15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Poezia për Qerim Ujkanin ishte trajta e ekzistencës

qerim ujknaiSi poet e kontributdhënës në lirinë kolektive të popullit shqiptar të Kosovës ku aspirohej lufta për dinjitet, është cilësuar periudha e gjatë e veprimtarisë së Qerim Ujkanit nga kritikët letrarë, në komemoracionin e mbajtur të premten në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Ujkani vdiq të enjten në moshën 78-vjeçare. Pak orë para se t’i jepej lamtumira e fundit në varrezat e Prishtinës, miq kolegë e familjarë të tij e kanë kujtuar edhe nëpërmjet vargut poetik, shkruan sot Koha Ditore.

Kritikut letrar Hysni Hoxha i është dridhur buza tek ka folur për poetin. As lotët s’i ka mbajtur dot edhe kur ka lexuar poezitë kolegut të tij. E ka kujtuar me poezinë “Eksodi i fundit”, e shkruar para një çerekshekulli, por që mesazhi i saj gjëllin edhe në të tashmen.

“Poezia ka qenë trajta e ekzistencës së tij. Gjithmonë kur kemi biseduar për letërsinë e tij, kemi biseduar për çështjen kombëtare. Atë e ka frymëzuar edhe plaga e dhimbshme e pandërprerë e kombit tonë, mërgimi. Disa vjersha ia ka kushtuar mërgimit, por vjersha ‘Eksodi i fundit’ është mjaft simbolike. E ka shkruar në vitin 1990 dhe dëshironte që ai eksod të ishte i fundit. Por çfarë ndodhi? Ndodhi e keqja tragjike që sot po e përjetojmë, por le të jetë eksodi i fundit dëshira e tij dhe dëshira jonë e përgjithshme”,ka thënë Hoxha.

Ka përmendur edhe një tjetër poezi ku evokohej e kaluara e popullit shqiptar përgjatë shekujve. Sipas tij, çdo preokupimin për fatin e vendit të tij do ta shprehte përmes poezisë.

“Në vjershën ‘Kthimi i ushtarit në shtëpi’ ushtari është personifikim i luftëtarit të përjetshëm. I luftëtarit historik i nisur nga largësia me mall dhe dashuri ndaj njerëzve dhe atdheut. Ai është ushtari që personifikon qenien tonë që gjithmonë ka luftuar nëpër shekuj për të na liruar nga robëritë shekullore për një jetë të dinjitetshme. E ka preokupuar gjithmonë vendi, Kosova, atdheu ynë”, ka shtuar Hoxha.

Profesori universitar Agim Vinca ka përmbledhur figurat që janë pjesë e poezive të Ujkanit. Ka thënë se letërsia shqipe ka humbur shumë me vdekjen e poetit që u lind më 1937 në qytetin e Pejës.

“Ai ka qenë poet që e pasuron poezinë shqipe me tema, ide, motive, ndjenja, frymëzime, figura, ritme e metafora të reja, si dhe me një fjalor pak a shumë specifik poetik, ku mbizotërojnë fjalët: toka, gjaku, eshtrat, kulla, gjuha, fjala, fusha, rrafshnalta, lulëkuqja, Drini i Bardhë, Gryka e Rugovës, Bjeshkët e Nemuna, Kosova”, ka thënë Vinca.

Si pjesë përbërëse të poezive të Ujkanit ka përmendur edhe fjalët: klithje, dhembje, pasthirrmë, ëndërr, lartësi, largësi, dritë e ardhmëri.

Deputetja Flora Brovina, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ka thënë se jetës letrare po i largohen çdo ditë emra të mëdhenj shkrimtarësh siç ishin poeti Ali Podrimja, Fahredin Gunga dhe tash së fundi, Qerim Ujkani.

“Ai prej sot nuk do të jetë në mesin tonë dhe plejada e shkrimtarëve të parë po zvogëlohet dhe kjo është një ndjenjë shumë e keqe kur po ndahemi nga i nderuari Qerim Ujkani, i cili mund të krijonte dhe të vepronte edhe një kohë. Megjithatë, ai do të ndodhet në mesin tonë me veprat e veta, të cilat frymojnë gjeneratë pas gjenerate”, ka thënë Brovina.

Në emër të familjes Ujkani të pranishmëve u është drejtuar i biri i poetit, Visar Ujkani. Ka thënë se është i pranishëm për të kryer një detyrë, që t’i lexojë disa vargje të cilat sipas tij do t’i thoshte vetë i ati sikur të ishte në jetë. Vargjet kanë dhënë një mesazh të fortë.

“Qerim Ujkani do të thoshte: ‘Nuk qaj betohem/ para syve të mbyllur njerëzit e mi qëndrojnë gatitu/ bebëzat e shuara për herë të fundit kanë parë të zënit e diellit/ kurrë më nuk do të kalojë dita si sytë e fundit përmbi vdekjen/ nuk qaj betohem”, ka recituar ai. Edhe epilogu i komemoracionit ka qenë poetik. Është mbyllur nën tingujt e violinës së Valbon Beqirit e Gëzim Latifit.

Qerim Ujkani ka botuar mbi 20 libra me poezi dhe prozë. Po ashtu përktheu vepra të shumë poetëve e prozatorëve jugosllavë dhe botërorë nga serbokroatishtja. U prezantua në antologjitë dhe panoramën e poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën shqipe, serbokroate dhe disa gjuhë botërore, ndër të cilat, në italisht, spanjisht, frëngjisht, polonisht, anglisht etj. Në kuadër të “Letërsia e shekujve”, vëllimi i 33-të, në Milano, Ujkani u prezantua në mesin e 15 poetëve shqiptarë të të gjitha kohëve.

Më Shumë

Dita Ndërkombëtare e Xhazit, UNESCO: Festohet në 190 vende

Sot kremtohet Dita Ndërkombëtare e Xhazit, e cila do të festohet në më shumë se 190 vende të botës. Mikpritësi zyrtar për festimet e...

S’ka fitues në klasiken evropiane, gjithçka vendoset në ‘Santiago Bernabeu’

Ka mbaruar pa fitues derbi i gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit. Përballja ishte e zjarrtë nga minuta e parë,...

Lajmet e Fundit