetike. Si e tillë ajo përmban veçoritë e të dyja këtyre dhe shquhet me ndje¬shmëri të theksuar artistike.

Leximi i poezive të Agim Vincës gjithmonë dhe me të njëjtën peshë nxit interesim te lexuesi si me tematikën ashtu edhe me semantikën e tyre; nxit përjetim të veçantë si me figurshmërinë ashtu edhe me bukurtingëllimin a bukurzaninë; nxit kënaqësi estetike si me vargun ashtu edhe me gjuhën e pasur, për më tepër provokon frymëzueshëm e fuqishëm intelektualisht e moralisht. Së këndejmi, përmbledhja e tij e poezive Nostalgji për kohërat e rrezikshme paraqet vepër e cila, sipas arritjeve artistike, meriton vend të veçantë në poezinë e re shqipe duke e vendosur autorin e saj në lartësinë e merituar.
Poezia e Agim Vincës, prej fillimeve të veta e deri sot, në përgjithësi, nuk është vetëm fakt artistik, po edhe fakt i rëndësishëm kulturor me fuqinë e ndikimit të saj në kuptimin e Lotmanit, sepse ajo tematizon një epokë të kulturës shqiptare rreth 50-vjeçare, epokën e shqiptarëve të fundshekullit 20 dhe të fillimshekullit 21.

Ai arrin që, brenda hapësirës së përzgjedhur të poezive të tij, një kulturë të kujtimeve ta shndërrojë në art të kujtesës. Poezia e tij si një fakt i fuqishëm artistik arrin që në një mënyrë a në një tjetër t’i krijojë lexuesit një përfytyrim real për Kosovën e njeriun e saj në përthyerjet më të rëndësishme historike të tyre, jo vetëm për të kaluarën e të tashmen, por edhe të ndikojë në perceptimin e së ardhmes. Subjekti lirik i numrit më të madh të poezive të tij i tejkalon kufizimet hapësinore-kohore, që kanë lënduar gjatë shqiptarët, duke arritur t’i shërojë a t’i mbijetojë vrragët e historisë gjithnjë në funksion të krijimit e të mbajtjes gjallë të hapësirës së përbashkët shpirtërore të shqiptarëve, mbetur gjatë vetëm si hapësirë ëndërrsynuese.

Letërsia shqipe në dhjetëvjetëshat e fundit njeh zhvillim jo vetëm sasior po edhe cilësor; njeh zgjerim të fushës së saj tematike dhe këto i ka arritur së pari përmes poezisë. Në këtë zhvillim dhe zgjerim tematik, sado modest në raport me zhvillimet në letërsitë e tjera, ka hisen e vet edhe poeti Agim Vinca. Duke qenë njohës i mirë i poezisë shqipe dhe më gjerë, ai, me poezinë e vet, vetëdijshëm zgjeron horizonte të reja poetike, zgjeron botëkuptimin për gjithçka që e rrethon, në të vërtetë i shton letërsisë shqipe një artikulim të ri artistik, duke mos vrapuar, siç do të thoshte ai, “pas modave të çastit, që sjellin shumë herë vlera efemere” , por duke synuar gjithmonë vlera të përhershme. Dhe, në këtë pikë, është parimor, i qëndrueshëm, në gjithë poezinë e tij të krijuar përgjatë 45 vjetëve. Përmbledhja e poezive titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme e shpërfaq mirë këtë parimësi të poetit si në përzgjedhjen tematike-përmbajtjesore, si në përzgjedhjen strukturore-metrike, si në përzgjedhjen stilistike-gjuhësore.

Mendim dhe ndjenjë

Si në fillimet poetike ashtu edhe në poezitë e tij të fundit ai është poet theksueshëm lirik, por poezia e tij sjell shumë elemente me përmbajtje kulturore e historike, përmbajtje kombëtare, për çka ajo mund të quhet poezi e mendimit dhe e ndjenjës. Si në fillimet e tij poetike, si sot, ai shkruan natyrshëm, thjesht, me një gjuhë që rrjedhë tejet natyrshëm, për çka lexohet me shumë ëndje. Shembujt në vijim e përligjin mendimin e shprehur më sipër:

Zgjatmi duart, Veleshtë, zgjatmi,
t’i shoh, t’i preki, t’i puthi!
Zgjatmi duart e ashpra, të buta,
duart tua plot kallo-pllufka.
(1972)

Të shkosh në Pogradec
Pa vizë, pa pasaportë
Si të ishe zog
Si të ishe zot.
Në Pogradec ashtu të shkosh.
(2001)

Mos kërkoni nga unë këngë as varg
Kësaj nate pa pishë e pa dritë…
Se frymëzimi më ka tretur larg, larg
E fjalët më janë lidhur nyje në fyt.
(2017)

Siç shihet nga shembujt e poezive të botuara ndër vite (1972, 2001, 2017), poeti ka ruajtur lirizmin e tij lasgushian e agollian me veçori të theksuara individualizuese. Nëse lirizmi në fillimet e tij poetike e vite më pas jepte më shumë dritë e shpresë, te poezitë e tij në këta dy dhjetëvjetëshat e fundit çdoherë e më shumë ky lirizëm u pasurua përmbajtësisht me tema shoqërore e historike, politike, përgjithësisht kombëtare, rrjedhimisht edhe më shumë dhembje, mërzi, pakënaqësi, zhgënjim e revoltë. Më së miri këtë e provon përmbledhja e tij e fundit poetike Nostalgji për kohërat e rrezikshme.

Në poezitë e këtij libri, që numërojnë 64 sosh, sikur në një shirit filmi, poeti jo vetëm i rikthehet me nostalgji vendlindjes – Veleshtës, rrënjëve, fisit, Strugës, fëmijërisë e rinisë së tij (Lëmsh, Jetëshkrim i vogël poetik, Këngë për të parin e fisit, Lisi i Vojncës, Sarajlitë e Strugës, Takim me vendindjen, Kornizë e zverdhur etj.), jo vetëm shpreh dhembjen e madhe për kohën e ikur, sidomos për njerëzit e dashur, familjarë e miq, që tashmë kanë ikur në botën e përtejme (Elegji për motrën, Motrat, Adieu, adash!, Elegji për Ndoc Gjetjen, Sipari, Kërkoj buzëqeshjen e humbur, Homazh për poeteshën B. D., Memento mori!, Notesi etj.), jo vetëm shpreh pakënaqësinë e vetminë e poetit që ka pritur më shumë nga jeta duke e shpërfaqur fuqishëm edhe mërzinë që sa vjen e i shtohet njeriut jo vetëm me moshën (Poeti me kone, E unë as Cuc nuk kam, Kënga e poetit të kyçur, Tri katrena, Pa gaz, pa lot, Provimi (2), riprovim, Mërzia, Tokë e qiell etj.), por në një numër poezish të tij gjejmë biografinë e copëzuar të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, në të vërtetë njohim dramën e tyre.

Historia e lashtësia, lufta, dëshmorët, paslufta, burgjet, vdekja e idealeve, zhgënjimi, pabarazia, gjendja sociale dhe të këqija të llojeve të ndryshme, që dinë të shfaqen në mjedise të prapangelura nga arsyet më të ndryshme, shtro¬hen në një numër jo të vogël poezish (Hija jote më ndjek pas,Danse macabre, Udhëtimi. Ëndrra, Drini i vogël dhe Amerika e madhe, Epilog për ata që vranë, Monolog i të rënëve në Reçak, Certifikata e lindjes, Piedestal bosh, Ndodhi më 17 shkurt, Përse madhëri?, Mësim, Dyert, Ky vend, Grafit në bulevard, Herezi, Lulet e Zvicrës dhe Arta nga Tetova, Romancë vere, Eros, Nostalgji për kohë të rrezikshme, Soditje nga ballkoni, Duf shekujsh, Delir dimëror etj.), kurse nuk mungojnë as poezitë që ua kushton njerëzve të zemrës – gruas, nipit, miqësisë (Nokturno, Mirëseardhje, Duke soditur portretin tënd, Marinët e historisë, Arti i Mnemozinës, Një miqësi letrare etj.). Libri mbyllet me poezinë katërvargëshe Ujk i vetmuar (epilog), e cila jo vetëm përmbyll këtë përmbledhje poezish po, njëkohësisht, zbulon qartë shpirtin e poetit, gjendjen e tij emocionale në një qark kohor pak a shumë të përcaktuar.

Do të vdes një ditë në këtë pyll asfalti
Zemërak e i pikëlluar pa fjalë e pa zë
Do të ik fillikat a nga infarkt-inati
Unë ujku i vetmuar AV.
(Ujk i vetmuar)

Në tokë e në qiell subjekti poetik ndihet i humbur e bosh sepse:

Kërkon prore poshtë e lart
Një grimë lumturi.
Mbetet, ajme, duarthatë
Si një arixhi.
(Tokë e qiell)

Si në krijimet e para, ashtu edhe në poezitë e këtij libri, kujtimet e fëmijërisë e të rinisë vazhdojnë ta kenë thjeshtësinë e butësinë që dëshirohet e që kërkohet pareshtur, por që nuk gjendet askund tjetër; vazhdojnë ta kenë peshën që bartet deri kur fiket dritëza e fundit e jetës; vazhdojnë të sjellin nostalgji që nuk tretet me asgjë; vazhdojnë t’i japin poetit nxitje për të ecur, edhe kur ato janë kujtime të një kohe të rrezikshme.

Më pat thënë dikur im atë;
Ndjesë pastë dhe ime ëmë:
“Lëmsh e gjetëm këtë botë
Dhe lëmsh do ta lëmë!”
(Lëmsh)

Mos kërkoni nga unë këngë as varg
Kësaj nate pa pishë e pa dritë…
Se frymëzimi më ka tretur larg, larg
E fjalët më janë lidhur nyje në fyt.
(Katrena)

Por, entuziazmi e shpresa që shoqërojnë moshën e rinisë e të pjekurisë, rrjedhimisht edhe poezinë e botimeve të mëhershme të Agim Vincës, në këtë libër ato tashmë këmbehen me zhgënjimin e pakënaqësinë, kur e kur edhe me revoltën e dukshme. Mund të thuhet, prandaj, se pothuajse të gjitha poezitë përshkohen nga një fill i përbashkët i mbështjellë me një si hije mërzie, vetmie e trishtimi, kur e kur edhe zhgënjimi, që lexuesi e ndien thellë.
Poeti tregon tejndjeshmëri për të këqijat, për padrejtësitë e të gjitha llojeve, për shfytyrimet që kanë mbushur jetën tonë këta dy dhjetëvjetëshat e fundit:

Gjithnjë e më shumë dyer të hekurta
gjithnjë e më shumë dyer të blinduara
gjithnjë e më shumë të barrikaduar…

Çdo ditë e më shumë…

E lufta ka mbaruar!
(Dyert)

Ajo që i bashkon poezitë e Agim Vincës përgjatë viteve është atdhetaria, dashuria për gjithçka amtare. Shqetësimi dhe adhurimi për të përbashkëtat tona, në rend të parë për gjeografinë e historinë kombëtare, për gjuhën e këngën, për lirinë e dëshmorët enden në shumë poezi të këtij vëllimi. Dikujt sot, në kohën si thuhet kozmopolite a në kohën e prirjeve globaliste, disa nga këto tema mund t’i duken mbase të tejkaluara, por për poetin Vinca ato janë tema të gjithmonshme dhe, sidomos, janë të përtashme jo vetëm për rëndësinë e tyre qenësore, por edhe për peshën kuptimore e simbolike që bartin për një popull të vonuar, megjithëse të ngulitur gjithmonshëm në këto shkrepa të Ballkanit, i shkapërderdhur në disa shtete e “shtete”.

Ne ramë si gruri nga dora e xhelatit
Në këto gërxhe e skërka të Ballkanit.
(Monolog i të rënëve në Reçak)

Jetoj në vendin ku liria është ende emër kuptimi;
Ku askush nuk e di në ka ardhur apo jo vërtet ajo…
Jetoj në vendin e banuar me skllevër të bardhë,
Që qeshin si klounë edhe kur duhet qarë.
(Ky vend…)

Përveç semantikës atdhetare, poezinë e Agim Vincës e karakterizojnë edhe leksiku i përzgjedhur dhe leksiku toponimik. Bien në sy sidomos antroponimet e toponimet e shumta nga historia jonë kulturore, përkatësisht kombëtare, të cilat poeti i aktualizon në mënyrë funksionale, duke krijuar përmes këtyre shënjuesve lirikë një gjeografi e një histori shpirtërore shqiptare theksueshëm mbresëlënëse. Në të vërtetë, që nga fillimet e tij poetike, ndihet fuqishëm prania e leksikut që shënon emra vetjakë dhe emërvende me funksion simbolik.

Nuk mund të shkoj në qytetin e Lezhës
Pas ikjes nga kjo botë të Ndoc Gjetjes.
(Elegji për Ndoc Gjetjen)

Për ardhjen tënde nuk qitëm pushkë,
Sipas zakonit të lashtë të fisit tim
As në Veleshtë, as në Prishtinë,
as në Bruklin…
Lajmi për ardhjen tënde në jetë,
U përhap rrufeshëm në internet…
(Mirëseardhje)

Për aq sa u tha deri tash mund ta nxjerrim përfundimin se poezia e Agim Vincës është poezi me semantikë të ngjeshur dashurie e atdhedashurie.

(Vijon në numrin e ardhshëm të gazetës. Marrë nga revista “Akademia”)

Më Shumë

Sot mot me diell e me vranësira

Të dielën mbrëma pati mot me shi, ndërkaq në disa zona ra edhe borë. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot me diell...

MKRS-ja shpall thirrjen për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore...

Lajmet e Fundit